12.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Prodhuesit gjermanë të makinerive: edhe më tej në kurs suksesi

Më të lexuarat

Reinhold Festge prodhon në Vestfali “makineritë më të mira të paketimit në botë”. Presidenti i ri i prodhuesve gjermanë të makinerive i ka vënë vetes synim, ta mbajë këtë degë në rrugën e suksesit.

Duket si një karrierë shumë normale, kur Reinhold Festge, presidenti i sapogjedhur i Shoqatës së Prodhuesve gjermanë të Makinerive (VDMA), prezantohet para të pranishmëve: “Unë vij nga Oelde në Vestfali, jam ortak me përgjegjësi personale në sipërmarrjen Haver&Boecker, prodhues makinerish. Ne prodhojmë tesute me tel special dhe natyrisht makineri për ambalazhim, mbushje dhe logjistikë për materiale si çimento, kimikate, produkte ushqimore dhe lëndë likuide.”

“Shërbim nga Vestfalia-Sukses në gjithë botën” është një moto e prodhuesit të makinerive nga Vestfalia, i cili thotë se prodhon “makineritë më të mira të ambalazhimit në botë”. Në Oelde atë e thërrasin doktor, dhe jo pa arsye. Reinhold Festge ka përfunduar studimet për mjekësi, fillimisht donte të bëhej mjek.

Si përfundon në prodhimin e makinerive një njeri i tillë? “Shumë thjesht: për shkak të martesës. Unë hyra në prodhimin e makinerive, sepse gjatë studimeve për mjekësi njoha gruan time. Atëherë isha i entuziasmuar nga mjekësia, pasi kisha një model të shkëlqyer, xhaxhain tim, i cili ishte mjek në ish-RDGJ dhe tek i cili edhe mund të punoja pjesërisht. Më vonë vjehrri më pyeti, nëse isha i gatshëm të ecja në gjurmët e tij.”

Fillimet në Brazil dhe SHBA

Fillimisht atij i duhet të tregojë veten në filialet në Brazil dhe SHBA: “Atje mësova shumë, pasi mund të bëja gabime, që në shtëpi nuk dalloheshin aq shpejt”, thotë Festge sot. Para plot dy javësh prodhuesit gjermanë të makinerive e zgjodhën atë përfaqësuesin e tyre më të lartë. Kjo i përshtatet mirë 67-vjeçarit, i cili në fund të vitit dëshiron të shkëputet nga pjesa operative e biznesit dhe do ta kalojë firmën në duart e brezit të pestë. Ai do të ketë tre vjet kohë si President i VDMA-së për ta mbajtur këtë degë të ekonomisë në kursin e suksesit.

Dhe suksesi vazhdon. Dega e prodhimit të makinerive në Gjermani është numër një në eksporte. Një në gjashtë makineri, instalime, apo komponentë të eksportuar në gjithë botën vitin e kaluar, ishte prodhim gjerman. Në 16 nga 31 nëndegët e prodhimit të makinerive prodhuesit gjermanë janë në vend të parë në rang botëror. Në nëntë nëndegë të tjera janë në tri vendet e para.

Por Kina po afrohet drejt majës: prodhuesit kinezë gjatë 2012 me një pjesë në tregtinë botërore prej plot 11 për qind, zunë vendin e tretë në klasifikimin botëror të eksportuesve më të suksesshëm të makinerive. Prodhuesit kinezë janë aktualisht në vend të parë në shtatë nëndegë.

Kundër rritjes së taksave

Në mënyrë që dega e prodhimit të makinerive të ruajë pozicionin e saj të jashtëzakonshëm, Festger do të kujdeset më fort për fushat arsimim, kualifikim dhe politikë ekonomike. “Ne do të kujdesemi që të kemi më shumë liri për veprimtarinë tonë, më pak shtet, më pak rregullim ligjor, më pak kufizime dhe ndërhyrje me rregulla.”

Nga qeveria e ardhshme gjermane ai kërkon veçanërisht maturi, sa i takon tatimit të sipërmarrjeve: “Shteti aktualisht ka të ardhurat më të larta fiskale në historinë e Gjermanisë. Nuk ka asnjë domosdoshmëri për t’i rritur ato më shumë, pasi çdo rritje e tatimeve do të thotë për sipërmarrjet e mesme pakësim investimesh. Ndërkohë investimet janë të rëndësishme, nëse duam të jemi edhe 10, 20 vitet e ardhshme motori i eksporteve të ekonomisë gjermane.”

Më shumë investime në kualifikimin profesional

Fusha e dytë, ku Festge do të punojë për garantimin e së ardhmes së degës së prodhimit të makinerive, është arsimimi dhe kualifikimi profesional: “Duhet të mbajmë parasysh piramidën e moshës në Gjermani dhe të kujdesemi që më shumë të rinj të marrin kualifikim më të mirë profesional. Të kujdesim për ruajtjen e avantazhit tonë, kureshtjen gjermane, të ecim përpara mbi bazën e sistemit dual të kualifikimit. Ky është sistemi më i suksesshëm i kualifikimit profesional në botë.”

Por kjo nuk mjafton, shpreh bindje Festge. Prodhuesit gjermanë të makinerive duhet të kualifikojnë më shumë njerëz në tregjet gjermane të eksportit, në Azi dhe Amerikë, “në mënyrë që edhe klientët tanë të kenë njerëz të kualifikuar. Duhet të kujdesemi, që klientët tanë të kualifikohen nga ne, që t’i përdorin makineritë tona në atë mënyrë, që të marrin produktivitetin, të cilin u kemi premtuar.”/dw

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit