Privatizimit nuk i shpëton as lokaliteti arkeologjik i mbrojtur me ligj

0
48

Në bregun e majtë të Lumit të Bardhë në Fushë të Pejës zënë vend disa themele që besohet të jenë fillimet e para të qytetit të Pejës. Në po atë lokalitet zë vend fabrika e baterive industriale. Lokaliteti arkeologjik është në listën e përkohshme të trashëgimisë kulturore e hartuar nga Ministria e Kulturës. Por kjo nuk ka bërë punë që fabrika bashkë me lokalitetin arkeologjik të mos hidhet në shitje. Agjencia Kosovare e Privatizimit për të dytën herë e ka hedhur në privatizim Fabrikën e Baterive Industriale, e cila është pronë shoqërore nën administrimin e saj. Vitin e kaluar kishte dështuar ta shiste, shkruan sot “Koha Ditore”. AKP-ja nëpërmjet një tenderi ndërkombëtar ka ftuar investuesit që ta blejnë këtë fabrikë me sipërfaqe prej 14.18 hektarësh, ndërsa vetëm fabrika ka sipërfaqe prej 18,900 metrash katrorë. AKP-ja e quan këtë si lokacion strategjik me qasje në rrugë dhe hekurudhë që lidh Kosovën me tregun rajonal dhe evropian, por nuk e cek fare lokalitetin arkeologjik.

Në shtator të vitit të kaluar AKP-ja kishte hedhur në privatizim këtë fabrikë, por reagimi i institucioneve komunale e qendrore kishte bërë që fabrika të mos privatizohej.

Arkeologu Naser Ferri, që edhe vitin e kaluar kishte ngritur zërin ndaj këtij veprimi, ka thënë se privatizimi i kësaj fabrike do të shkatërronte një pjesë të madhe të lokalitetit të rëndësishëm arkeologjik.

“Një prej mundësive kishte me qenë të bëheshin gërmime sistematike dhe të krijohet një park arkeologjik”, ka thënë ai. Ferri ka bindjen se nga përvoja e deritashme me privatizim të fabrikave përfitojnë vetëm blerësit e tyre, ndërsa ish – punëtorët e ndërmarrjeve të privatizuara gjithmonë dalin humbës.

“Edhe në këtë rast, nëse lejohet privatizimi, Peja do ta humbë një margaritar të trashëgimisë edhe ashtu mjaft të shkatërruar kulturore”, ka thënë Ferri.

Përderisa gazeta nuk ka marrë përgjigje nga ana e AKP-së e as nga MKRS-ja në lidhje me këtë, i pari i Pejës, Ali Berisha, ka thënë se do të bëhet çmos që të ndalohet ky privatizim.

”Ne do t’i përdorim të gjitha mjetet legale që ajo pjesë të mos privatizohet. Por tash sa mund të ketë ndikim kjo nuk e di”, ka thënë Berisha. Sipas tij, mbrojtja ligjore që gëzon ky lokalitet arkeologjik do të duhej të ishte fakt i mjaftueshëm për AKP-në që të mos marrë këso veprimesh. Berisha thotë se shumë shpejt do të ftojë të gjitha partitë politike në Asamblenë Komunale të Pejës që të diskutohet për marrjen e disa hapave për mbrojtjen e këtij lokaliteti.

“Do të flasim edhe me AKP-në dhe me institucione të tjera për të ndalur këtë privatizim”, ka thënë Berisha.

Edhe Abdyl Hoxha, drejtor i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve në Pejë, ka bindje të njëjtë.

“Nuk duhet të privatizohet. Edhe nëse duhet, gjithsesi pjesa e lokalitetit arkeologjik nuk guxon të preket”, ka thënë Hoxha.

Sipas tij, Instituti që ai e drejton është në koordinim me MKRS-në dhe AKP-në që të gjendet një zgjidhje për mbrojtjen e këtij lokaliteti.

“Me sa e di, me aq sa kam folur me ata në MKRS-së, këtë vit kanë pasur të bëhen gërmime dhe nuk do të duhej të ndodhte nxjerrja në privatizim”, ka thënë Hoxha. “AKP-ja do të duhej të merrte mësim nga reagimi i vitit të kaluar”.

E sipas arkeologut Ferri, ky lokalitet ishte mbrojtur me ligj në vitet 60 të shekullit XX.

Ferri kujton vitin 1978, kur pushteti jugosllav – me gjithë faktin se dihej për këtë lokalitet dhe ishte i mbrojtur – kishte vendosur që aty të ndërtohet Fabrika e baterive industriale si pjesë e gjigantit “Trepça”.

Sipas tij, ai vendim kishte nxitur reagime të intelektualëve shqiptarë që u treguan pa efekt, ndërsa gjatë punimeve me rastin e hapjes së themeleve të fabrikës janë gjetur disa monumente epigrafike, si dhe gjurmët e një kompleksi të tërë arkitektonik, i cili është identifikuar si pjesë e depove “horrea”. Nga katër objekte, themelet e të cilëve ishin zbuluar në vitin 1978 , me gjithë reagimet, betoni i fabrikës kishte mbuluar tërësisht tri sosh.

“Ndërsa objekti i katërt ishte ‘konservuar’ dhe kishte mbetur në oborr të fabrikës dhe pa dyshim se kujdesi i punëtorëve e ka ruajtur deri më sot”, kujton Ferri.

Lokaliteti arkeologjik në Fushë të Pejës, në bregun e majtë të Lumit të Bardhë, i njohur edhe me emrin “Gradina”, sipas arkeologut Naser Ferri, është evidencuar shkencërisht qysh nga arkeologu anglez Arthur Evans. Ai i kishte përshkruar monumentet e gjetura në këtë vend në librin e tij “Antiquarian Researches in Illyricum” të botuar në Westminster . Në fillim të shekullit XX, respektivisht rreth vitit 1917, Ferri thotë se hungarezi Buday Arpad, i cili e përcillte ushtrinë austro-hungareze, e kishte përshkruar më detajisht e madje e kishte dhënë edhe një plan të pjesës së fortifikuar të këtij lokaliteti, të cilin deri në vitet ‘60 të shekullit të kaluar pejanët e quanin “Kalaja”. Sipas Ferrit, për këtë lokalitet kanë shkruar më vonë edhe arkeologët e tjerë në mesin e të cilëve ishte edhe Emil Çershkov, i cili kishte konstatuar ekzistencën e një vendbanimi pararomak dardan të tipit rrafshinor buzë lumit. Për shkak të numrit të konsiderueshëm të gjetjeve të artefakteve relevante, arkeologu kishte shprehur mendimin që fjala është për një municipium romak. Ferri kujton se në fillim të shekullit kaluar murgët françeskanë nga Kisha katolike e Shën Katarinës në Pejë i kishin grumbulluar një numër monumentesh epigrafike të cilat rreth vitit 1930-1931 pushteti serb i kishte transferuar në Kurshumli e Han të Shkupit.

“Ishin këto monumente të kohës romake, me tekste në gjuhën latine dhe me shumë elemente të kulturës dardane”, thotë Ferri.

Sipas tij, këto dhe gjetjet e monedhave që nga koha e perandorit Domician nga shekullit I e deri në kohën e perandorit Konstantini i Madh-shekulli IV, monumente epigrafike e gjetje të tjera dëshmojnë një vazhdimësi të jetës së qytetëruar në këtë lokalitet që nga mijëvjeçari I para erës sonë./koha/kohaislame