Prishtinë, TIKA ndihmon poliklinikën “Human Care” me pajisje mjekësore

0

Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, në fjalën e saj gjatë ceremonisë theksoi se këto ndihma janë një reflektim i dashurisë që ka Turqia për Kosovën dhe popullin e saj

PRISHTINË (AA) -Sot në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, u organizua ceremonia e përurimit të pajisjeve mjekësore të dhuruara nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) për poliklinikën specialistike të organizatës “Human Care”, raporton Anadolu Agency (AA).

TIKA me këtë projekt poliklinikës në fjalë i ka dhuruar një karrige stomatologjike, një pajisje ultrazëri dhe kompjuterët që nevojiten për repartet e kardiologjisë, gjinekologjisë, stomatologjisë dhe për mjekësinë interne.

Organizata “Human Care”, e cila është aktive që nga periudha e pas luftës në Kosovë, me anë të poliklinikës specialistike ofron shërbime mjekësore për të gjithë qytetarët me çmime shumë të ulëta ne stomatologji, gjinekologji, mjekësi interne, kardiologji, kirurgji, laboratori dhe pediatri.

Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, në fjalën e saj gjatë ceremonisë theksoi se këto ndihma dhe përkrahja janë një reflektim i dashurisë që ka Turqia për Kosovën dhe popullin e saj. Ajo nënvizoi se përkrahja e shtetit dhe popullit turk do të vazhdojë edhe në të ardhmën sepse sipas saj qëllimi kryesor i përkrahjes së Turqisë është që populli i Kosovës të jetojë në rrethana të zhvilluara ekonomikisht si dhe të arrijë zhvillimin e duhur në fushën e shëndetësisë dhe edukimit.

“Ne së bashku me institucionet tona do të ofrojmë përkrahje të vazhdueshme që Kosova dhe populli kosovar do të ketë nevojë në çdo sferë gjatë rrugëtimit të saj për një të ardhme më të ndritshme. Sot dua të theksoi se jam shumë e lumtur që TIKA po e ndihmon një shoqatë e cila është duke ofruar shërbime të rëndësishme në fushën e shëndetësisë”, tha ambasadorja Kılıç.

Ndërsa, drejtori i poliklinikës, Agim Qehaja, gjatë fjalimit të tij duke falënderuar popullin dhe shtetin turk për ndihmat bujare që janë duke i ofruar popullit kosovar, tha se “Human Care” që nga themelimi ka ofruar shërbim mjekësor për afro 500 mijë pacientë. Ai theksoi se si rezultat i ndihmave të TIKA-s do të përmirësohet cilësia e shërbimeve të poliklinikës dhe do të kenë mundësinë që të shtojnë numrin e shërbimeve të dhëna.

“Sot kemi bërë përurimin e donacionit të dhuruar nga TIKA, që jashtëzakonisht e kanë lehtësuar punën e stafit tonë në dhënien e shërbimeve mjekësore të cilat do të jenë në shërbim të qindra e mijëra pacientëve”, tha Qehaja.

Edhe koordinatori i TIKA-s në Kosovë, Hasan Burak Ceran, i cili ishte i pranishëm në këtë ceremoni duke falënderuar organizatën “Human Care” për shërbimet që është duke iu ofruar në fushën e shëndetësisë tha se: “TIKA do të vazhdojë t’i realizojë projektet e saj në Kosovë në fushën e shëndetësisë”.