10.6 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Projekti i Zaha Hadid per Xhaminë si pretekst

Më të lexuarat

Do të isha njeriu më i lumtur në qoftë se kërkesa që Xhamia e Prishtinës të ndërtohet sipas projektit të Zaha Hadid të ishte e sinqertë dhe të paraqiste vetëdijen kolektive për çështje të tilla estetike arkitektonike. Mirëpo, më shumë se vetëdije kolektive, më rezulton që të jetë një pretekst, duke (keq)përdorur emrin e respektuar në nivel global të arkitektes Hadid. Në bindjen time, edhe sikur të ishte përzgjedhur projekti i Hadid, përsëri do të gjendej ndonjë pretekst për të kundërshtuar dhe për të protestuar.
Përzgjedhja e projektit të Zaha Hadid, nuk kam asnjë dilemë se do të ishte një atraksion për qytetin, një atraksion për gjithë Kosovën, mirëpo nuk mendoj se do të ishte një atraksion i tillë sa do të sillte turistë aq sa do të ndikonte në rritjen ekonomike të vendit. Tek e fundit BIK-u nuk është as Ministri e Turizmit, e as Agjenci Turistike, por është institucion që në këtë rast e ka qëllimin që t’ua krijojë një hapësirë për t’u lutur besimtarëve, pa asnjë dyshim të nevojshme duke marrë parasysh faktin se thuaja se në çdo Xhami të Prishtinës namazi i Xhumave falet edhe nëpër oborre ose edhe nëpër rrugë.
Duke u rikthyer tek vetëdija kolektive dhe tek hipokrizia e atyre që po protestojnë, nuk mund të mos i marrim parasysh shumë shembuj se si ne kemi lejuar dhe vazhdojmë të lejojmë që shëmtia arkitektonike të na zë frymën në të katër anët. Mjafton t’i shohim ndërtimet e shumta pa leje e pa kurrfarë kriteri, blloqet e shumta të banesave kolektive, kabllot e rrymës si gërsheta nëpër çdo lagje, etj. etj.

Por, t’i marrim në konsideratë edhe shumë shembuj të tjerë. Në të katër anët e Kosovës, është ndërhyrë dhe është ndryshuar thuaja se në tërësi arkitektura, sidomos fasada, ajo që shihet e objekteve publike. Kujtojeni objektin e Fakultetit Teknik, se si ishte dhe si është tani pasi është mbështjellë me fasadë stiropori. Kujtojeni objektin ikonë të Pallatit të Mediave apo Rilindja se si ishte dhe si është. Kujtoni edhe shumë objekte të ngjashme të cilat në emër të modernizimit dhe renovimit kanë ndryshuar krejtësisht pamjen. Kujtojeni edhe ndërhyrjen në fasadën e Hotelit Grand, se si ka mbetur përgjysmë prej shumë vitesh. Ose, paramendojeni gjendjen në të cilën janë Teatrot e Qyteteve dhe pyesni veten a është ndërtuar ndonjë që nga paslufta? E, natyrisht ju mund të gjeni shumë e shumë shembuj të tjerë, në të cilat nuk është treguar konsideratë aspak për objektet arkitektonike që kanë qenë simbol i lagjeve e qyteteve tuaja, por që nuk ekzistojnë më…

Përndryshe, është e pakuptimtë se si sa herë ka një projekt apo ide për një objekt të tillë kolektiv, bëhet një betejë e paparë, ndërsa në fund projektet dështojnë.
Ja tre shembuj ilustrues për të cilët është debatuar me vite e vite dhe akoma nuk ka një zgjidhje nga ‘mendjendriturit’:
1. Salla e koncerteve në Kryeqytet. Nga një debat i tillë i pakuptimtë, siç duket u humb edhe një donacion 11 milionë euro. Jo këtu, e jo atje. Jo kështu e jo ashtu! Rezultati?!
2. Teatri i Operas dhe Baletit “Ibrahim Rugova”. Është vënë gur themeli, është hapur një gropë, por ka mbetur veç gropë.
3. Stadiumi i futbollit për Kombëtaren. Herë në Bërnicë e herë në Korroticë. Ku?
A do ta ketë fatin e njëjtë edhe Xhamia, nuk jam i sigurt, por deri më tash ka prodhuar debat mjaftueshëm, debat i cili mbyllet vetëm nëse ndërtohet ose hiqet dorë nga ndërtimi i saj!

Resul Sinani

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit