14.1 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

Prishtinë, Instituti “Yunus Emre” ndau certifikata për pjesëmarrësit në kurset e gjuhës turke

Më të lexuarat

PRISHTINË (AA) – Instituti “Yunus Emre” sot në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, ndau certifikata për 48 pjesëmarrësit e kurseve të gjuhës turke në këtë institut, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e ndarjes së certifikatave për 48 nga gjithsej 84 pjesëmarrës të cilët kanë përfunduar kursin e gjuhës turke e pranishme ishte edhe ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Kosovë, Mehmet Ülker, mësimdhënësit e këtij instituti si dhe pjesëmarrësit e kursit të Institutit “Yunus Emre” nga Medreseja “Alauddin” në Prishtinë.

Ambasadorja Kılıç përgëzoi të gjithë pjesëmarrësit të cilët morën certifikatat sot me ç’rast tha se dashamirësit e gjuhës turke në këto kurse kanë krijuar një miqësi shumë të mirë. Ajo shprehu dëshirën që me anë të dashurisë për gjuhën turke të rritet kjo miqësi dhe familje e krijuar nga Instituti “Yunus Emre” edhe në të ardhmen.

“Ju në këtë shtet, në Kosovën e bukur shumëetnike dhe shumëkulturore me anë të kësaj miqësie jeni duke i forcuar edhe lidhjet me komunitetin turk në Kosovë të cilët gjuhën turke e kanë gjuhë amtare. Këtë dashuri të cilën e ndjeni ndaj gjuhës turke do të ndihmojë në zhvillimin e kulturës së paqes në këtë shtet”, tha Kılıç.

Ndërsa, drejtori i Institutit “Yunus Emre”, Mehmet Ülker gjatë fjalës së tij tha se që nga viti 2011 deri më tani 1.488 pjesëmarrës kanë kryer kursin e gjuhës turke me sukses në këtë institut dhe në Medresenë “Alauddin” në Prishtinë.

Ai bëri të ditur se kurset po vazhdojnë në tre qendrat e institutit në Prishtinë, Prizren dhe Pejë. Ülker tha se pjesëmarrësit janë duke u certifikuar në nivelet A1-2, B1-2 dhe C1-2 ku shumica prej tyre kanë certifikata nga secili nivel i kursit.

“Këtë vit si familje e Institutit ‘Yunus Emre’ kemi rritur numrin e pjesëmarrësve në kurse të gjuhës turke në 48.5 për qind dhe kjo do të thotë se ka kërkesë të madhe për këto kurse. Numri i pjesëmarrësve është 700 në tërë Kosovën. Angazhimet tona për hapjen e kurseve të tilla në tre ose katër qytete të tjera po vazhdojnë. Shpresojmë se do t’i hapim pasi të përfundojnë përgatitjet”, tha Ülker.

Pas ceremonisë së certifikimit, ai tha se do të bëjnë edhe mbjelljen e pemës së miqësisë e cila do të jetë simbol i pesë viteve të suksesshme të kursit të gjuhës turke në këtë qendër si dhe në tabelë të pemës do të shënohen emrat e pjesëmarrësve të parë të gjuhës turke.

“Ne me anë të mbjelljes së kësaj peme tregojmë rëndësinë e vazhdueshmërisë së miqësisë në mes të pjesëmarrësve në këtë kurs, vazhdueshmërinë e dashurisë që ata e kanë për ‘Yunus Emre’-n dhe Turqinë si dhe dëshirën tonë për zhvillimin e një kulture mbrojtëse ndaj natyrës”, tha Ülker.

Pas ndarjes së certifikatave pjesëmarrësit e kursit organizuan një program ku shprehën mendimet e tyre rreth mësimit të gjuhës turke në këtë institut ndërsa disa prej tyre lexuan poezi në gjuhën turke. Në fund të programit u bë edhe mbjellja e pemës së miqësisë nga ambasadorja Kılıç dhe drejtori i Institutit “Yunus Emre”, Ülker.

Kujtojmë se Instituti “Yunus Emre” në qendrën e tij në Prishtinë përveç kurseve të gjuhës turke organizon edhe kurset e çiftelisë, bakllamas, udit, të gjuhës osmane si dhe të korit të grave të muzikës turke dhe shqipe.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit