4.7 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Policia nuk guxon ta arrestojë nipin e deputetit, dhunuesin brutal të gruas

Më të lexuarat

Këtë javë u shfaqën në internet pamjet shqetësuese, ku nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja rrihte e shqelmonte brutalisht një grua të pambrojtur, për minuta të tëra, përpara Spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë. Nga ana tjetër, sipas raportimeve në media, policia e gjendur aty nuk ndërhyri.

Një raport i djeshëm i Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KSHH) hedh një dritë për të mos u pasur zili mbi (mos)reagimin e policisë, duke e shfaqur edhe njëherë realitetin në Shqipëri të kapur nga një sistem drejtësie të bazuar te klasa: ata që kanë lidhje me politikanë apo biznesmenë nuk i prek ligji, ndërsa shqiptarët e zakonshëm ligji i shtyp me gjithë forcën e vet.

Sipas KSHH-së, një personi me inicialet R.Rr, i identifikuar në media si nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja, iu afrua një grua duke e sharë, me ç’duket nën efektin e alkoolit. Pas kësaj, shpërtheu dhuna mbi gruan, video të së cilës u shpërndanë në internet. KSHH vëren se deri një javë pas, policia nuk dha njoftim për ngjarjen, megjithëse ishin vetë oficerët e policisë që e çuan gruan në urgjencë dhe megjithëse familjarët e saj e lajmëruan policinë.

Po ashtu, R.Rr. nuk u arrestua në momentet që po ushtronte dhunë, megjithëse më vonë policia e mori në komisariat për një deklaratë. KSHH deklaroi se:

“Është e paqartë se përse një shtetas që ushtron dhunë brutale në ambientet publike i referohet organit procedues për kundravajtje penale, për më tepër në kushtet kur viktima, në trupin e së cilës ndodhen shenjat dhe pasojat e dhunës është larguar dhe nuk është bërë as ekspertimi mjeko-ligjor i saj.”

KSHH më tej zbuloi se viktima e dhunës u mbajt në spital e lidhur në pranga, në shkelje të plotë të ligjit shqiptar dhe të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Ky rast i dhunës nga nipi i deputetit socialist Rraja është shumë i ngjashëm me rastin e mëhershëm të djalit të tij. Këtë të fundit, një grua e akuzoi për përdhunim dhe rrëmbim, por policia nuk i dha mbrojtje asaj dhe nuk e arrestoi apo hetoi djalin e deputetit. Në vazhdën e propagandës djallëzore të menduar mirë, Kryeministri Rama përdori vetëm gra të Partisë Socialiste për ta mbrojtur të akuzuarin, si dhe deputetët dhe kryebashkiakun e akuzuar për përfshirje në mbulimin e rastit.

Pasi më në fund ky u arrestua për “përndjekje”, pas presionit të madh mediatik, i akuzuari nxori në pah dimensionin politik të krimit të tij. Në sallën e gjyqit, ai tha: “Lulzim Basha ta provojë në zgjedhje!”. Ndërkohë, gazetari Basir Çollaku, që shkroi për rastin dhe për përpjekjet e Partisë Socialiste për ta mbuluar ngjarjen, u kërcënua.

Në të dyja rastet e nipit dhe djalit të deputetit është e qartë se policia nuk veproi ndaj anëtarëve të familjes së një deputeti të partisë në pushtet. Rezultati i këtij qëndrimi tregon se sistemi i drejtësisë në Shqipëri bazohet te klasa. Në këtë sistem, shqiptarët e thjeshtë trajtohen ndryshe nga ata që kanë lidhje me pushtetin. Ky është tregues i korrupsionit të thellë të policisë dhe shtetit shqiptar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit