7.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Pse duhet gjithmonë të tjerët të na tregojnë për vlerat që zotërojmë?‎

Më të lexuarat

Një njeri donte ta shiste shtëpinë e tij dhe të shkonte në një shtëpi më të mirë, kështu që ‎shkoi tek një miku i tij, ekspert i marketingut, dhe iu lut që t’i ndihmonte për ta shkruar një ‎reklamë për shitjen e shtëpisë. Miku i tij e njihte mirë shtëpinë dhe shkroi një reklamë në të ‎cilën e përshkroi shtëpinë në mënyrën më të bukur. Pastaj ia lexoi tekstin e reklamës mikut ‎të tij, i cili e dëgjoi i mahnitur, dhe më pas i tha: “Të lutem, ma lexo sërish reklamën!”‎

Kur menaxheri i marketingut e lexoi sërish reklamën, pronari i shtëpisë i tha: “Sa shtëpi e ‎bukur! Unë kam ëndërruar që ta blej një shtëpi të tillë, dhe nuk e paskam ditur se kam jetuar ‎në të derisa nuk e dëgjova përshkrimin tënd.” Pastaj buzëqeshi duke thënë: “Të lutem, mos ‎e publiko reklamën, shtëpia ime nuk është në shitje!”‎

Unë jam larg edhe nga të menduarit se reklamat, siç thuhet në popull, “nga deti prodhojnë ‎vaj susami të drenazhuar”, por megjithatë duhet pranuar, se neve reklamat shpesh dinë të ‎na tërheqin dhe mashtrojnë sikurse menyja në aeroplan. Në fakt, herën e parë kur kam ‎udhëtuar me aeroplan, ata ma dhanë “menynë”, në të cilën lexova edhe këtë: “Brumi i fituar ‎nga kokrrat e arta të grurit, i ujitur me ujë të pastër, i cili buron nga shkëmbinjtë e lartë, me ‎vezë të pulave që janë rritur në fermën më të mirë, ku kanë dëgjuar muzikë dhe vallëzim ‎baleti. Me erëza dhe perime të importit ndërkombëtar të mbikëqyrur nga ekspertët më të ‎mëdhenj, të cilët kanë diplomuar në universitetet më prestigjioze botërore.”‎

Për një moment mendova se ishte fjala për ushqim të xhenetit, ose të paktën për një ushqim ‎të shijshëm për të cilin kam lexuar në tregimet pallateve të mbretërve dhe sulltanëve. Aq ‎shumë isha thelluar duke menduar për atë ushqim, sa që fare nuk e vura re, se në listën e ‎ushqimeve gjenden edhe vezët e fërguara, të cilat kur nëna i përgatiste në shtëpi, ne e ‎dinim se atë ditë nuk ka asgjë tjetër në shtëpi për të ngrënë, përveç vezëve, ose ajo është ‎dita e larjes së qilimave, kështu që nëna nuk ka kohë për të bërë “mrekulli” në kuzhinë. ‎

Duke iu kthyer pronarit tonë të shtëpisë, dua të pyes: Pse gjithmonë të tjerët duhet të na ‎flasin për gjërat e bukura që i zotërojmë? Problemi ynë është se ne gjithmonë duam më ‎shumë, dhe nuk mendojmë që të kënaqemi me atë që kemi.‎
Ne gjithmonë dëshirojmë shtëpi më të madhe, por harrojmë se shtëpia nuk përbëhet vetëm ‎nga muret dhe mobiliet, por edhe atdheu i vogël i ndjenjave, tregimeve dhe kujtimeve, është ‎edhe më shumë sesa hapësira dhe mobiliet. ‎

Gjithmonë dëshirojmë punë më të mirë, por harrojmë se kjo botë është e mbushur me të ‎papunë, dhe se punë nuk është vetëm paraja, por nderi dhe fitimi me nder i nafakës, pastaj ‎ndjenja e mrekullueshme e pjesëmarrjes në prodhim dhe dhurim (për të tjerët).‎

Gjithmonë dëshirojmë një bashkëshorte, përkatësisht një burrë më të mirë, por harrojmë që ‎edhe vetë të bëhemi më të mirë.‎

Nuk ka asgjë të keqe që njeriu të përpiqet të ketë një shtëpi të madhe, që të zë një punë më ‎të mirë, ose të dëshirojë partnerin më të mirë të jetës, por pse gjithmonë ndjehemi të ‎pakënaqur dhe më pak të vlefshëm për shkak të asaj që nuk e kemi, në vend se të jemi ‎falënderues për atë që kemi.‎

Edhem Sherkavi; http://saff.ba//‎

Përkthim: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit