“Problemi më i madh për Sirinë, moçali terrorist në lindje të Eufratit”

0
64

 Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan deklaroi se aktualisht problemi më i madh për të ardhmen e Sirisë është moçali terrorist në lindje të Eufratit, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan para nisjes në New York mbajti një konferencë për media në Aeroportin Ataturk në Stamboll, ku bëri të ditur se udhëton në New York për të marrë pjesë në takimet e sesionit të 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Në fjalimim tim do të vë theksin në krizat njerëzore dhe do të bëj thirrje për gjetjen e zgjidhjeve për këto probleme që i lëndojnë thellë ndërgjegjet. Sigurisht në këtë pikë do të vëmë theksin për zhvillimet në Siri. Ka kaluar një kohë prej më shumë se 7 vitesh nga kriza në Siri por asnjë shtet nuk ka marrë përgjegjësi kaq të madhe sa Turqia, nuk e vendosi dorën nën gurë, nuk pagoi çmime sa ne. Është përgjegjësia jonë humanitare të sjellim në rend dite problemet e vëllezërve tanë sirianë dhe të përpiqemi që t’i jepet fund më kësaj masakre”, tha Erdoğan duke shtuar se:

“Aktualisht problemi më i madh për të ardhmen e Sirisë është moçali terrorist në lindje të Eufratit, i cili po rritet nën kujdesin e aleatëve. Sigurisht edhe në anën tjetër ndodhën aktet e fundit terroriste në Iran. Aktualisht ne ende nuk mund të dimë se çfarë ka apo nuk ka në përmbajtjen e tij, por duke filluar nga mbrëmë e dimë se kanë humbur jetën 29 persona dhe se ka një numër shumë të madh të të plagosurve. Në një situatë të tillë po rriten edhe më shumë ndjeshmëritë në rajon. Duke ndërmarrë hapat për zgjidhjen politike të krizës në Siri, në njërën anë, duhet të bëhen ato që duhen për shpëtimin nga ky moçal”.

Presidenti Erdoğan në New York përveç se me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres njoftoi se do të zhvillojë takime edhe me presidentë e kryeministra të shumë vendeve ndërsa në kuadër të kontakteve ekonomike bëri të ditur se do të zhvillojë takime me investitorë të SHBA-ve.

Pas vizitës së tij në New York, Erdoğan bëri të ditur se në datat 27-29 shtator, me ftesën e presidentit gjerman Frank Walter Steinmeier do të realizojë vizitë në Gjermani. Ai tha se kjo do të jetë vizita e parë shtetërore jashtë vendit pas kalimit në sistemin presidencial.

Erdoğan tha se përveç me presidentin Steinmeier, në Gjermani do të takohet edhe me kancelaren Angela Merkel si dhe me menaxherët e lartë të kompanive të mëdha gjermane që kanë investime në Turqi.

“Gjatë vizitës në Gjermani, axhenda jonë primare do të jetë që të lihet plotësisht prapa kjo periudhë e disa viteve të fundit në marrëdhëniet tona politike. Në anën tjetër do të ketë hapa që mund të ndërmarrim për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve tona ekonomike, mbi bazën e përfitimit reciprok”, tha ai

Ndërkaq në lidhje me pyetjen e një gazetari se a do të zhvillojë takim me presidentin e SHBA-ve Donald Trump në kuadër të vizitës së tij në SHBA, Erdoğan tha se “Do ta shqyrtojmë nëse vjen ndonjë kërkesë nga pala amerikane. Për momentin nuk bëhet fjalë për asgjë”.

Presidenti Erdoğan gjatë konferencës potencoi se hapja e aeroportit të ri në Stamboll do të bëhet më 29 tetor.