12.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Propagandë me virus

Më të lexuarat

Maskat janë të skaduara, rrofshin maskat! Kjo mund të jetë përmbledhja me një fjali e propagandës së Edi Ramës, sot, për shumë minuta në ekran, live. Por ka edhe më. Kush guxon të thotë se këto mjete mbrojtëse kanë 9 vite që janë jashtë afatit të parashikuar, ai është armiku më i madh i kombit dhe meriton një vend në ferr.

Nga ana teknike, ndoshta ky argument mund të debatohet. Edhe pse prej 9 vitesh të skaduara, maskat mund të jenë ende të vlefshme. Kështu qoftë.

Thelbi i problemit është gjetkë. Zbulimi që bëri opozita tregoi shkallën e lartë të papërgjegjshmërisë së qeverisë. Kur i kërkohej rilindjes që të merrte masa për koronavirusin sepse ishim të rrethuar nga të gjithë anët, Rama me të tijtë bënin shpoti, qesëndi, dhe sigurisht lëshonin batare dhe sulme ndaj kritikëve, kundërshtarëve dhe mediave.

Ne ishim të pamposhtur, të paprekur, dhe çdo dyshim, çdo shqetësim, ishte thjeshtë një dashakeqësi. Një dashakeqësi politike për më tepër, që synonte të dëmtonte skeptrin mbretëror të pushtetit hyjnor e të pakontestueshëm të shefit të madh.

Çfarë doli sot, nxori zbuluar një gjëmë të madhe. Qeveria nuk paska marrë as masën më elementare, maskat mbrojtëse për personelin shëndetësor.

Edhe sikur ato që janë shpërndarë, të jenë eficiente, pse duhet të jenë të dyshimta, e të skaduara në afat. Përse, të mos ishin të sigurta 100 përqind. Mos është vallë koha e përshtatshme të jenë të diskutueshme? Jemi vallë në momentin, që e kemi luksin, t’i hyjmë debatit që edhe pse të tejkaluara në kohë, ato qenkan ende të vlefshme?

Pak të shqetësuar janë njerëzit, dhe veçanërisht mjekët, aty ku kemi varur të gjithë shpresën, që të jetojnë edhe me këtë dyshim.

Këto pra janë hapat, përgatitjet që bën një qeveri.

Edhe sikur të kushtojnë shumë. Edhe sikur, ai investim të shkonte dëm, se e zëmë që koronavirusi nuk do të vinte tek ne, për shkak se bllokohet në çdo kufi, në çdo sinor, në çdo mal, kodër, fushë e det, nga propaganda sypetrite e qeverisë.

Askush nuk do të guxonte të akuzonte qeverinë, që shpenzoi para kot për të blerë paisje mbrojtëse për personelin shëndetësor. As, sepse shpenzoi shumë para për të përgatitur karantina.

Një zot e di, se si mundet që tashmë që kanë dalë fare zbuluar, të mendojnë se sërish do ja hedhin me propagandë, siç kanë kaluar prej 7 vitesh dhjetra skandale. Kjo është krejt tjetër gjë.

Zor se do të gjesh sot një shqiptar që mund të fajësojë qeverinë, Manastirliun, Ramën apo këdo, pse epidemia na përfshiu edhe ne. Po, shumë, shumë, do të jenë gati të drejtojnë gishtin, për masat e marra.

Energjia më e madhe del se është shfrytëzuar deri tani për të shpikur armiq e për të prodhuar konflikte politike, ku rilindja kërkon si gjithnjë të shfaqet si viktimë.

Dhe pak, krejt pak, pamjaftueshëm, për të marrë vendimet që duhen. Për të bërë punët që duhen bërë.

Reagimi i përsëritur dhe nervoz i Edi Ramës sot, ndaj zbulimit të një fakti të vërtetë që nuk e mohoi dot as ai, tregon një shqetësim tjetër, të kundërt me atë që predikon aq bukur, për njerëzit që na rrethojnë, për familjarët, të moshuarit që kemi secili në familje.

Shqetësimi i vërtetë, që nuk thuhet, është frika se kriza e koronavirusit lëkund pushtetin e tij arrogant dhe aspak llogaridhënës. Të tjerat, pak rëndësi kanë.

Mapo

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit