20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Praktikat e gabuara në Kuvend

Më të lexuarat

Situatat, të cilat sjellin deri te braktisja e Kuvendit të Kosovës nga ana e opozitës, gjë që ka ndodhur javën e kaluar, e dëmtojnë demokracinë e brishtë në vend, vlerësojnë analistët e çështjeve politike. Shkaku i fundit për largimin e opozitës nga Kuvendi, ka qenë Projektligji për bankat dhe institucionet mikrofinanciare, për të cilin opozita ka kërkuar të hiqet nga rendi i ditës.

Analisti Halil Matoshi, thotë se koalicioni qeveritar i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re, pasi që e sheh si të mjaftueshëm numrin e deputetëve të vet në Kuvend, në vazhdimësi e imponon miratimin e ligjeve me procedurë të shpejtë, pa krijuar një konsensus të gjerë.

Mungesa e këtij konsensusi, sipas tij, ka krijuar situatën që opozita ta braktisë Kuvendin.

“Opozita, detyrimisht, është dashur që ta braktisë një mënyrë të tillë të punës dhe në këtë rast, sidomos shkak ka qenë Ligji për Hoçën e Madhe dhe Ligji për bankat dhe mikrofinancat. Për këtë të fundit, ç’është e vërteta, askush nuk e ka sqaruar në detaje se çfarë do të duhej ose cila është alternativa. Mirëpo, sa i përket Ligjit për Hoçën e Madhe, objektivisht, është shkelur edhe Ligji mbi pushtetin lokal dhe është cenuar Kushtetuta e vendit. Prandaj, unë mendoj se opozita këtë ligj duhet ta çojë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”, thotë Matoshi për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, analisti Ardian Arifaj nga Instituti kosovar për hulumtimin dhe zhvillimin e politikave, KIPRED, thotë se bojkoti është formë radikale e zgjidhjes së problemeve.

Kjo, sipas Arifajt, ndodhw sidomos në rastin e tanishëm, ku partitë opozitare e shohin veten të pafuqishme që përmes prezencës së tyre, të merren vendime që ata i konsiderojnë për të mirë të Kosovës.

“Në Kuvendin e Kosovës kemi parë disa praktika, me të cilat ligjet janë miratuar me të shpejtë, pa u studiuar mirë dhe më së shumti dukë iu ‘falënderuar’ shumicës – më saktësisht, presionit që shumica ka pasur mundësi që të bëjë mbi deputetët e vet. Më e mira do të ishte që të ketë më shumë debat, t’iu iket këtyre praktikave të miratimit të ligjeve pa debat të mirëfilltë dhe kur themi debat, ky vërtet të merret me interesin e Kosovës dhe jo votimet të jenë në vija partiake”, vlerëson Arifaj.

Ndryshe, përfaqësuesit e opozitës në Kosovë kanë deklaruar se nuk do të kthehet në Kuvendin e Kosovës përderisa shumica të mos ndryshojë mënyrën e miratimit të ligjeve, të cilësuar si urgjente nga Qeveria, e cila është sponsoruese e tyre.

Por, analistët vlerësojnë se e gjithë kjo situatë nuk pritet se mund të krijojë krizë parlamentare në vend.

“Aktualisht, koalicioni qeveritar i ka numrat në Kuvendin e Kosovës. Madje, kryeministri i vendit, me takimin e fundit që po e realizon në Amerikë me presidentin amerikan Barack Obama, duket se po i forcon pozicionet dhe këta numra, si duket, nuk do të lëvizin. Mirëpo, kjo në esencë e dëmton rëndë demokracinë e vendit dhe në njëfarë mënyre, po del se koalicioni qeveritar po ushtron presion dhe kontroll mbi punën e lirë të deputetit të zgjedhur me votën e drejtë për drejtë”, thotë Matoshi.

Analisti Arifaj, thotë se situatat që sjellin bojkotin e Parlamentit nga opozita, janë të dëmshme dhe partitë politike në Kosovë shembuj të ngjashëm mund të shohin edhe në vendet fqinje.

Sido që të jetë, analistët vlerësojnë se e gjithë kjo situatë do të tejkalohet, qoftë për shkak se në to mund të implikohen faktorët ndërkombëtarë, qoftë edhe për shkakun se Kosova po kalon nëpër një proces, i cili i obligon partitë politike parlamentare që të krijojnë konsensusin e nevojshëm për tejkalimin e problemeve. 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit