13.7 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Presidenti Ivanov priti në takim Sekretarin shtetëror të Vatikanit, Parolin

Më të lexuarat

SHKUP (AA) – Presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov, priti sot Sekretarin shtetëror të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Siç thuhet në komunikatën e Presidencës, në takim është biseduar për marrëdhëniet gjithpërfshirëse bilaterale mes Maqedonisë dhe Selisë së Shenjtë, si dhe për nismat rrjedhëse në drejtim të thellimit të bashkëpunimit të ndërsjellë.

Presidenti Ivanov, në këtë takim, shprehu kënaqësinë e realizimit të vizitës së kardinalit Parolin në Maqedoni, në vitin e shënimit të jubileut të rëndësishëm, 1100 vjetorin e vdekjes së nxënësit të Shën Qirilit dhe Metodit dhe Shën Klimentit të Ohrit.

“Vizita e juaj, jo vetëm që më mundëson t’ua kthejë mikpritjen e shkëlqyer, e cila m’u ofrua gjatë vizitës time zyrtare në Vatikan gjatë vitit të kaluar, por paraqet edhe një lloj konfirmimi për lidhjen e fuqishme, respektin e ndërsjellë dhe miqësinë e sinqertë mes Republikës së Maqedonisë dhe Selisë së Shenjtë”, tha presidenti Ivanov.

Në kumtesë më tej thuhet se, presidenti përshëndeti vendimin e Vatikanit për shpalljen e Nënës Terezë për Shenjtore, duke theksuar se ky akt është me rëndësi të veçantë dhe rëndësi historike për Maqedoninë dhe theksoi se vendi ynë do të përfshihet në shënimin e Kanunizimit të Nënës Terezë me më shumë aktivitete.

Njëherit, presidenti shprehu falëndrim për vendosjen e pllakës përkujtimore në nder të Shën Qirilit dhe Metodit në bazilikën e Shën Maria Maxhore ne Romë. Më tej thuhet se, “duke potencuar faktin se shteti ynë ka një traditë të thellë të respektimit të ndjenjave të ndryshme fetare, presidenti Ivanov theksoi bashkëpunimin e frutshëm me Kishën Katolike dhe rolin e saj si shtyllë të bashkë-ekzistimit ndërkombëtar dhe ndërfetarë”.

Në fund thuhet se, presidenti Ivanov shfaqi shpresën se Papa Françesku do ta pranojë ftesën për vizitë në Maqedoni, gjë që do të ishte me rëndësi të madhe për avancimin e marrëdhënieve bilaterale, për Kishën Katolike në Maqedoni dhe në përgjithësi për të gjithë besimtarët krishterë.

Më herët kardinali Parolin u takua edhe me kryetarin e qeverisë për zbatimin e zgjedhjeve Emil Dimitriev, me ç’rast u tha se Maqedonia dhe Vatikani ndajnë vlera të përbashkëta shpirtërore dhe kulturore të cilat paraqesin urë mes dy vendeve, ndërkaq marrëdhëniet bilaterale janë të shkëlqyera por ekziston mundësi për avancimin e tyre në sferën e kulturës, shkencës dhe shëndetësisë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit