7.2 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Pse çdo herë kur lexoj Kuran më mbushen sytë me lot?

Më të lexuarat

Pyetja:

Eselamu alejkum ue rahmetullahu ue berekatuhu!
Kam një pyetje. Pse çdo herë kur lexoj Kuran më mbushen sytë me lot? Ç’do të thotë kjo? Allahu ju shpërbleftë!

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut. Krijuesit të botëve. Vetëm Atij i falemi dhe vetëm Atij i kërkojmë ndihmë. Salatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin alejhi selam, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Nga edukata e leximit të Kuranit është të qarët kur lexohet Kurani Fisnik. Thotë Allahu i Lartësuar: “Dhe duke qarë hidhen me fytyra (kur dëgjojnë Kuranin) dhe ai ua shton edhe më përuljen (ndaj Allahut).” (El-Isra, 109)
Dhe se Pejgamberi alejhi selam kur e urdhëroi Ibn Mesudin t’i lexonte Kuran, sytë e tij (Pejgamberit alejhi selam) u mbushën me lot. Pra, të qarët kur lexohet Kurani pa dyshim aludon për frikërespekt dhe përulje ndaj Allahut të Madhërishëm, nëse të qarët është me sinqeritet! Të qarët është në disa mënyra:
• të qarët nga mëshira dhe butësia;
• të qarët nga frika dhe trishtimi;
• të qarët nga dashuria dhe mallëngjimi;
• të qarët nga gëzimi dhe kënaqësia;
• të qarët nga brenga dhe pikëllimi.
• të qarët me ngashërim…

Është e kërkuar të qarët kur lexohet Kurani, mirëpo qarje e përuljes dhe e frikërespektit ndaj Allahut e jo qarje e hipokrizisë dhe e huazuar. Derisa njeriu nuk mund të qajë, atëherë bile të bëjë kinse po qan. Në një hadith thuhet: “Nëse nuk qani, atëherë bëhuni se po qani.” Mirëpo këtë hadith e ka dobësuar shejh Albani, ndërsa shejh Ibn Bazi në disa fetva të tij thotë se nuk njihet vërtetësia e këtij hadithi.

Pra, e kuptuam ajetin dhe hadithin në lidhje me të qarët gjatë leximit të Kuranit. Duhet të jetë qarje e sinqertë, që del nga brendësia e gjoksit. Kështu vepronte Pejgamberi alejhi selam kur i lexonte Ibn Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të.

Është vërtetuar se edhe sahabët kanë qarë kur kanë lexuar Kuran, tregimi i Ebu Bekrit është më se i njohur kur gjatë sëmundjes së Pejgamberit alejhi selam në momentet e fundit të jetës së tij. Thotë Aishja për babain e saj, Ebu Bekrin: “Ai është njeri i butë, nëse lexon (fal namaz) qanë menjëherë.” Në transmetimin tjetër qëndron: “Ebu Bekri është i butë, nëse del në vendin tënd nuk mund të falet, se e kaplon vaji.”
Gjithashtu Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të, i është dëgjuar zëri i të qarit pas safave kur lexoi fjalën e Allahut në kaptinën Jusuf: “Ai (Jakubi)tha: “Unë hidhërimin tim dhe pikëllimin tim ia parashtroj Allahut, e unë di për Allahun atë që ju nuk e dini.” (Jusuf, 86)

Nuk ka ndonjë domethënie të veçantë që sa herë njeriu lexon Kuran t’i mbushen sytë me lot, mirëpo themi nëse loti është i sinqertë, i lumi ai për këtë vepër. Nuk do të thotë që sa herë të lexosh Kuran të qash, mirëpo vetë disa ajete janë të tilla, p.sh.ajetet që flasin për xhehenemin, për dënimin, për ndëshkimin vërtet të bëjnë të qash emocionalisht. A thua vallë nuk të bën ky ajet të qash: “E jehuditë thanë: “Uzejri është djali i Allahut”, e të krishterët thanë: “Mesihu është djalë i Allahut”. Ato ishin thënie të tyre me gojët e tyre (fraza të thata), që imitojnë thëniet e jobesimtarëve të mëhershëm. Allahu i vraftë, si largohen (nga e vërteta)! Ata i konsideruan “ahbarët” (priftërinj jehudi) të tyre, “ruhbanët” (murgjit e krishterë) të tyre dhe Mesihun (Isain) birin e Merjemes, për zota pos Allahut, ndërsa ata nuk janë urdhëruar për tjetër (nga Pejgamberët) pos për adhurimin ndaj Allahut një, e që nuk ka të adhuruar tjetër pos Tij. I lartë është Ai nga çka i shoqërojnë.”(Et-Tevbe, 30-31)

O Allah, na mundëso të lexojmë Kuranin ditë e natë, ta kuptojmë atë, të punojmë me të dhe t’ua mësojmë të tjerëve! Allahu ynë, na bëj prej atyre që kur lexojnë ose u lexohet Kuran, qajnë me sinqeritet!
O Allah, bëje Kuranin pranverë për zemrat tona, shërim për gjokset tona, dritë dhe udhëzim në jetën tonë! Amin!
Eroll Rexhepi
19.9.2008

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit