7.2 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Prishtina s’sheh lidhje mes zgjidhjes për veriun e hyrjes në OKB

Më të lexuarat

Qeveria e Kosovës nuk i ka kundërshtuar bisedimet me Beogradin për veriun, por ka mohuar që rezultati i tyre do të mund të ndikonte, qoftë për të mirë a po për të keq, në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, të dielën, nuk ka dashur që të shihte lidhje midis bisedimeve për veriun e Kosovës dhe anëtarësimit të Kosovës në OKB, shkruan koha.
“Ne nuk e kemi menduar këtë çështje. Nuk është çështja e veriut, e tërësisë territoriale, e kufijve dhe e sovranitetit temë e diskutimit në tavolinë me askënd dhe as lloj i pazarit politik”, ka thënë ai, edhe pse ditë më parë nuk i pati kundërshtuar sugjerimet e ndërkombëtarëve që për veriun të bisedohet me Serbinë.
Ky qëndrim i zëvendëskryeministrit ka ardhur të njëjtën ditë kur Beogradi po përpiqet të përforcojë pozicionin e tij karshi Kosovës.
Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, ditë më parë ka paralajmëruar hartimin e një platforme për bisedime me Kosovën dhe se në bisedime do t’i ftojë edhe Kombet e Bashkuara.
“Do t’i mbledhë politikanët, intelektualët, përfaqësuesit e Kishës, dinjitarët që të hartojmë një platformë të përbashkët në përputhje me Kushtetutën dhe në interes të qytetarëve të Serbisë”, ka thënë Nikoliq. Për dallim prej strukturave të mëhershme udhëheqëse në Serbi, ai nuk e ka përjashtuar ndërhyrjen me forcë nëse autoritetet e Prishtinës synojnë të shtrihen në veri.
“Nëse ndokush e sulmon dhunshëm veriun e Kosovës duhet ta ketë parasysh se edhe Serbia mund ta ndjekë të njëjtën rrugë për ta kthyer Kosovën. Pra, kush është ai që në një rast e justifikon forcën e në tjetrin jo”, është shprehur Nikoliq.
Ndërkaq, presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Vuk Jeremiq, ka deklaruar këtë muaj se kërkesa e Kosovës për anëtarësim në OKB gjatë kohës së kryesimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së do të ishte një akt provokimi i pakuptimtë të cilin ai nuk do ta lejonte.
“Derisa Serbia të kryesojë KB-në, e kjo do të ndodhë gjatë vitit në vijim, kjo do të mund të ndodhë vetëm mbi mua të vdekur”, ka thënë Jeremiq.
Ai ka dashur të besojë që Prishtina as që do ta bëjë një kërkesë të tillë ku do të lypte anëtarësimin në OKB.
Mirëpo Jeremiq, lidhur me qëndrimet rreth bllokimit të Kosovës në raport me anëtarësimin në OKB, ka marrë përgjigje nga Kuçi.
“Deklarata e Jeremiqit është deklaratë e kohës së luftës së ftohtë dhe e mentalitetit të Millosheviqit. Fati i Kosovës për askund e as në OKB nuk varet nga Serbia”, ka thënë Kuçi.
“Angazhimet tona janë me partnerët tanë ndërkombëtarë, ndërsa Serbia me siguri se do të jetë spektatore në atë ngjarje kur Kosova do të anëtarësohet në OKB”./Indeksonline/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit