10 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Prishtinë, Unioni i Komunave Turke i dhuron BIK-ut automjete të veçanta për funerale

Më të lexuarat

Ndihmës sekretari i përgjithshëm i Unionit të Komunave të Turqisë, Ahmet Kazan theksoi se vendi i tij ka marrëdhënie shumë të mira me Kosovën në të gjitha sferat e jetës

 

Përfaqësuesve të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) sot u janë dorëzuar çelësat e dy automjeteve të veçanta për transportin e xhenazeve, dhuratë nga Unioni i Komunave të Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia e dorëzimit të çelësave u realizua para Xhamisë Fatih Sulltan Mehmet ose Xhamisë së Madhe në Prishtinë, në praninë e myftiut të Kosovës Naim Tërnava, ambasadores së Turqisë në Kosovë Kıvılcım Kılıç dhe përfaqësuesve të Unionit të Komunave të Turqisë dhe Gjysmëhënës së Kuqe Turke. Automjetet iu ndanë këshillit të Bashkësisë Islame të Prishtinës dhe atij të Gjilanit.

Para të pranishmive u adresua Ahmet Kazan, ndihmës sekretari i përgjithshëm i Unionit të Komunave të Turqisë, i cili theksoi se vendi i tij ka marrëdhënie shumë të mira me Kosovën në të gjitha sferat e jetës dhe se ekziston vullnet që ky është bashkëpunim institucional të rritet tutje. Kur bëhet fjalë për nivelin lokal të bashkëpunimit, tha ai, ngjarja e sotme tregon një angazhim serioz për bashkëpunim edhe më të ngushtë.

“Pjesë e bashkëpunimeve të ndryshme që kemi me institucionet e këtij vendi, është edhe kjo dhuratë në formën e dy automjeteve nga institucionet tona për institucionin tuaj. Me shpresë që këto automjete t’ju shërbejnë për nevojat tuaja dhe që marrëdhëniet tona vëllazërore gjithmonë të lulëzojnë dhe të arrijnë suksese edhe më të mëdha, shpreh kënaqësinë time për këtë ceremoni”, tha Kazan.

Ai theksoi se 35 komuna janë binjakëzuar me komuna të Kosovës dhe se ka vullnet për të rritur këtë numër.

Ismail Hakkı Turunç, zëvendësdrejtor i Gjysmëhënës së Kuqe Turke, tha se midis Turqisë dhe Kosovës ekziston respekt reciprok dhe afërsi e madhe. Ai shprehu kënaqësinë që në Kosovë shohin praninë e institucioneve turke, siç janë ambasada, TIKA, Instituti Junus Emre dhe AA.

“Ky donacion i automjeteve për funerale filloi disa vite më parë me ndarjen e 18 automjeteve të tilla në Bullgari. Ai pastaj vazhdoi me Malin e Zi, Sanxhakun, Bosnjën, ndërsa edhe në Mamushë më herët kemi dhuruar një automjet, tani ndamë dy dhe do të vazhdojmë më tej”, tha Turunç.

Ndërkaq, ambasadorja Kılıç theksoi se përmes këtij projekti reflektohet afërsia dhe vëllazëria ndërmjet dy popujve.

“Ky projekt ka të bëjë me automjete për funerale. Kur ndodhin funeralet, janë ngjarje të vështira për familjen, dhe ky lloj i shërbimit që do të ofrohet duhet të lehtësojë gjendjen e njerëzve në kohë të vështira”, tha Kılıç.

Nga ana tjetër, Myftiu i Kosovës Naim Tërnava ka shprehur falënderime në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe xhematit për popullin dhe qeverinë turke për mbështetjen dhe ndihmën që i ka dhënë Kosovës në të gjitha fushat në rrugën e saj të gjatë drejt pavarësisë. Ai tha se Turqisë i falënderohet jo vetëm për këto automjete, por edhe për ndërtimin e xhamisë së re në Prishtinë, e cila do të jetë më e madhja në Ballkan.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit