20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Procesi i anëtarësimit të ballkanit perëndimor në BE, mos vallë në krizë?!

Më të lexuarat

Çmimi Nobel i Paqes këtë vit iu dha BE-së, që aktualisht po përjeton krizën më të madhe të ekzistencës së tij gati 60-vjeçare.

Nga arsyetimi i Komitetit të Nobelit kuptojmë se Unioni është vlerësuar i denjë për këtë çmim si rezultat i pajtimit të Gjermanisë me Francën, vendosjes së stabilitetit të demokracive në Evropën Jugore, anëtarësimit të Evropës Lindore në Union dhe perspektivës së zgjerimit drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor e Turqisë. Falë këtyre politikave, thuhet se Bashkimi Evropian ka garantuar kontribute të rëndësishme për paqen, pra në fushën e pajtimit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Por a duhet të ngjallë shpresë tek vendet e Ballkanit Perëndimor kontributi i politikës së zgjerimit në Çmimin Nobel, që iu dha BE-së?

Bashkimi Evropian ka luajtur role të rëndësishme në transformimet e realizuara në Ballkan. Brukseli fillimisht u mor me menaxhimin e krizave, ndërsa më pas i përfshiu të gjitha vendet ballkanike në procesin e zgjerimit të Unionit. BE-ja e ka theksuar në raste të ndryshme se porta e saj mbetet hapur për hyrjen e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, vendet e rajonit janë të vetëdijshme se aderimi i tyre në BE nuk varet vetëm nga ecuria e procesit të reformave, por edhe nga zhvillimet brenda vet Unionit. Kohëve të fundit mund të dëgjohen ankime se Bashkimi Evropian nuk po u kushton vëmendje të mjaftueshme vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo gjë ka ngjallur dyshime nëse do të vazhdojnë, apo jo, procesi i zgjerimit të BE-së, si rrjedhojë edhe reformat në rajon. Gjithashtu ka nga ata, që besojnë se mund të vonohet madje edhe anëtarësimi, në dukje i sigurt për nga mesi i 2013-s, i Kroacisë.

Pavarësisht pesimizmit të akumuluar lidhur me anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duket qartë se në një farë mënyre vazhdon procesi i zgjerimit të Unionit drejt këtij rajoni. Mbi të gjitha Kroacia e ka të garantuar anëtarësimin në BE. Ndërkaq, nga gjysma e 2012-s morën start edhe negociatat e anëtarësimit të Malit të Zi. Kurse në mars të këtij viti, që jemi duke lënë prapa, statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE iu dha edhe Serbisë. Komisioni Evropian për të katërtin vit radhazi propozoi fillimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë, por për shkak të problemit të emrit me Greqinë në këtë çështje nuk po mund të shënohet progres. Shumë pranë statusit të vendit kandidat duket edhe Shqipëria, e cila në dy vitet e fundit ka regjistruar disa përparime të konsiderueshme në reformat e kërkuara nga Brukseli. Nga ana tjetër, edhe pse e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, pesë vende anëtare të BE-së po kërkojnë rrugën ligjore për të bërë të mundur nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) me Kosovën. Po t’i marrim parasysh të gjitha këto, të pretendosh se procesi i zgjerimit të BE-së është në krizë do të ishte një opinion aspak realist. Por në vend të kësaj mund të themi me plot gojë se kriza ekonomiko-financiare, që këto vitet e fundit ka marrë nën ndikim Bashkimin Evropian, ka prekur gjithashtu procesin e zgjerimit dhe ky do të ishte një opinion më i drejtë.

Në bazë të statistikave më të fundit të Eurostatit, papunësia brenda Eurozonës ka arritur në nivelin rekord 11,7 për qind. Në Greqi dhe Spanjë, dy vende këto në krizë të thellë borxhesh prej tashmë tri vitesh, rreth 60 për qind e të rinjve nën 25 vjeç rezultojnë të papunë. Kjo situatë bën që Evropa të mos jetë më një simbol i shpresës. Ankthi dhe problemet, që kanë kapluar e po lëkundin fuqishëm ekonomitë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në përgjithësi dhe Eurozonës në veçanti, jo vetëm që e kanë shtytur procesin e zgjerimit jashtë përparësive të Unionit, por kanë filluar madje të shpërfytyrojnë edhe imazhin e BE-së në Ballkanin Perëndimor. “Njerëzit me gjak të ëmbël por edhe të nxehtë”, pra ballkanasit, kanë nisur të mendojnë se Bashkimi Evropian nuk jep më garanci ekonomike si dikur. Për më tepër, askush nuk është i sigurt mbi shëmbëlltyrën, që mund të ketë BE-ja pas disa vjetësh.

Faktikisht për vendet e Ballkanit Perëndimor do të ishte më mirë sikur, në vend që të vinin në dyshim procesin e zgjerimit të Unionit, të fokusoheshin në masat dhe rritjen ekonomike. Sepse ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, që gjenden përballë borxheve të larta publike, deficiteve buxhetore dhe problemit kronik të papunësisë, gjatë tri viteve të fundit thuajse nuk kanë shënuar aspak rritje. Prandaj problemet ekonomike të vendeve ballkanike renditen mes çështjeve, që i nxjerrin më tepër vështirësi qeverive të rajonit. Qytetarët ballkanas, të cilët prej vitesh kanë qenë të dënuar të jetojnë -le të themi- në kushte minimale mirëqenieje dhe me retorika nacionaliste të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me problemet politike, duken të gatshëm ta ndërpresin mbështetjen e tyre për çdo qeveri, që dështon në fushën e ekonomisë. Dhe saktësisht në këtë pikë efekti i krizën së BE-së në Ballkan mund të arrijë përmasa shumë më serioze. Krahas të drejtës për të përdorur fondet e Bashkimit Evropian, në një farë mase mund të vështirësohen edhe marrëdhëniet tregtare e financiare të vendeve të rajonit me Unionin. Veç kësaj, përgjatë disa viteve në vijim ka mjaft gjasa që vendet e Ballkanit të mos shikojnë edhe aq shumë investitorë nga BE-ja. Si përfundim, procesi i zgjerimit të Unionit do të vazhdojë padyshim edhe në të ardhmen, por vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të heqin dorë nga besimi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian do t’u japë një zgjidhje të magjishme problemeve të tyre ekonomike dhe të përqendrohen pa humbur më kohë e me seriozitet maksimal tek problemet e tyre të zhvillimit.

Autor: Dr. Erhan TYRBEDAR, specialist për Ballkanin pranë Fondacionit Turk për Kërkime mbi Politikat Ekonomike (TEPAV).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit