14.1 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

Policia Turke vazhdon trajnimet për Policinë e Shqipërisë

Më të lexuarat

TIRANË (AA) – Policia e Turqisë vazhdon kurset e trajnimit për oficerët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë dhe të drejtorive vendore në fusha të ndryshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Trajnimi i fundit është realizuar për hetimin kundër krimit të organizuar, ndërsa sot është organizuar në Akademinë e Sigurisë në Tiranë ceremonia e ndarjes së certifikatave për punonjësit e Policisë së Shqipërisë që kanë ndjekur këtë trajnim. Në aktivitet ishin të pranishëm përfaqësues të Ambasadës së Turqisë në Shqipëri, të Akademisë së Sigurisë në Tiranë dhe përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Turke.

Gül Sarıgül, këshilltare pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë gjatë fjalës në aktivitet theksoi se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë të mbështetura në një miqësi të vjetër gjithmonë po zhvillohen akoma më shumë në të gjitha fushat.

“Kemi një angazhim të gjithanshëm dhe të ngushtë me të gjitha institucionet shqiptare. Specialistët që erdhën nga Turqia ishin të përgatitur dhe kanë treguar përvojën e tyre më të mirë në këtë fushë. Jam e sigurtë që kjo përvojë e tyre do të pasqyrohet më së miri në dhe do të jetë e dobishme. Organizimi i kurseve të tilla fuqizon edhe më tepër marrëdhëniet midis Drejtorisë së Policisë së Turqisë dhe Drejtorisë së Policisë së Shqipërisë”, theksoi Sarıgül.

Zëvendësdrejtori i Akademisë së Sigurisë në Tiranë, Artan Shkëmbi, gjatë fjalës së tij u ndal tek bashkëpunimi dhe mbështetja që Turqia i ka dhënë Policisë së Shqipërisë në trajnimin e punonjësve të saj. Ai theksoi se njohuritë e marra në këtë trajnim për hetimin kundër krimit të organizuar do të jenë të dobishme për punën e përditshme të oficerëve të policisë shqiptare të trajnuar nga kolegët turq.

Ndërsa Fatih Akcaglayan, përfaqësues nga Drejtoria e Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë Turke theksoi se përsa i përket trajnimit ishin pesë ditë intensive. Ai shtoi se “Në fushën e trajnimeve do të ketë edhe shumë gjëra të tjera për t’u realizuar dhe ky trajnim është vetëm fillimi. Dëshiroj që kolegët shqiptarë të vijnë për trajnime në Turqi, për çështje të ndryshme, edhe për çështjet e luftës kundër terrorit dhe kundër krimit organizuar. Si drejtori e përgjithshme e policisë jemi të gatshëm për të ofruar çdo ndihmë”, u shpreh Akcaglayan.

Pjesë e trajnimit të organizuar në datat 5-10 nëntor ishin punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë dhe të drejtorive vendore, që merren me hetimin kundër krimit të organizuar.

Kujtojmë se në shtator të këtij viti oficerët e antiterrorit të Policisë së Shqipërisë janë trajnuar nga kolegët e tyre të Drejtorisë së Antiterrorit të Policisë së Turqisë, në lidhje me “informimin për terrorizmin dhe parandalimin e akteve terroriste”, ndërsa trajnimet në këtë fushë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit