Prishtina bëhet me bibliotekë moderne në shtator

0
48

Ndërtesa e re i bibliotekës “Hivzi Sylejmani” do të vihet në funksion tek në shtator të këtij viti. Punët për ndërtimin e saj tashmë kanë marrë fund, ndërsa shumë shpejt Komuna e Prishtinës pritet të shpallë tender për inventarizimin e saj. Për ta mbushur me libra do të kërkohet ndihmë edhe nga ambasadat e donatorë të ndryshëm. Përveç lexuesve – rreth 5 mijë metra katrorë të bibliotekës së re moderne do t’i hyjë në punë edhe komunitetit artistik. Një sallë për koncerte kamertale, me kapacitet prej 150 vendesh është pjesë e këtij objekti.

Në hapësirën prej 30 arësh, në lagjen “Dardania”, afër shkollës fillore “Xhemail Mustafa” të kryeqytetit, objekti i ri i bibliotekës “Hivzi Sylejmani” është sistemuar në tri kate. Dy salla të mëdha të leximit secila me kapacitet prej rreth 300 vendesh, një sallë për tryeza e konferenca shkencore janë hapësira të tjera që janë përfituar nga kjo ndërtesë. Depot e librit do të jenë të standardeve evropiane, ndërsa rëndësi i është dhënë edhe pjesës së stafit e administratës. Krejt kostoja e këtij objekti, të cilat Komuna e Prishtinës i ka ndarë për dy vjet është 2,5 milionë euro.

Valbona Shujaku, drejtoreshë e sektorit të kulturës në Komunën e Prishtinës, ka thënë se punët në ndërtimin e objektit thuajse kanë përfunduar, ndërsa shumë shpejt pritet që të shpallet tenderi për inventarizimin e këtij objekti.

“Plani është që ajo të përurohet në shtator të këtij viti”, ka thënë Shujaku. “Ajo që planifikojmë ne si zyrë është që përveç fondit tonë për librin, të kërkojmë edhe nga ambasadat e huaja, nga botuesit dhe nga donatorë të tjerë, në mënyrë që të kemi një fond sa më të madh dhe llojllojshmëri të librave”, ka shtuar ajo.

Sipas Shujakut, meqenëse Biblioteka ka hapësira mulifunksionale, ku do të mbahen edhe koncerte të ndryshme, e aktivitete tjera. Sipas saj edhe librat aty duhet të jenë më të përgjithshëm dhe më të llojllojshëm që prekin më shumë fusha.

Aktualisht Biblioteka e qytetit të Prishtinës ka në fondin e vet më shumë se 100 mijë ekzemplarë librash. Pjesa më e madhe e tyre do të “shpërngulet” në godinën e re. Derisa në Komunën e Prishtinës premtojnë se do të rritet fondi për librin, i cili këtë vit ka qenë 30 mijë euro, do të bëhet një marketing i fuqishëm nëpër ambasada që të pajiset me literaturë të huaj.

Biblioteka qendrore aktuale e “Hivzi Sylejmanit” do të mbetet vetëm njëra nga degët e këtij institucioni. Në kuadër të bibliotekës funksionon dega në Pallatin e Rinisë, në Bardhosh, Llukar, Hajvali, Slivovë, Keqekollë, Koliq e Kishnicë. Prijësit e bibliotekës mezi presin të dalin në objektin e ri.

“Për ne që punojmë aty është shumë e rëndësishme, sepse aktualisht punojmë në kushte që nuk i plotësojnë as nevojat elementare”, ka thënë Hyseni. “Por nga kjo ndërtesë do të përfitojnë në radhë të parë lexuesit”. Hyseni ka thënë se është i gëzuar që do të dalin në ndërtesën e re. Për librat thotë se asnjëherë nuk thonë se kanë mjaft, por presin që ta pasurojnë fondin e tyre.

“Na dhurojnë edhe qytetarët dhe ne i kemi ato evidenca”, ka thënë Munishi. Fundi prej 30 mijë librash që Grupi KOHA nëpërmjet Bibliotekës Kombëtare Universitare të Kosovës kanë mbërritur edhe në “Hivzi Sylejmani”.

“Një pjesë të madhe e kemi pasur, por tash e kemi kompletuar me të gjitha botimet. Realisht ato janë libra shumë të kërkuar”, ka thënë Munishi.

Drejtues të Bibliotekës së qytetit të Prishtinës, kanë bindjen se objekti i ri do të rrisë interesimin për lexueshmëri tek qytetarët e Prishtinës. Ndërsa zyrtarë të Komunës së Prishtinës presin që bibliotekën e re ta shfrytëzojnë së paku 250 deri në 300 lexues në ditë. Me ndërtimin e kësaj biblioteke pritet që do të plotësohen deri në 90 për qind e nevojave të lexuesve, për shkak se biblioteka do t’i ketë tri salla të leximit me mundësinë e shfrytëzimit të fondeve të saj. Për ndërtimin e objektit i ri i bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, arkitektët e saj, në krye me Nafije Gashin, kishin marrë model bibliotekat moderne të qyteteve të Splitit, Shibenikut e të Zarës. Trendi i bibliotekave më të reja është kur lexuesit vetëshërbehen e nuk presin para sportelit për të marrë një libër. Projekti përfshin salla për lexim të qetë, mediatekën për të rinj, kinotekën, dhe hapësira tjera të shfrytëzueshme./koha/kohaislame