4.7 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Presion mbi Rusinë për të ndërprerë lidhjet me Assadin

Më të lexuarat

Ministrat e Jashtëm të Grupit të Vendeve më të Industrializuara (G7) janë mbledhur në Itali për bisedime që pritet t’i dominojë lufta civile në Siri.
Sulmi i dyshuar kimik, javën e kaluar, ka rritur veçanërisht zemërimin ndërkombëtar me regjimin e presidentit sirian, Bashar al-Assad.
Në takimin dyditësh në Luka të Toskanës, minsitrat pritet të dalin me një qasje të përbashkët për konfliktin dhe të diskutojnë mënyrat për presion mbi Rusinë, në mënyrë që kjo e fundit t’i ndërpresë lidhjet me presidentin sirian.
Duke folur para takimit, sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson, tha se do të disktohen sanksione të mundshme kundër zyrtarëve ushtarakë sirianë dhe rusë.
“Mesazhi që do të dërgojmë te rusët është shumë, shumë i qartë: a duan t’i ngjiten atij regjimi toksik, a duan përjetësisht të lidhen me atë njeri që helmon popullin e tij”, tha Johnson, duke iu referuar presidentit sirian, Assad.
Johnson tha se “është koha” për presidentin rus, Vladimir Putin, që të përballet me të vërtetën e, siç u shpreh, “tiranit që e mbështet”.
G7-ën e përbëjnë Shtetet e Bashkuara, Japonia, Gjermania, Britania, Italia, Franca dhe Kanadaja.
Në diskutimet për Sirinë, në një sesion të veçantë të martën pritet të marrin pjesë edhe ministrat e Jashtëm të Turqisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Arabisë Saudite, Jordanisë dhe Katarit.
Takimi në Itali vjen pasi një sulm i dyshuar kimik, i kryer nga forcat e Assadit, ka lënë të vrarë mbi 80 veta në qytetin Khan Sheikhoun të provincës Idlib.
Rusia, e cila i ka dhënë Assadit mbështetje të rëndësisme diplomatike dhe ushtarake gjatë luftës gjashtëvjeçare civile në Siri, thotë se gazi toksik është lëshuar pasi sulmet e forcave qeveritare kanë goditur një depo të armëve të rebelëve.
Ky vlerësim është hedhur poshtë nga Shtetet e Bashkuara dhe të tjerë.
Në përgjigje të sulmit të dyshuar kimik, dy luftanije amerikane kanë hedhur 59 raketa Tomahawk në një bazë ajrore në Siri, më 7 prill.
Ka qenë hera e parë që Uashingtoni ka ndërhyrë drejtpërdrejt kundër forcave të Assadit.
Përpara takimit të G7-ës, sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, shfrytëzoi një ceremoni në Memorialin e Luftës së Dytë Botërore në Itali për të deklaruar se SHBA do të ngrihet kundër agresorëve që dëmtojnë civilët.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit