PRINDËRIT NDËRMJET RESPEKTIT DHE ARROGANCËS

0
23

Dr. Shefqet Krasniqi 

Një konflikt i para pak ditëve në Kosovë, epilog tragjik i të cilit ishte vrasja e dy vetave, baba dhe vëlla të dorasit, jo vetëm që tmerroi shoqërinë dhe u bë lajm dhe bisedë e javës, porse shtroi edhe pikëpyetje të shumta para një numri të madh çështjesh që kanë të bëjnë me shoqërinë.

Çfarë është duke ndodhur në vendin tonë?

Cili është orientimi i kësaj kulture, apo ku na shpie ajo?

Ç’fat do të kemi ne kur të plakemi, do të respektohemi nga pasardhësit tanë apo do të mbarojmë në shtëpi pleqsh?

Sa respektohen prindërit sot?

Ku apo cilat janë shkaqet që, pa dashur të paragjykojmë për rastin në fjalë, bëjnë që prindi, njeriu, respektin e të cilit feja e sjell në rend të dytë, menjëherë pas respektit për Allahun, vritet qoftë edhe për një copë toke djerrinë?

Ajo që më bën të vuaj më shumë është se kjo temë (mos respektimi i prindërve) është duke u konceptuar çdoherë e më shumë si pjesë e kulturës moderne, apo më thjesht, është duke u trajtuar si “normale.” Janë mësuar tashmë me perëndimin, i cili është përplot shtëpi pleqsh ngase fëmijët nuk kanë kohë t’i përkushtohen prindërve të tyre. Njëherë një djalosh gjerman erdhi në Kosovë dhe gjatë bisedës më tha: ‘Unë në shtëpinë time kam nënën të shtyrë në moshë për të cilën përkujdesem. Por e tërë shoqëria ime më përqesh dhe më thonë pse nuk po e dërgon në shtëpi të pleqve, sepse shteti e ka për detyrë të kujdeset ndaj të vjetërve e jo fëmijët, andaj mos humb kohë me të.’

Subhanallah! Çfarë zamani ka ardhur për njerëzimin!

Ne si popull jemi shquar për tradita dhe kulturë, pjesë qenësore e të cilave ka qenë patjetër edhe respekti dhe nderimi i prindërve. Jemi edukuar në frymën e respektit për nderimin e tyre, për dëgjueshmërinë ndaj tyre dhe përfilljen e këshillave dhe porosive të tyre. Nuk kemi ngritur zërin ndaj tyre dhe nuk ia kemi toleruar vetës hidhërimin me ta, pavarësisht situatave dhe gjendjeve. Babai ka qenë njeriu më i madh në tokë, fjala e të cilit nuk është kthyer mbrapsht. Urdhri i tij duhej të shkonte në vend. Bile ka qenë e njohur se edhe nëse babai e rrah djalin e tij burrë të martuar nuk është marre, se lëre më me i bërtit apo me e qortuar. Dhe krejt kjo kulturë e edukatë e shqiptarëve të vjetër ka qenë rezultat i besimit të tyre, ka qenë kulturë e tyre fetare dhe islame, e cila me shekuj e ka ruajtur familjen, e ka ruajtur shoqërinë, e ka ruajtur kombin.

Po të nderuar, prindi ka një tretman të veçantë, ka një shkallë shumë të madhe dhe të veçuar nga çdo njeri tjetër. Kështu Zoti ka dashur e ka urdhëruar. Ai e ka bërë respektin e prindit paralel me respektin ndaj Lartmadhërisë së Tij duke thënë: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve…” (el-Isra:23)

E fakti se pas urdhrit për ta adhuruar vetëm Atë, ka radhitur respektin ndaj prindërve jep me kuptuar se çfarë rëndësie ju ka kushtuar. Bile respektin ndaj prindërve apo të fituarit e kënaqësisë së tyre e ka bërë kusht për kënaqësinë e Vet ndaj robit të tij, siç ka thënë Muhamedi a.s. “Të fituarit e kënaqësisë së Allahut, është në të fituar të kënaqësisë së prindërve. Dhe hidhërimi i Allahut është në hidhrim të prindërve”.

Zakonisht, fitimi i kënaqësisë së prindit arrihet kur ai të plaket, lodhet dhe ka nevojë për përkujdesjen e fëmiut të tij. Për këtë arsye thotë Kur’ani: “Nëse njërin prej tyre (prindërve), ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of – oh”, as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta, respektuese).” (el-Isra:23)

Kështu, nëse është haram që prindit ti thuhet “of” në shenjë pakënaqësie, atëherë a thua si qëndron puna e atij që i bërtet prindit, pastaj atij që e qet prindit jashtë shtëpie, e mos të flasim për atë që e rrah prindin apo e vret, Allahu na ruajt! Mos respekti ndaj prindit është shenjë e arrogancës, është shenjë se mileti është prishur, është shenjë e kiametit. Zaten pa u prish mileti nuk bëhet kiameti.

Mos respekti i prindit në njëfarë mënyre është edhe rezultat i përkujdesjes së prindit ndaj fëmijës së tij në aspektin e kulturës, edukimit, etj. Disa djem të rinj më ndalen në xhami e më pyetën për rastin e fundit në komunën e Deçanit, sesi është e mundur që fëmija të shtij dorë në prindin e tij?! Unë iu thash, ndër shumë faktorë të mundshëm, është edhe ai se disa prind nuk e kanë dert a e ushqejnë familjen e tyre me hallall apo me haram. E si të jetë barku i mbushur me haram, veshmbathja me haram, atëherë edhe fëmijët kanë me dal haram. Pastaj edukata jo e mirë, mos lidhja e fëmijëve me Zotin xh.sh. Të gjitha këto dhe të tjera ndikojnë shumë që fëmija mos ta ketë dert babanë e tij, bile më shumë të kujdeset për ndonjë mik apo shok që ka interes të dynjasë prej tij sesa për babanë e tij.

Andaj, të nderuar, nëse nuk angazhohemi të gjithë së bashku për ta ruajtur pozitën dhe vlerën e prindit tek fëmijët dhe pasardhësit tanë, me siguri se dikur do të na kushtoj shtrenjtë, siç është duke ju kushtuar pleqve perëndimorë.

Ne kemi qenë me fat që kemi këtë fe, respekti për prindër në të cilën është vërtet i një rëndësie të madhe, andaj ta lusim Allahun që të na ruajë këtë fe dhe këto tradita e këtë kulturë. Këtu po ndahemi me këtë temë tepër prekëse dhe të ndjeshme për tu takuar serish javën tjetër, inshallah. Deri atëherë selam alejkum!/krenaria/kohaislame