12 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Protesta e 29 shtatorit kundër Thaçit: Vetëvendosje, e vetme në provën e madhe!

Më të lexuarat

Me thirrjen “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”, Vetëvendosje e Albin Kurtit me 29 shtator do i rikthehet rrugës për të protestuar. Sërish me temë “mbrojtjen e territorit”, këtë herë nga presidenti Thaçi, që sipas këtij subjekti po dëshiron të bëjë pazare me Serbinë në dëm të shtetit, pas idesë së këtij të fundit për “korrigjim të kufirit”.

Për dallim nga protestat e organizuara vitet e kaluara kundër Demarkacionit me Malin e Zi si dhe Asociacionit të komuna e me shumicë serbe, që në start vetëvendosësit kanë paralajmëruar protestë të qetë, ndërsa u kanë bërë thirrje qytetarëve që ta përkrahin sa më masivisht. 29 shtatori pritet të jetë dhe një test për VV-në, ardhur pas një tërmeti të brendshëm, për të treguar nëse e ka forcën e traditës për të mbledhur njerëz në shesh, pas një përçarjeje të pazakontë në radhët e saj, prej së cilës ikën disa figura dhe u krijua një parti e re. Nëse numër i madh i kosovarëve do i thonë “Po” Albinit, ky i fundit pritet të karrikohet dhe më tej, , por nëse dështon, do i japë “jetë” Thaçit të mos ndalet me tezën e “korrigjimit të kufirit” me Serbinë.

Pse i duhet përkrahja e LDK-së por jo vetëm?

Për momentin, Vetëvendosje e kërcënon e vetme Thaçin me protesta pasi nuk ka arritur të marrë përkrahjen e partive të tjera opozitare, LDK-së së Isa Mustafës por as Partisë Socialdemokrate të Shpend Ahmetit, këta të fundit ish-shokë të idealit që tashmë janë kthyer në armiq.

Vet Kurti e ka pranuar se LDK nuk i ka thënë “Po” për protestën.

Më shumë kam parë interesim se gatishmëri për protestë nga LDK-ja”, ka deklaruar Kurti, ndërsa ka folur për takimet e zhvilluara ditëve të fundit me kreun e LDK-së Isa Mustafa dhe zyrtarë tjerë të partisë.

Sigurisht, që kur ka folur për interesimin, Kurti e ka pasur fjalën tek deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani e cila hapur ka deklaruar se Thaçi ndalet veç përmes protestave, por që e ashtuquajtura “garda e vjetër” në krye me vet kryetarin Mustafa e nënkryetarët Lutfi Haziri e Agim Veliu, por edhe zyrtarë të tjerë, janë kundër që të hyjnë në “vallen” e VV-së.

Ndaj mosgatishmërisë së LDK-së kanë reaguar deputetë të VV-së që kanë ngacmuar partinë e Mustafës.

Është çështje taktike e LDK-së për elektorat”, ka pohuari vetëvendosësi Ali Lajçi

Sigurisht me LDK-në në krah protestat do ishin me të fuqishme dhe do e trembnin më tepër, Thaçin kurse pa të do vihen në pikëpyetje.

Ndërsa ish-shokët e idealit, PSD-ja e Shpend Ahmetit poashtu nuk është shprehur e gatshme t’i bashkohet VV-së, për çka thotë se s’ka marrë ftesë nga kjo e fundit.

Vet Ahmeti, në një emision televiziv të martën mbrëma ka vënë në pikëpyetje protestën e thirrur nga VV duke thënë se partia e tij “nuk do bëhet vagon i veprimeve të pamenduara dhe pa ndonjë strategji të caktuar”, por ka shtuar se është i gatshëm të ulet me Kurtin e Mustafën për të biseduar për bashkëpunim opozitar.

Ironizimi i PDK-së…

Ndërsa opozitarët s’po gjejnë gjuhë unike për protestat kundër Thaçit, por veçse po përçahen mes vete, PDK-ja e Kadri Veselit ka ironizuar jo pak me thirrjen e protestës nga VV.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të mbajtur të mërkurën e ka quajtur si të parëndësishme protestën në fjalë.

Po Vetëvendosje nuk ka protestuar moti, edhe po të mos ketë arsye ata shpikin një dhe dalin, po nuk mendoj që duhet të merren e as trajtohen seriozisht as nga opozita as nga askush”, ka deklaruar Krasniqi.

Kujtojmë se VV protestën e ka thirrur për datë 29 shtator nga ora 14:00 në sheshet e Prishtinës. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit