9.1 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Pse e admiroj Muhamedin: Përgjigje islamofobëve

Më të lexuarat

Craig Considine

Islamofobët më kanë sulmuar sepse kam shkruar pozitivisht për Muhamedin, Profetin e Islamit. Duke qenë se jam katolik, më konsiderojnë si heretik dhe aktivitetet e mia ndërfetare i konsiderojnë si sakrilegj. Për këta kritikë, Islami është djallëzor dhe Muhamedi nuk është tjetër përveçse një terrorist. Unë e shikoj Muhamedin shumë ndryshe nga këta fanatikë. Ky shkrim i shkurtër evidenton karakterin e tij shembullor dhe i sfidon islamofobët të mendojnë ndryshe për Profetin.

Një nga arsyet pse e admiroj Muhamedin është se ai ishte predikues dhe mbrojtës i barazisë. Në predikimin e fundit që mbajti në Malin e Arafatit ai tha: “Arabi nuk ka epërsi ndaj jo-arabit, as jo-arabi nuk ka epërsi ndaj arabit…i bardhi nuk ka epërsi ndaj të ziut dhe as i ziu nuk ka epërsi ndaj të bardhit, përveçse në devotshmëri dhe në punë të mira.” Predikimi i Profetit garantoi liri për të gjithë pjesëtarët e shoqërisë. Mesazhi i tij demokratik mund të konsiderohet si pararendës i kushtetutës amerikane, që mbron të njëjtat vlera të barazisë, dhe të botëvështrimit plularist të etërve themelues, të tillë si Xhorxh Uashingtoni dhe Benxhamin Frenklin.

Gjithashtu e admiroj Profetin Muhamed sepse ai predikoi tolerancën fetare, veçanërisht në raport me të krishterët dhe hebrejtë. Në traktatin e Maknes, Profeti u tha ndjekësve të judaizmit se “ju do të jetoni në paqe…ju do të jeni të sigurt nën sundimin tim…Ndaj jush s’do të ketë armiqësi dhe nuk do t’ju bëhet keq.” Njësoj si në marrëdhënien e tij me hebrenjtë, Muhamedi donte të mbronte të krishterët, që nga muslimanët konsideroheshin gjithashtu si njerëz me një status të veçantë. Në një marrëveshje që bëri me murgjërit e krishterë të Malit të Sinait, Muhamedi i garantoi ata se gjykatësit e krishterë do të mbroheshin dhe kishat do të ruheshin. Teksti i marrëveshjes thotë se muslimanët duhet t’i konsiderojnë të krishterët dhe hebrenjtë si motrat dhe vëllezërit e tyre që janë robër të të Gjithëfuqishmit.

Në dritën e këtyre traktateve dhe marrëveshjeve, sulmet e fundit nga ISIS ndaj minoriteteve fetare në Siri dhe Irak janë tejet tronditëse, pasi vijnë në kundërshtim të hapur me predikimin e Profetit për tolerancë mes pasuesve të traditës abrahamike.

Duke shtrirë tolerancën fetare tek jo-muslimanët, Muhamedi luftoi për të drejtat e njeriut. Profeti donte që gratë të ishin të lira në mënyrë që të jetonin sipas zgjedhjes së tyre. Dy nga bashkëshortet e tij më të afërta e vërtetojnë këtë. Bashkëshortja e tij e parë, Hatixhja, ishte një tregtare e suksesshme që drejonte një karvan të madh tregtar. Bashkëshortja tjetër e tij, Aishja, u bë një nga dijetaret dhe juristet kryesore muslimane, për më tepër ajo është dijetarja e parë femër në Islam. Bazuar në marrëdhënien që kishte me bashkëshortet e tij, mund të themi se Profeti besonte se gratë duhet të mbanin pozicione drejtuese në shoqëri, duke u përfshirë në çështje të rëndësishme që i përkasin ligjit dhe politikës. Integrimi i këtyre grave në shoqërinë arabe dëshmon se Muhamedi nuk dëshironte që gratë të jetonin të izoluara, përkundrazi, ai synonte që ato të bëheshin pjesëtare aktive të shoqërisë.

Edhe disa detaje të tjera, më të vogla se barazia, toleranca fetare dhe të drejtat e njeriut më bëjnë ta vlerësoj Profetin Muhamed. Kur’ani, siç i është zbritur Muhamedit, u kërkon muslimanëve të mos i fyejnë dhe të mos përqeshin njerëzit. Profeti besonte se përdorimi i nofkave të pakëndshme ishte diçka e keqe dhe u kërkonte pasuesve të tij të tregoheshin civilë në ndërveprimin me njëri-tjetrin. Ai gjithashtu na mësoi rëndësinë e thjeshtësisë, dhe i nxiti muslimanët, por edhe jomuslimanët, që të ishin modestë dhe të kërkonin falje për gabimet e tyre.

Islamofobët që nuk shikojnë vlera në cilësitë e Muhamedit, thjesht po tregohen mendjengushtë. Nëse Profeti do të ishte gjallë, ai do të tregohej i mëshirshëm dhe i dhembshur me ta, pavarësisht sjelljes së tyre. Ai gjithashtu do t’u kërkonte ta njihnin më mirë.

Burimi: huffintonpost.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit