9.4 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Prishtinë, fillon java e shëndetësisë kosovaro-turke

Më të lexuarat

Ministri Rahmani: “Prania e mjekëve nga Turqia në Kosovë do të kontribuojë në shkëmbimin e përvojave, jo vetëm në punë praktike por edhe në atë profesionale

PRISHTINË (AA)-Bazuar në marrëveshjen e bashkëpunimit mes Qeverisë së Republikës së Kosovës me Qeverinë e Republikës së Turqisë, sot në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës filloi java e shëndetësisë kosovaro-turke, raporton Anadolu Agency (AA).

Me rastin e fillimit të kësaj jave, e cila organizohet për herë të katërt me radhë, në QKUK u mbajt një konferencë për media, ku morën pjesë ministri i Shëndetësisë, Imet Rahmani si dhe zv/ministri Kadir Hyseini, ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor, Klinik Universitar të Kosovës (SHKUK), Curr Gjocaj, përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë dhe të mjekëve të ardhur nga Turqia, Dr. Öner Güner si dhe mjek dhe ekspertë të shëndetësisë nga këto dy shtete.

Gjatë fjalimit të tij, ministri Rahmani tha se prania e mjekëve nga Turqia në Kosovë do të kontribuojë në shkëmbimin e përvojave, jo vetëm në punë praktike, por edhe në atë profesionale. Sipas tij pacientët do të kenë përfitimin më të madh të këtij bashkëpunimi. Ai po ashtu bëri të ditur se së shpejti në Turqi për trajnim do të shkojë grupi i katërt i stafit emergjent dhe falënderoi Ambasadën e Turqisë në Prishtinë për mbështetjen në fushën e shëndetësisë.

Nga ana e saj, ambasadorja Kılıç tha se me organizimin e kësaj jave po shtohet edhe një hallkë në zinxhirin e bashkëpunimit me shtetin mik të Kosovës. Ajo po ashtu vuri në dukje se Turqia do të vazhdojë ta mbështesë shëndetësinë e Kosovës, sikurse edhe fushat tjera, që ky vend ta vazhdojë zhvillimin e mëtutjeshëm dhe ta marrë vendin e meritueshëm në arenën ndërkombëtare. Duke njoftuar për bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë, ambasadorja tha se çdo vit në Turqi dërgohen 100 pacientë për t’u shëruar, si dhe njëzet mjekë të emergjencës për t’u trajnuar.

Kurse Dr. Öner Güner, duke i përcjellë përshëndetjet e ministrit turk të Shëndetësisë, Recep Akdağ, bëri të ditur se në tre javët e shëndetësisë kosovaro-turke të mbajtur deri më tani, janë zhvilluar 228 operacione dhe se janë ekzaminuar 936 pacientë. Sipas tij edhe pse ka pacientë të shumtë që trajtohen në Turqi, organizimet e tilla po ndihmojnë qytetarët e Kosovës të cilët nuk kanë mundësi për të shkuar në këtë shtet.

Në kuadër të kësaj jave, e cila do të vazhdojë deri më 26 shkurt ekspertët e shëndetësisë nga Turqia, bashkë me mjekët specialistë vendorë , krahas vizitave dhe ndërhyrjeve kirurgjike të ndërlikuara për pacientët kosovarë, me qëllim të mbështetjes së shëndetësisë kosovare do të zhvillojnë edhe ligjërata, seminare dhe diskutime të niveleve profesionale shëndetësore.

Në vitin 2016, në kuadër të kësaj 27 mjekë të Turqisë kishin realizuar 122 operacione së bashku me homologët e tyre kosovarë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit