10.6 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Planin për rrëzimin e Milosheviqit e udhëhoqi Montogomery: Ajo që ndodhi në Kosovë, ishte vazhdim i Vukovarit

Më të lexuarat

Në Londër më 2002 ka dalë nga shtypi libri “Milosheviqi” i gazetarit dhe i publicistit britanik Adam LeBor, korrespondent shumëvjeçar i “Independent”-it dhe i “Times”-it nga territoret e ish-Jugosllavisë. “Kosova për Milosheviqin, për dallim nga Kroacia e nga Bosnja, ishte paksa më ndryshe. Ekzistonte një lidhje e caktuar emocionale ndërmjet tij dhe Kosovës. Por, mbetet enigmë shumë e madhe ajo se çka mendoi të arrijë Milosheviqi në Kosovë, më 1999”, thotë autori i këtij libri. Telegrafi më poshtë ju sjell shkrimin e vitit 2002, të publikuar në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”, përkitazi me këtë vepër.

Mënyra se si punoi ambasadori amerikan në Zagreb, Uilliam Montogomeri (William Montgomery), nga zyra e tij në Budapest për rrëzimin e Slobodan Milosheviqit është vetëm një nga episodet interesante të librit “Milosheviqi”, që këto ditë doli në Londër, e shkruar nga gazetari dhe publicisti britanik Adam LeBor, libër ky që me të drejtë meriton epitetin e biografisë së parë autoritative të vozhdit serb e jugosllav. Kjo vepër, e botuar nga shtëpia botuese “Bloomsbury”, bëhet edhe më aktuale nga fakti se protagonisti i saj aktualisht ndodhet në Tribunalin e Hagës, i akuzuar për krime të luftës në ish-Jugosllavi.

LeBor, i cili gjatë kohës së luftërave në ish-Jugosllavi raportoi për mediat britanike “Independent” dhe “Times”, përshkruan detajisht mënyrën se si i nisi Milosheviqi katër luftëra me radhë – nëse llogaritet edhe episodi i shkurtër slloven – përshkruan edhe mënyrën se si arriti ai të manipulojë mediat dhe t’i japë flakë nacionalizmit serb, por edhe si nisi fushatën e përgjakshme të pastrimit etnik duke filluar që nga Kroacia, përmes Bosnjë-Hercegovinës e deri në Kosovë. Diplomatët, politikanët dhe emisarët ndërkombëtarë e trajtuan si bashkëbisedues kyç, derisa me Kosovën nuk shkoi tepër larg. Atëherë erdhën bombat, pastaj ndodhi rrëzimi i regjimit të Milosheviqit dhe – drejt e në Hagë.

Shumë nga detajet dihen që nga herët, por LeBor depërton prapa skenës dhe zbulon detaje të reja. Pas bisedës me bashkëpunëtorët më të afërt të Milosheviqit, me familjen e tij, por edhe me politikanët perëndimorë, LeBor na e jep një pasqyrë e cila nuk dallon shumë nga ato që diheshin për diktatorin e Beogradit. Por, libri, në asnjë moment dhe pa asnjë dozë mëdyshjeje, na e paraqet mu atë si fajtorin kryesor për mënyrën e përgjakshme të shkatërrimit të ish-Jugosllavisë.

LeBor përshkruan edhe depërtimin e gangsterizmit në jetën e përditshme në Serbi, pastaj përshkruan rrënjët historike të nacionalizmit serb, si dhe ngadalësinë me të cilën populli serb sot pranon pjesën e vet të përgjegjësisë për atë që ndodhi në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë.

Autori transmeton detaje të takimeve sekrete mes Slobodan Milosheviqit dhe Franjo Tugjmanit, për të cilin thotë se ishte partner i Milosheviqit në ndarjen e Bosnjës. Por, nëpër tërë librin, fajtor kyç na del “Slloba”.

Është e pamundshme të shpjegohet e gjithë vepra e LeBorit, e ngjeshur me fakte, e cila numëron më shumë se 300 faqe, por është e rëndësishme të përmendet vetëm një nga vinjetat e shumta. Për Medlin Ollbrajtin (Madeleine Albright), autori thotë se ka bërë luftë me Riçard Hollbrukun (Richard Holbrooke) rreth politikës në ish-Jugosllavi.

“Asaj nuk i interesonte të pinte viljemovkë me Slobodan Milosheviqin, e as të shkojë me të, përmes grafikës kompjuterike, në turne nëpër Bosnjë”, thotë LeBor, duke treguar se si kishte vendosur, me një rast, shefja amerikane e Stejt Departmentit: “Po e bëjmë publikisht të ditur se Milosheviqin nuk e shohim në ardhmëri”.

U vu në lëvizje plani për rrëzimin e tij. Me këtë plan dirigjohej nga Zyra për punë jugosllave në Budapest dhe me këtë zyrë udhëhiqte Uilliam Montogomeri.

Plani i Perëndimit ishte që të shtojë trysninë ndërkombëtare ekonomike dhe politike mbi regjimin e Beogradit, zbulon LeBor, derisa nuk u rrëzua ky regjim. “Marrëveshjet sekrete të arritura me armatën jugosllave, me policinë, me shërbimet e spiunimit dhe me forcat speciale, siguronin që kur Milosheviqi të thërrasë për ndihmë, ato të mos i përgjigjen thirrjes”, përshkruan autori britanik.

Me rastin e botimit të librit “Milosheviqi”, LeBor më 29 tetor 2002 dhe këtë intervistë për “Veçernji list”:

* Çka ju shtyri të shkruani libër për Slobodan Milosheviqin?

– Në vitet e ’90-ta isha korrespondent nga Kroacia, nga Bosnja dhe nga Jugosllavia dhe raportoja për luftërat. Kudo që shkoja, parqitej emri i tij. Desha të di më shumë për këtë njeri dhe të hulumtoj jetën e tij. Gjithashtu, më interesonte shumë ish-Jugosllavia – qytetet Osjek, Sarajevë dhe Beograd lanë gjurmë të thella në mua – dhe dëshiroja t’i kuptoja shkaqet e luftërave. Në fillim të viteve të ’30-ta u linda në Britani të Madhe, ku edhe jetoj, prandaj nuk mund të besoja se në një shtet modern evropian po bëhej luftë. Vriteshin njerëzit, granatoheshin qytetet, familjet mbeteshin pa kulm mbi kokë, u bënë krime, ndërsa bota qëndronte anash pa ndërmarrë asgjë.

* Milosheviqi ka thënë se në bankën e dëshmitarëve në Hagë do të ulë edhe shumë politikanë perëndimorë për të dëshmuar rreth marrëveshjeve që kanë bërë me të prapa perdes. Na duket se Tribunali i Hagës nuk e dëshiron shumë këtë punë?

– Me sa kuptoj unë, Hagës i intereson shumë që politikanët perëndimorë të dëshmojnë kundër Milosheviqit. Po flitet se atje mund të shkojë edhe emisari amerikan Riçard Hollbruk, ndërsa unë e di se atje kanë dëshmuar Klaus Nojman (Klaus Naumann), gjeneral gjerman që mori pjesë në bombardimet e NATO-s kundër Serbisë, pastaj Pedi Eshdaun (Paddy Ashdown). Por, mënyra se si u sollën politikanët perëndimorë me Milosheviqin ishte hipokrite. Ai trajtohej si kështjellë e çfarëdo marrëveshjeje ballkanike për paqe. Ai trajtohej si pjesë e zgjidhjes e jo si pjesë e problemit. Ajo që ndodhi në Kosovë ishte, praktikisht, vazhdim i politikës e cila kishte filluar qysh në Vukovar, e bile edhe para kësaj – më 1991 – me politikën e pastrimit etnik. Është e pazakontë që ai me vite të tëra u konsiderua si partner për dialog, e pastaj u bombardua dhe u burgos, ndonëse politika e tij në esencë mbeti e njëjtë gjatë gjithë dekadës.

* Në librin tuaj thoni se Milosheviqi është një nga simptomat e jo shkak i nacionalizmit serb, i cili sinonimizohet edhe me memorandumin e ASSHA, e qoftë edhe me idetë e Ilija Garashaninit?

– Milosheviqi sinonimizon një mënyrë të caktuar të të menduarit brendapërbrenda historisë serbe, ai është ndërlidhur me të. Por, secili lider, sidomos në vendin çfarë ishte Jugosllavia, me institucione të brishta, me ministri të dobëta dhe me media të paafta, deri në masë të caktuar mund ta orientojë vendin në drejtimin që do ai. Ai dhe regjimi i tij – sepse nuk ishte fjala vetëm për një njeri, aty ishte edhe armata, shërbimet e sigurimit, policia dhe forcat e tjera – morën vendim që vendin ta orientojnë drejt nacionalizmit. Ai nacionalizëm mbështetej në mendjen serbe të shekullit XIX.

* Më ka lënë përshtypje të madhe fakti që në libër keni arritur të botoni deklaratën e një anëtari anonim të shërbimit sekret serb, i cili dëshmon se qysh në fund të viteve të ’80-ta në Serbi kanë ekzistuar plane për sulm mbi Kroacinë, për shkatërrimin e plotë të Osjekut, për depërtimin deri në Zagreb, për kalljen e të gjitha maleve në Dalmaci. Qëllimi ishte të dëboheshin kroatët, me qëllim që serbët ta pushtonin Kroacinë. A dini gjë më shumë për këtë çështje?

– Atë dëshmi e kishin incizuar të tjerët për mua dhe kjo ishte e tëra që dëshironte të deklaronte personi i përmendur.

* Vëzhgues të shumtë mendojnë se Milosheviqi në të vërtetë nuk ishte nacionalist, por oportunist. Në librin tuaj ju keni konstatuar të njëjtën gjë – së paku sa i përket qëndrimit të tij ndaj Kroacisë dhe Bosnjës. Por, pohoni se Kosova për të ishte diçka tjetër dhe shumë personale. Në ç‘mënyrë?

– Sa i përket Bosnjës dhe Kroacisë, Milosheviqi e shfrytëzoi nacionalizmin për qëllime të vetat. Dëshmi për këtë është ajo që u ndodhi serbëve të Kroacisë nga Krajina, nga të cilët ngriti duart plotësisht – bile as nuk u kërcënua se do të përdor forcën për t’i mbrojtur ata. Në masë të caktuar, njësoj ndodhi edhe në Bosnjë, nëse e shikoni Republikën Serbe, nga e cila gjithashtu në masë të caktuar Milosheviqi ngriti duart në Dejton. Por, sipas mendimit tim, Kosova ishte paksa më ndryshe. Ekzistonte një lidhje e caktuar emocionale ndërmjet tij dhe Kosovës. Në Kosovë, ai, për herë të parë zbuloi forcën e nacionalizmit serb, më 1987, ndërsa më vonë, më 1989 në Gazimestan, edhe forcën më të madhe të këtij nacionalizmi. Edhe pse Milosheviqi është politikan shumë cinik e jo nacionalist i dëshmuar, ai megjithatë është serb, e për shumë serbë Kosova është çështje shumë emocionale. Mbetet enigmë e madhe se çka mendoi ai të arrijë në Kosovë, më 1999. Në Evropën moderne është vështirë të paramendosh dëbimin e qindra-mijëra njerëzve vetëm pse ti dëshiron kështu.

* A e keni takuar ndonjëherë personalisht Milosheviqin?

– Jo, por kam biseduar me gruan e tij.

* Si do ta kishit vlerësuar librin tuaj për Milosheviqin?

– Jam munduar shumë të jem sa më objektiv. Nuk ishte qëllim imi demonizimi i Milosheviqit, i Tugjmanit dhe i askujt tjetër, por vetëm të rrëfej në mënyrë sa më korrekte. Kujtoj se kjo do të ndihmojë që të sqarohet ky episod i historisë – me qëllim që njerëzit në Serbi të mund të kuptojnë se çfarë ka ndodhur në Kroaci e në Bosnjë nën Milosheviqin, ndërsa njerëzit në Kroaci të kuptojnë se çfarë ka ndodhur në Bosnjë dhe në Herceg-Bosnjë dhe cili ishte roli i Tugjmanit në gjithë këtë. Në masë të caktuar, më të vogël pra, edhe sllovenët ndoshta mund të kuptojnë se çfarë ndodhi për shkak të vendimit të tyre që të shpallin pavarësinë derisa ende nuk kishin përfunduar negociatat për zhbërjen e Jugosllavisë.

* Sipas mendimit tuaj, a janë të gatshëm sot njerëzit në Serbi të ballafaqohen me rolin vetanak në ngritjen e Slobodan Milosheviqit, por edhe me faktin se ata e përkrahën Milosheviqin në luftërat kundër shteteve fqinje?

– Ajo që ka ndodhur po pranohet ngadalë, shumë ngadalë. Francës iu deshën 50 vjet të plota për të filluar në mënyrë të ndershme hulumtimin e ngjarjeve gjatë kohës së nazistëve dhe gjatë regjimit të Vichyjevskit – ndërsa Milosheviqi nuk është në skenë vetëm tash e dy vjet. Mendoj se duhet të kalojë edhe shumë kohë për këtë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit