16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Propaganda dhe humbja e qëllimeve të mira

Më të lexuarat

AGIM BAÇI

Është më e rëndësishme të dimë sa shpejt mund të ecim apo se ku dhe përse po shkojmë? Mënyra sesi i përgjigjemi kësaj pyetjeje përcakton shpesh edhe faktin nëse jemi të gatshëm të njohim vetveten, të përcaktojmë ne qëllimet tona apo do të lejojmë të na drejtojnë të tjerët, pavarësisht nëse na sugjerojnë dritën apo errësirën për të nesërmen tonë. Në fakt, në një botë që nxiton thuajse në gjithçka, ku emocionet dhe interpretimet mbizotërojnë mbi faktet, ku “menjëhershmëria” kthehet në domosdoshmëri, njeriut i vështirësohet shumë marrëdhënia me të nesërmen. Për pasojë, idealja është e sulmuar përgjithësisht nga konsumi dhe prodhimi i dëshirave për të tashmen, duke e larguar njeriun gjithnjë e më shumë nga ajo që do të vijë, nga e ardhmja. “Kur mungon qëllimi, mungon edhe vetë njerëzimi”, shkruante Niçe, duke paralajmëruar pasojat e një shoqërie pa ideale.

Por çfarë mund ta shkaktojë humbjen e qëllimit te një njeri? Pa dyshim, marrëdhënia jonë me të djeshmen dhe të nesërmen vendos shumë për praninë apo zhdukjen e qëllimeve te gjithsecili prej nesh. Sepse vetëm nëse jemi falënderues ndaj së djeshmes, për atë që na sjell si përvojë e urtësi, dhe vetëm nëse mendojmë se kemi detyrime për të nesërmen, mund të besojmë se qëllimet tona kanë të bëjnë me atë që i jep njeriut disa kuptime në jetë.

Por, çfarë ndodh sot realisht në shoqëri? Në një anë, janë me mijëra raste, ku femra e meshkuj, anekënd botës, refuzojnë të martohen e të bëhen prindër, duke pranuar gati hapur se e bëjnë këtë zgjedhje për të ruajtur profesionin apo linjat e trupit. Ndërkohë që, në anën tjetër, marrëdhënia me të moshuarit, pra, me të djeshmen, është gjithnjë e më pak humane, gjithnjë e më pak mirënjohëse për atë që na kanë përçuar përmes jetës dhe përpjekjeve të tyre për të na ushqyer dhe edukuar neve. Kështu, i gjendur me duar të shkëputura nga e djeshmja dhe e nesërmja, njeriu rrezikon t’i kthehet vetëm rëndësisë së trupit, pra, ta kthejë trupin në epiqendrën e vetme me rëndësi dhe kuptim. E nëse ndodh kjo shkëputje, ai më pas është vetëm produkt i rrethanave, i dëshirave, i instinkteve, e, si i tillë, edhe një njeri që mund të marrë çdolloj rrjedhe që i jepet nga rrethanat. Një qenie e tillë e konsideron detyrë që duhet të shkallmojë rregullat, të mos ngushtohet me arsyetime e qëndrimeve morale, por të ndjekë dëshirat e tij, të kujdeset për trupin e tij dhe, mbi të gjitha, të mos ketë turp për asgjë që bën dhe kërkon.

Nga ana tjetër, njeriu që ka kujdes veç për trupin, pra, që beson se instinkti është vlera më e madhe njerëzore, është gati të notojë qetësisht në detin e manipulimit, duke iu dhënë asaj që i kërkohet të jetë e jo asaj që mund të jetë realisht. Qëllimi në këtë rast e humb kuptimin, e për pasojë, njerëzimi ka gjithnjë e më pak ura ku mund të kalojë për tek ëndrrat e tij apo te besimi për tjetrin.

Këtë njeri të dashuruar pas së menjëhershmes dhe paraqitjes së tij fizike e përdor në mënyrë të vazhdueshme propaganda, e cila, përmes një njeriu të tillë, ka ndryshuar semantikën e autoritetit dhe autoritares në shoqëri. Kështu, propaganda shfrytëzon përgjithësisht autoritetet që i sjell në jetë shoqëria e spektaklit dhe “të fortët”, pra, ata që mbështeten te fuqia, te paraja dhe paraqitja fizike e jo te dija e urtësia. Mjafton të shohësh në Shqipëri se sa peshë kanë fjalët e akademikëve, pedagogëve dhe shkrimtarëve dhe sa kanë peshë ato të botës së spektaklit. Për të provuar humbjen e autoritetit racional, do të ishin të mjaftueshme vetëm disa kërkime në internet, për të parë klikimet, ku “njeriu i dijes” është krejt i pafuqishëm përballë “divave të ekranit” që broçkullisin gjëra, të cilat rinia dhe një pjesë e madhe e shoqërisë i përsërit pa pushim në komunikimin e tyre. Edhe po t’u hedhësh një sy fushatave elektorale në Shqipëri, mund të verifikosh lehtësisht se kandidatët kanë me vete në fushatë, në komunikimin me publikun, vetëm artistë të spektakleve e jo profesorë apo profesionistë të fushave që njohin qytetin, siç do të ishin urbanistët apo inxhinierët. Këta aktorë të spektaklit e shokojnë njeriun e zakonshëm, i cili nuk ka ndonjë fuqi të kundërshtojë këtë “autoritet” apo të bëjë dallimin se çfarë do të ishte më mirë të dëgjonte. Sepse spektakli zvogëlon fuqinë shpirtërore dhe shmang komunikimin sy më sy të njerëzve, duke e kthyer audiencën vetëm në një masë që mendon me pikturën që i paraqitet dhe jo atë që është apo atë që dëshiron të shohë. Te një njeri i tillë, e vërteta hyjnore dhe vlerat tradicionale janë zëvendësuar me të vërtetën individuale, ndaj dhe një njeri i tillë mjaftohet me atë që i sugjerohet, pa kërkuar asnjë ndryshim.

Shumica e studiuesve dhe filozofëve që janë marrë me komunikimin dhe pasojat e propagandës në shoqëritë e sotme, qofshin fetarë apo jo, qofshin mbështetës apo kundërshtues të saj, bien dakord se përkeqësimi apo përmirësimi i shoqërisë gjendet i pasqyruar në gjuhën, me të cilën komunikohet. Pra, nëse një gjuhë shfaqet “e sëmurë”, atëherë edhe shoqëria do ta pasqyrojë këtë lëngim, pasi është pikërisht gjuha që mbart më shumë se gjithçka tjetër frikërat, ngërçet, dëshpërimin apo edhe urrejtjen. Propaganda mund t’i frenojë këto lëngime ose edhe mund t’i shumëfishojë ato nga mënyra sesi e përdor fuqinë e fjalës dhe simbolikën e veprimeve, pra, nëse i përhap apo i frenon qëllimet e mira. Dhe qëllimet e mira janë të lidhura me mënyrën sesi lexojmë të djeshmen dhe sesi ëndërrojmë për të nesërmen. Ne kemi nevojë, pikërisht për të nisur nga ajo që themi, nga ajo që ofrojmë përmes fjalës dhe qëllimeve. Kjo nuk është aspak e lehtë në një shoqëri ku e vërteta lidhet vetëm me atë që funksionon. Por nuk është e pamundur nëse kulturalisht besojmë se nuk është frika ajo që duhet të na udhëheqë, pasi frika ushqen vetëm emocionet tona, duke mbjellë humbjen tonë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit