15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Profesori Cinar Ozen: nuk është afrimi me Turqinë pengesë për integrimin e Shqipërisë në BE

Më të lexuarat

Nuk është afrimi me Turqinë pengesë për integrimin e Shqipërisë në BE, por problemet e brendshme të vetë unionit dhe për këtë Brukseli duhet të tregohet i sinqertë me Shqipërinë. Deklarata vjen nga Z. Çınar Özen, profesor doktor i universitetit të Ankarasë gjatë një interviste për emisionin Diplomaticus në News 24 për gazetarin Erion Kaçorri. Sipas Prof. Dr. Özen, një politikan në Itali, Austri apo Gjermani, nëse flet për zgjerimin humbet me shpejtësi shumë vota.

Profesor se pari si po ndiheni në Shqipëri?

Ndihem si në shtëpinë time. Jam i bindur se edhe vëllezërit tanë shqiptarë kështu ndihen kur vijnë në Turqi. Sapo dilni në rrugë në Shqipëri, çdo gjë ju duket shumë e njohur.  Këtë ndjenjë ta japin njërëzit, ndërtesat, mjedisi social. Sipas meje, çdo turk në Shqipëri ndihet si në shtëpinë e vet, edhe shqiptarët të njëjtën gjë ndiejnë në Turqi. Jam i bindur për këtë.

Profesor, ju nuk jeni angazhuar vetëm në jeten akademike, por keni punuar edhe në institucionet e BE-së. Turqia ka nisur negociatat për anëtarësim që nga viti 2005. Ku ndodhet sot Turqia sa i përket procesit të integrimit?

Në vitin 1987 Turqia aplikoi për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian. Në vitin 2005 filluan negociatat. Por marrëdhëniet e Turqisë me BE janë shumë më të vjetra. Sepse ne kemi një Marrëveshje asociimi, e cila shkon deri në vitin 1963. Bisedimet për të kishin nisur në 1959. Pra, nëse do të pranojmë se BE është themeluar në vitin 1957, Turqia dy vjet më vonë ka filluar bisedimet për t’u përfshirë në BE. Që nga viti 1996 midis Turqisë dhe BE-së ekziston marrëdhënia e “Bashkimit Doganor”.  Pra, Turqia ka një Bashkim Doganor me BE-në. Kjo situatë i përgjigjet një integrimi shumë të madh ekonomik. Domethënë tregu i BE-së është integruar plotësisht me Turqinë. Janë hequr doganat. Ka një shkrirje mes tyre. Edhe në procesin e anëtarësimit të plotë Turqia hodhi hapa shumë pozitivë.

Por kohët e fundit në Europë ka probleme të brendshme shumë serioze. Në Europë ekziston edhe problemi i së djathtës ekstreme që po zgjerohet me shpejtësi, i cili po kap politikën europiane. Pra, në Europë duket sikur politika nuk do të sjellë rezultate në drejtim të zhvillimit të Bashkimit Europian. Në shumë vende, për shembull në Francë, `Fronti National` ishte gati duke ardhur në pushtet. Por të gjithë partitë e tjera u bashkuan dhe duke nxjerrë kandidat Makronin, mundën t’ia presin rrugën këtij fronti. Por në Austri erdhi në pushtet e djathta ekstreme. Kjo e djathtë ekstreme ka dy veçori : Së pari, është kundër Bashkimit Europian, pra, Bashkimin Europian, shtetet e tij i shikon si një strukturë kundër identiteve kombëtare. Së dyti, është islamofobe. Domethënë kundër Islamit. E trajtojnë çështjen duke u ngritur mbi një tezë civilizimi. Ka tendenca për t’i perceptuar shtetet jo si shtete, por mbi bazën e fesë. Dhe kur kemi një trajtim të tillë, politika europiane ngelet e bllokuar. Turqia është përballë këtyre problemeve. Ka shumë mundësi që edhe Shqipëria do të jetojë probleme të tilla. Pra, ky bllokim në Europë për të cilin fola, ky bllokim që ka krijuar Europa për Turqinë, ka shumë mundësi që do të krijojë edhe për Shqipërinë.  Bashkimi Europian përgjithësisht e ka ndaluar plotësisht procesin e zgjerimit.

Unë po flas si dikush që ka studiuar dhe punuar për një kohë të gjatë për këtë çështje. Tashmë nuk është shumë i mundur zgjerimi i BE-së. Një politikan ose parti politike europiane, cilado qofshin ato, nuk ka mundësi të marrë vota nëse mbron zgjerimin e BE-së. Përkundrazi, për të parandaluar përparimin e së djathtës ekstreme, partitë politike të qendrës në Europë po rrëshqasin në zonën e ekstremit të djathtë.  Dhe sa më shumë që rrëshqasin në atë drejtim, aq më shumë mbajnë qëndrim kundër zgjerimit. Nga ana tjetër, zenë një pozicion anti islam. Për shembull kohët e fundit në Francë u botua një deklaratë. Mund të vlerësohet si një veprim pragmatist i partive të tjera për të parandaluar fuqizimin e ekstremit të djathtë. Sigurisht që të gjitha këto janë rrugë pa krye. Marrëdhëniet Turqi-Bashkimi Europian në një drejtim po ecin shumë mirë. Ka një integrim të madh ekonomik. Turqia është një pjesë e tregut të BE-së, një pjesë shumë të madhe e tregtisë e zhvillon me Europën. Kompanitë europianë kanë investime të mëdha në Turqi. Kompanitë turke kanë investime në Europë. Por nga ana tjetër, në varësi të këtij tensionimi politik në Europë, nuk duket se Turqia  brenda një kohe të afërt do të jetë anëtare me të drejta të plota. Por druhem se e njëjta gjë do të jetë edhe për Shqipërinë.

Profesor, a po largohet Turqia në mënyrë të ngadalte nga perspektiva e saj Europiane duke anuar më shume me vende si Rusia. Nëse po pse?

Po e them menjëhere dhe me përparësi. Nuk bëhet fjalë që Turqia politikisht të shkëputet nga Europa. Nuk është e mundur që marrëdhëniet e Turqisë me Rusinë t’i vendosësh në një pozicion kundër marrëdhënieve të saj me Europën. Në një periudhë shumë të hershme, pra, thuajse menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa krijohej Rajoni Transatlantik, Turqia zuri vendin e saj në të gjitha institucionet europiane dhe transatlantike. U bë anëtare NATO-s dy-tre vjet pas themelimit të saj.  Menjëherë, disa muaj më vonë, u bë anëtare e Këshillit të Europës. U bë pjesë e Planit Marshall. Për pasojë, ishte një ndër anëtaret themeluese të OECD-së. Siç thashë pak më parë, aplikoi për në Komunitetin Ekonomik Europian, menjëherë pas themelimit të tij. Pra, Turqia është një pjesë e zonës politike europiane dhe nuk është e mundur që  të humbasë interesimin dhe të largohet nga kjo zonë. Por bota, pas Luftës së Ftohtë, po shndërrohet në një botë tjetër, po shndërrohet në  një botë shumëpolare. Është Kina që po rritet me shpejtësi të madhe në Azi. Edhe Rusia po kthehet në një qendër të rëndësishme politiko-ekonomike. Sot nuk mund të ekzistojnë më veprimet e politikës së jashtë të dy botëve, që ishin të ndara në dy pole, domethënë të përçara dhe kundër njëra-tjetrës. Sot Turqia kërkon të vendosë marrëdhënie të mira edhe me Rusinë.

Por kjo nuk duhet kuptuar në asnjë mënyrë si një hap që do të eliminojë marrëdhëniet e saj me Rajonin Transatlantik ose me Bashkimin Europian. Turqia është anëtare e NATO-s. Ekonomikisht është një pjesë edhe e Bashkimit Europian, politikisht është shumë afër atij. Por është edhe për zhvillimin e marrëdhënieve shumë të mira me Rusinë dhe me Kinën. Kjo është nevojë e natyrës së periudhës së pas Luftës së Ftohtë, të periudhës shumëpolare. Sipas mendimit tim, Turqia po vë në jetë një nevojë të sistemit të ri të shfaqur pas shndërrimeve në sistemin ndërkombëtar.

Profesor, gjatë një interviste, nje ekspert me qendër në SHBA për marrëdhëniet ndërkombëtare, zoti David Philips ngriti shqetësime në lidhje me marrëdhëniet e ngushta të kryeministrit Edi Rama me Turqine dhe presidentin e saj Erdogan. Sipas tij, ambiciet e Shqipërisë me Turqinë mund të krijojnë një hendek me Bashkimin Europian. A ju duket realist ky shqetësim?

Fatkeqësisht disa qëndrime të politikës së jashtme të mbajtura kohët e fundit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës krijojnë disa vështirësi në drejtim të Turqisë. Komenti i atij akademikut amerikan që përmendët ju, më kujtoi diçka. Turqia kapërceu një tentativë për grusht shteti. Ishte një zhvillim tepër i rrezikshëm. Nëse më lejoni, dëshiroj të flas pak për këtë çështje. Pas asaj tentative për grusht shteti, në pamë se si një grup, për të cilin pandehej se vepronte me vullnet të mirë, që nisej nga ndjenja fetare, duke u shndërruar në instrument të shërbimeve inteligjente të një varg shteteve të huaja kishte krijuar një shtet paralel në Turqi.

Kjo organizatë ishte një organizatë me lidhje të huaja. Por brenda në Turqi, brenda në shtet kishte krijuar një strukturë paralele, e cila merrte urdhëra nga persona jashtë strukturave shtetërore dhe nëpërmjet tyre nga shtete të huaja. Shikoni, pas tentativës për grusht shteti, thuajse 2/3 e oficerëve me gradë gjeneral brigade në Turqi ishin nën kontrollin e kësaj organizate. Dhe a e dini se si? Të themi që një mësues historie në qytetin Rize urdhëronte gjeneralët. E njëjta situatë në gjyqësor, e njëjta situatë në polici, pra, në çdo vend pune që kishte lidhje me sigurinë shtetërore, organizata kishte vendosur njerëzit e saj, të cilët vepronin sipas direktivave që merrnin nga jashtë institucionit,  kishte vendosur persona që nuk kishin cilësitë e një nëpunësi të shtetit. Kjo organizatë ishte aq e rrezikshme sa në fund guxoi të ndërmerrte një ndërhyrje ushtarake, një grusht shteti. Natyrisht në Turqi po kryhen rregullimet e nevojshme për ta asgjësuar atë, si dhe për vendosjen e institucioneve  shtetërore dhe ruajtjen e sigurisë kombëtare.

Demokracia turke zmbrapsi një rrezik shumë të madh. Natyrisht, në një aspekt, arriti diçka shumë të rëndësishme. Populli i doli për zot demokracisë së tij. Ishte një gur kilometrik për historinë politike të Turqisë. Tani fatkeqësisht SHBA nuk i kuptojnë këto siç duhen kuptuar. Kreu i organizatëas terroriste për të cilën po flasim, pra i organizatës terroriste që vepron nën petkun fetar, ndodhet në SHBA. Duket si nën mbrojtjen e Amerikës. Nga ana tjetër, SHBA luftën që zhvillon Turqia ndaj kësaj organizate terroriste – që është një luftë për demokraci –  e pozicionojnë sikur është kundër demokracisë. Kjo është e papranueshme. Turqia patjetër do të luftojë kundër kësaj organizate. Turqia përpiqet t’ua shpjegojë edhe vëllezërve shqiptarë se sa e rrezikshme është kjo organizatë terroriste, organizata FETO. Përpiqet t’ia shpjegojë edhe Shqipërisë, edhe Kosovës. Sepse është shumë e rëndësishme edhe për sigurinë e Shqipërisë. Ne i jetuam ato ngjarje. Ne kemi një shprehje: “Ai që është rrëzuar një herë nga kali, e kupton atë që rrëzohet nga kali”. Ne u rrëzuam, nuk dëshirojmë që ju të rrëzoheni.

Prandaj në përpiqemi t’u tregojmë se çfarë na ka ndodhur. Me sa kam kuptuar, kjo i shqetëson disa qarqe. Në një mënyrë artificiale ka një tendencë për ta vendosur Europën përballë Turqisë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës përballë Turqisë. Në të vërtetë, nuk ekziston një gjë e tillë. Turqia mbështet me gjithë zemër anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.  Ky qëndrim është një element i rëndësishëm i politikës së jashtme turke. Mbështet edhe anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Europian, edhe të Maqedonisë.

Dëshiron që shqiptarët të  jenë së bashku në një Europë ku janë zhdukur kufijtë. Që nga viti 1996 ekziston Bashkimi doganor i Turqisë me Europën. Turqia dëshiron që i gjithë Ballkani të jetë në Bashkimin Europian, sepse ka mundësi të hyjë në këtë treg me doğana zero. Një Shqipëri në Europë, që jeton në paqe dhe në begati, e integruar është përparësi e politikës së jashtme turke. Nëse do të ndiqni mbështetjen që ka dhënë Turqia për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, nëse do të shikoni politikën e Turqisë, do të kuptoni se që në fillim Turqia ka mbështetur marrëdhëniet e Shqipërisë me Perëndimin, me Bashkimin Europian, me NATO-n.  Pra tendenca për të cilën fola është e gabuar, është mashtruese. Përmbledhtasi dëshiroj të theksoj se përsa i përket Shqipërisë nuk ka ndonjë kundërshtim midis Turqisë dhe Europës. Domethënë, Shqipëria duke avancuar drejt objektivit për anëtarësim në Bashkimin Europian, mund të mbajë të fuqishme edhe marrëdhëniet me Turqinë. Por dëshiroj të them edhe këtë. Pavarësisht Turqisë, Bashkimi Europian, për shkaqet që përmenda më lart, nuk duket i gatshëm për të pranuar si anëtarë Shqipërinë, Maqedoninë dhe Kosovën. Një politikan le të themi në Itali, Austri apo Gjermani, nëse flet për zgjerimin, humbet me shpejtësi vota. Bashkimi Europian duhet të jetë pak më i sinqertë me Shqipërinë.  Mendoj se është e dobishme që ata t’i thonë Shqipërisë se vështirësimi i anëtarësimit të Shqipërisë po ndodh jo prej Turqisë, jo prej afrimit të Shqipërisë me Turqinë, por prej problemeve të vetë Bashkimit Europian. Mendoj se Europa e përdor Turqinë si pretekst për të mbuluar zhgënjimet e krijuara nga politikat e saj të zgjerimit që nuk janë fort transparente.

Profesor, ekziston një përceptim në perëndim i një aleance të fortë midis shqiptarëve dhe Turqisë dhe në të vërtetë ata nuk janë gabim, duke u bazuar në marrëdheniet historike mes dy vendeve tona. Por sipas të dhënave, ka më shumë investime nga Turqia në vende rreth Shqiptarëve, përshembull në Serbi. Cili është opinioni juaj? 

Para së gjithash duhet t’ju them se nëse ka ndonjë problem në Shqipëri ose në Kosovë, nëse ka ndonjë problem që trishton, që lëndon vëllezërit tanë shqiptarë,  më besoni se të gjithë njerëzit në Turqi i ndiejnë thellësisht këto probleme.

Unë këtë e kam parë në shumë raste. Kur ndodh diçka që ju mërzit, që ju krijon probleme, të jini të sigurt se miliona njerëz në Turqi do të dalin në rrugë. Kjo është një lidhje mes zemrash, një lidhje me shkaqe të pakthyeshme dhe që kanë rrënjë historike dhe sociologjike. Kjo lidhje bën që populli turk të jetë i ndjeshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ndoshta vetëm boshnjakët janë të ngjashëm në kuadrin e politikës ballkanike. Pra, marrëdhëniet me të tjerët janë marrëdhënie strategjike ndërshtetërore. Zhvillohen mbi bazën e interesave kombëtare. Kur është fjala për ndonjë shtet tjetër ballkanik, nuk mund të shikoni reagimin e popullit turk duke dalë në rrugë. 

Ka një lloj konkurrencë në Ballkan se kush tërheq më shumë investime turke?

Marrëdhënia me Serbinë është një marrëdhënie strategjike. Në fakt është një marrëdhënie e krijuar nga Turqia për të ruajtur stabilitetin në Ballkan, në çdo aspekt të tij.  Mos e mendoni vetëm në aspektin ekonomik. Nëse politika e Serbisë zhvillohet në një mënyrë të tillë për të ndikuar negativisht në stabilitetin për shembull në Bosnje-Hercegovinë, më e dëmtuara se të tjerët është Turqia. Shikoni, Turqia është integruar me tregun europian. Shet dhe blen mallra në sasi të mëdha nga tregu europian. Pra, ka lidhje eksport/importi. Të gjithë këto mallra kalojnë nëpërmjet Serbisë. Turqia dëshiron stabilitet në Ballkan, dëshiron zhvillimin e tregtisë. Prandaj u kushton rëndësi marrëdhënieve me Bullgarinë dhe Serbinë. Por pozicioni, kuadri dhe niveli i marrëdhënies me shqiptarët dhe Shqipërinë është krejt i ndryshëm. Është një marrëdhënie mes zemrave të të dy popujve, një marrëdhënie me rrënjë historike. Për pasojë, janë të pakrahasueshme. Marrëdhënien që ka Turqia me Shqipërinë nuk duhet ta lexoni dhe nuk duhet ta vlerësoni brenda të njëjtit kuadër me atë çështjen për të cilën folët.

A mendoni se për shembull se elementet e FETÖ në Shqipëri mund të jenë një pengesë në marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të luftuar këtë problem?

Absolutisht që mund jenë një problem serioz. Organizata për të cilën fola, në emër të agjencive të shërbimit inteligjent të një ose disa shteteve, shkoi drejt  një strukture të mbuluar, të fshehtë që do të kontrollojë shtetin në Turqi. Dhe me të vërtetë, me një sukses të pabesueshëm, e çoi deri në pragun e grushtit të shtetit. Kjo është në majë të çështjeve të sigurisë për Turqinë.

Nëse një shtet, cilido qoftë, afrohet me FETO-n, ai zë vend në renditjen negative për sa i përket sigurisë së Turqisë dhe kërcënimeve ndaj saj. Nëse një shtet afrohet me FETO-n,  ai nuk mund të ndërtojë marrëdhënie të mira me Turqinë. Në renditjen për përceptimin për sigurinë e Turqisë ka dy kërcënime madhore: FETO dhe PKK. Shteti i Republikës së Turqinë, në kuptimin e sigurisë kombëtare, e shikon si kërcënim një shtet që vendos marrëdhënie të mira me FETO dhe PKK-në. Qëndrimi i atyre shteteve nuk mund të menaxhohet me metoda diplomatike. Sigurisht që do të marrë një farë kohe shpjegimi ynë për Qeverinë e Shqipërisë ose Qeverinë e Kosovës. Por këtu nuk mund të ketë mëdyshje.

Mesazhet e Kryeministrit Zotit Rama tregojnë se ai e ka kuptuar këtë. Turqia gjithmonë e deklaron se është e gatshme  ta zëvendësojë infrastrukturën  që ka ngritur kjo organizatë shumë e rrezikshme edhe për sigurinë kombëtare të Shqipërisë, në një mënyrë që të mos dëmtohet ekonomia dhe sistemi arsimor shqiptar. Jam i bindur se Turqia do të bëjë këtë.  Turqia shpjegimet e veta i bën në rrugë zyrtare. Brenda këtyre marrëdhënieve shumë të ngushta, do të eliminohen problemet dhe do të marrë fund në të gjithë Ballkanin veprimtaria e kësaj organizate. Kjo është e pashmangshme. Nuk ështe e mundur që Turqia të pranojë dikë që mendon se “Nga njëra anë, t’i vazhdoj me këta marrëdhëniet e mira të interesit, dhe nga ana tjetër ta rregulloj me Turqinë.” Turqia do të mundësojë që, pa u dëmtuar ekonomia shqiptare dhe sistemi arsimor shqiptar, të eliminojë këtë organizatë tepër të rrezikshme, e cila përbën një kërcënim të madh edhe për sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Unë nuk kam dyshim për këtë. Dhe nuk mund të mendohet ndryshe.

Profesor, disa anëtarë të FETÖ u arrestuan disa javë më parë në Kosovë. Dhe ata u ekstraduan menjëherë në Turqi. Me sa kuptuam kryeministri Haradinaj nuk kishte informacion për këtë, ndryshe nga presidenti Thaçi. Tregoi në një menyrë edhe situaten politike në Kosovë. Si u trajtua kjo çështje në Turqi?

Shikoni, çdo gjë që thashë për Shqipërinë, është e vlefshme edhe për Kosovën. Turqia për arsye historike dhe sociologjike i shikon shqiptarët si vëllezër. Pra, nuk lejon që ata të dëmtohen. Turqia e vërtetoi këtë në Luftën e Kosovës. Dhe këtu nuk është e nevojshme të jepen detaje. Në Luftën e Kosovës Turqia ka një pjesë shumë të madhe.  Edhe si vend i NATO-s në kuadrin e NATO-s, edhe në nivel të marrëdhënieve dypalëshe. Zoti na ruajtë, nuk mendoj se do të ndodhë një gjë e tillë, por  nëse do të rrezikohet sërish siguria kombëtare e Kosovës, Turqia përsëri po ashtu do të veprojë. Siguria, ekzistenca dhe mirëqenia e Kosovës dhe e shqiptarëve është shumë e rëndësishme për Turqinë. Prandaj nuk ka mundësi të kuptohet kjo çoroditje në gjirin e Qeverisë së Kosovës.

Nuk mund të bëhet fjalë që organizata e quajtur FETO të futet në një thes me shtetin e Republikës së Turqisë dhe të vlerësohet njëlloj si ai. Shikoni, po e them përsëri. Cilido që afrohet me këtë organizatë, qoftë politikan, qoftë biznesmen, qoftë çfarë të dojë, nuk është pozitiv për Turqinë. Turqia nuk mund ta vlerësojë pozitivisht atë. Sepse aktualisht kërcënimi më i madh për sigurinë kombëtare turke vjen nga PKK dhe organizata e lartpërmendur. Nëse ne do t’ua shpjegojmë mirë, nuk besoj aspak se vëllezërit në Kosovë do të mund ta mbrojnë atë.

Sepse jam i sigurt, se ashtu siç i vështrojmë ne shqiptarët, edhe shqiptarët nuk mund të jenë pjesë e një strukture që dëmton Turqinë. Domethënë nuk mund të mbështesin diçka që dëmton Turqinë. Sepse nëse Turqia dëmtohet dhe dobësohet, atëherë rrezikohet siguria edhe e Kosovës në një periudhë afatgjatë. FETO është një organizatë e krijuar dhe e përdorur nga shtetet e huaja për të dëmtuar sigurinë e Turqisë. Këtë duhet ta shpjegojmë mirë. Por Qeveria e Kosovës nuk kaloi një test të mirë për çështjen e komunikimit brenda saj. Duke folur si ekspert për këtë çështje, unë do të them se ajo e trishtoi Turqinë, e trishtoi edhe opionin publik turk dhe të gjithë e mbajtën shënim këtë. Por ne atë që ndodhi nuk e perceptuam si diçka që i përket Kosovës dhe shqiptarëve. Unë dëshiroj të them se i vlerësuam si disa reagime kalimtare të disa politikanëve të çoroditur dhe të paqartë.

Sipas Dr Alon Ben-Meir, një profesor dhe anëtar i lartë në Universitetin e Nju Jorkut, Shqipëria duhet të zgjedhë midis Bashkimit Evropian dhe Turqisë. Sipas tij, Erdogan ka vënë nën shënjestër Ballkanin gjatë viteve të fundit, të cilin ai e sheh si një “gjah të lehtë” për sferën e tij të ndikimit dhe përhapjen e axhendës së tij Islamike. Si e shihni këtë?

Absolutisht që është e gabuar. Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian vlerësohet si një ngjarje pozitive nga politika e jashtme turke. Vlerësohet si pozitive edhe nga politika ballkanike e Turqisë. Zgjerimi i Bashkimit Europian nuk është diçka negative për Turqinë. Dëshiroj të shprehem duke dhënë disa hollësira. Turqia është një ekonomi e hapur. Në Turqi ka ekonomi të tregut te lirë dhe ekonomi të lirë. Kompanitë turke janë tepër konkurruese dhe operojnë në tregun e huaj. Ballkani, qoftë për arsye gjeografike, qoftë për arsye historike, sociologjike, është një treg shumë i rëndësishëm për Turqinë. Turqia ndjen kënaqësi nga një treg ku janë zhdukur kufijtë, të çliruar nga çdo lloj destabiliteti dhe ku kompanitë turke mund të investojnë. Sepse ne kemi Bashkimin tonë Doganor me Bashkimin Europian. Ne mbështesim me gjithë zemër anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ashtu siç mbështetëm anëtarësimin e saj në NATO. Por Bashkimi Europian e ka ndalur politikën e zgjerimit. Dhe për të fshehur pak këtë, Bashkimi Europian përdor si pretekst Turqinë. Në politikën e jashtme turke nuk ka një gjë të tillë. Aktiviteti i Turqisë në Ballkan dhe vëllazëria turko-shqiptare për të cilën fola më lart duken shqetësuese për qarqet që nuk dëshirojnë fuqizimin e Shqipërisë. Për pasojë, duket shumë qartë gjurma e disa politikave që përpiqen të krijojnë distancë midis shqiptarëve dhe Turqisë me pretekstin e Bashkimit Europian. Në e kemi vënë re këtë, nuk biem në kurthe të tilla dhe nuk i lejojmë ato. Ne asnjë herë nuk i pozicionojmë marrëdhëniet tona më Shqipërinë  për t’iu kundërvënë Bashkimi Europian. Unë e di se edhe vëllëzërit tanë shqiptarë kështu e perceptojnë këtë çështje.  Prandaj nuk duhet t’ua vemë veshin thënieve të tilla. Shqipëria është në rrugën drejt Bashkimit Europian. Nëse Bashkimi Europian e hap këtë rrugë, Shqipëria të përparojë me hapa të sigurt. Mbështetësja më e madhe e saj është Turqia.

Sa i rëndësishëm ështe Ballkani për Turqinë?

Shumë i rëndësishëm. Për disa arsye është i rëndësishëm. Historikisht identiteti i Turqisë është krijuar nëpërmjet Ballkanit. Ndoshta një aspekt i identitetit turk shkon në Azinë e Mesme, por një pjesë shumë e rëndësishme e tij vjen nga Ballkani. Sepse aktualisht një pjesë e madhe e popullsisë në Turqi është me origjinë ballkanike. Mes tyre ka një popullsi shumë të madhe shqiptare, rreth 6 milionë. Gjithashtu ndërsa zvogëlohej Perandoria, edhe turqit kanë ardhur nga Ballkani. Për pasojë, kombi i sotëm turk ka një identitet ballkanik me afër 40 për qind. Prandaj për popullin turk Ballkani dhe shqiptarët janë shumë të rëndësishëm. Një arsye tjetër është fakti se pas Luftës së Ftohtë rajonët filluan të bëhen të rëndësishëm. Në ndryshim nga e kaluara, tashmë nuk do të shikojmë një sistem te vetëm botëror të globalizuar. Shikoni, Shtetet e Bashkuara të Amerikës filluan të aplikojnë taksa doganore ndaj Bashkimit Europian dhe Kinës. Politika e Amerikës duket sikur do të copëtojë pak këtë sistem global dhe institucionet që operojnë nën këtë sistem global. Tani përballë nesh dalin rajonet. Turqia shtrihet në rajone të ndryshme. Por Ballkani është një rajon shumë i rëndësishëm. Natyrshëm, për shkaqe historike, sociologjike dhe ekonomike, Turqia i kushtion shumë rëndësi Ballkanit. Nëse ka mungesë stabiliteti në Ballkan – për shembull e pamë gjatë luftës  në Jugosllavi –  ai ndikon drejtpërdrejt edhe Turqinë. Krijon një problem të madh brenda në Turqi. Ndikon negativisht ekonominë e Turqisë, ndikon negatisht politikën e brendshme të Turqisë. Populli në Turqi u thotë politikanëve: “Përse heshtni?”

Turqia është edhe shtet balklkanik. Edhe ka një popullsi të madhe të lidhur drejtpërdrejt me Ballkanin.  Gjeopolitika pas Luftës së Ftohhtë e detyron Turqinë të jetë aktive në ruajtjen e stabilitetit në Ballkan. Për këto arsye, Turqia do të kontribuojë në Ballkan, do të ndjekë një politikë pozitive, por aktive./ gsh.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit