Policia dhe “nëntoka” festojnë bashkë Krishtlindjet ortodokse në veri (Video)

0
180

Disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës të rajonit të Veriut, duke përfshirë edhe struktura të larta udhëheqëse, kanë festuar Krishtlindjet ortodokse bashkë me një pjesë të njerëzve të krimit në atë pjesë të vendit tonë, bënë të ditur KosovaPress.

Festa e përbashkët e policëve të Kosovës me ‘nëntokën’ është mbajtur të mërkurën rreth orës 14:00 në kafeterinë ‘Kafe-Kafe’ në veri të Mitrovicës, pronar i së cilës është Cojo Jakshiq, bashkëpunëtor i ngushtë i kapos së krimit në veri, Zvonko Veselinoviq.
(Në video shihet Jakshiq duke kënduar në këmbë, ka fanellë të zezë dhe duke duartrokitur. Kamera e afron me zoom gjatë videos).

Pamjet që janë postuar në profilin e Marko Kisiq në Facebook, i cili është pronar i Kompanisë së sigurimit fizik ‘Soko’ që operon në veri të Mitrovicës, dëshmojnë atmosferën festive të pjesëtarëve të policisë bashkë me ata të krimit, ku veç tjerash shihen armë dhe këndohet për Kosovën, si djep të Serbisë.

KosovaPress e ka regjistruar këtë video në Facebook-un e Kisiqit, video të cilën pas një kohe jo të gjatë, Kisiq e ka fshirë nga profili.

Në këto pamje shihet Millan Ristoviq, shef i Njësisë së hetimeve të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut (vj. Në video është personi i ulur me fanellë të zezë, shihet duke pirë birrë me shishe. Kamera e fokuson saktë përballë), duke qëndruar në të njëjtën tavolinë me Vlladan Radovanoviq, i cili njihet si personi që kontrollon kontrabandën me pije në tërë territorin e veriut, si dhe njerëz tjerë të krimit.

Ndërsa personi që shihet duke mbajtur armën në dorë është Goran Milivojeviq, rreshter në kufirin e Bërnjakut tek Zubin Potoku (vj. Në video shihet me armë në dorë).

KosovaPress ka provuar të kontaktojë drejtorin e Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Nenad Gjuriq, për të marrë një deklaratë rreth kësaj çështje, por ai nuk e ka hapur telefonin.

E njëjta ka ndodhur edhe me zëvendësin e tij, Besim Hoti.