12.6 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Pikëpamje mbi dhunën

Më të lexuarat

Çka nxit publikun për pranimin dhe refuzimin e sulmeve ndaj civilëve 10 vjet pas 11 shtatorit

Që nga sulmi terrorist i 11 shtatorit, shkencëtarët e sjelljeve shoqërore dhe ekspertët anti-terror janë munduar të kuptojnë çfarë provokon dikë që qëllimisht të marrë jetët e njerëzve të pafajshëm. Dekori fetar i qëndrimit publik të Alkaides shtyri shumë analistë të kërkojnë përgjigje në mësimet islame. Disa analistë, madje, argumentuan se një rishikim i përgjithshëm i teologjisë muslimane është mënyra e vetme për ta mposhtur ekstremizmin.

Provat empirike paraqesin një tjetër imazh. Analiza e Gallup sugjeron se identiteti personal dhe shkalla e devotshmërisë fetare kanë të bëjnë shumë pak me pikëpamjet personale mbi shënjimin e civilëve. Sipas studimit më të madh global të llojit të vet, që përfshin 131 vende, zhvillimi njerëzor dhe qeverisja – jo devotshmëria fetare apo kultura – janë faktorët më të fuqishëm në shpjegimin e dallimeve në atë se si publiku percepton këtë lloj dhune.

Implikimet e këtyre zbulimeve mbi politikën publike janë mjaft domethënëse. Studimi sugjeron se, për të shtuar refuzimin publik të shënjimit të civilëve, udhëheqësit do të bënin mirë të fokusoheshin më shumë në edukim dhe në përgjegjësinë e qeverisë dhe shumë më pak në ideologjinë fetare.

Zhvillimi Njerëzor dhe Stabiliteti Shoqëror Është i Lidhur me Refuzimin Publik

Para se t’i kthehemi fesë për të shpjeguar pranimin e dhunës nga ana e publikut, analiza e Gallup sugjeron që udhëheqësit të kenë konsideratë ndaj zhvillimit shoqëror, ekonomik, dhe qeverisjes më të mirë. Mënyra se si mendojnë individët për dhunën ndaj civilëve, qoftë kjo e bërë nga ushtria, qoftë nga një individ a një grup i vogël individësh, ndërlidhet drejtpërsëdrejti me zhvillimin dhe stabilitetin e shoqërisë më gjerë. Mirëpo, analistët e Gallup nuk mundin ta përcaktojnë kahun e marrëdhënies shkak – rezultat nga kjo lidhje.

Matja e Qëndrimeve Publike Rreth Shënjimit të Civilëve

Analistët e Gallup u rrekën ta matnin opinionin global rreth shënjimit të qëllimshëm të civilëve nga shteti apo nga protagonistë joshtetërorë dhe marrëdhënien që ka kjo me treguesit e pavarur më parë sesa ta definonin “terrorizmin”. Konventa e Gjenevës e vitit 1949, e cila ka të bëjë me mbrojtjen e civilëve, informoi anketimin tonë rreth sulmeve ushtarake ndaj civilëve. Raporti i Departamenti Shtetëror i Shteteve të Bashkuara mbi Modelet e Terrorizmit Ndërkombëtar1 shërbeu si udhëzues joni për matjen e qëndrimeve publike ndaj dhunës individuale apo të grupeve të vogla që kanë si synim civilët. Është me rëndësi të theksohet se pyetjet trajtojnë veçanërisht “shënjimin” e civilëve, jo thjesht vetëm viktimizimin e paqëllimtë si dëm kolateral.

Shkencëtarët e Gallup kërkuan nga njerëzit të zgjidhnin mes refuzimit të plotë të shënjimit të civilëve si “në çdo rast i pajustifikueshëm” (“never justified”) dhe pranimit me kusht të kësaj taktike si “nganjëherë e justifikueshme” (“sometimes justified”). Ky thjeshtëzim e bën më të lehtë bërjen e të njëjtës pyetje globalisht.

Anketimet vijuese, të bëra në tërë botën, ofrojnë një bazë për analizën e Gallup lidhur me qëndrimin publik ndaj sulmeve të qëllimta ndaj civilëve. Përgjatë raportimit, Gallup i referohet “sometimes justified” si “publik tolerance” (toleranca publike) dhe “public acceptance” (pranimi nga ana e publikut).

Disa njerëz mendojnë se … (lexo A – B). Cili është mendimi juaj? (Intervistuesi: Lexo me zë vetëm “never justified” dhe “sometimes justified”. “Depends” (varet) është vullnetare).

  1. Në çdo rast i pajustifikueshëm (never justified)
  2. Nganjëherë i justifikueshëm (sometimes justified)
  3. Varet (Depends)
  4. Nuk e di (Don’t know)
  5. S’dua të përgjigjem (Refused)

A. Për ushtrinë nganjëherë është e justifikueshme t’i shënjojë dhe t’i vrasë civilët, kurse të tjerët mendojnë se ky lloj dhune nuk është i justifikueshëm në asnjë rast.

B. Për një individ apo një grup të vogël individësh nganjëherë është i justifikueshëm shënjimi dhe vrasja e civilëve, kurse të tjerë mendojnë se ky lloj dhune s’është i justifikueshëm në asnjë rast.

Analistët e Gallup testuan marrëdhënien mes shkallës ku popullata thotë se këto sulme janë “nganjëherë të justifikueshme” (sometimes justified) dhe një numri treguesish individualë dhe gjetën se matjet e zhvillimit njerëzor dhe të stabilitetit shoqëror janë të lidhura ngushtë.

graf-1

Toleranca Publike për Sulme në Civilë Lidhet me:

  • Zhvillim të Ulët Njerëzor: Në vendet me zhvillim më të ulët të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), gjasat janë më të mëdha që njerëzit të thonë se sulmet individuale dhe ushtarake ndaj civilëve janë të justifikueshme nganjëherë. Kjo sugjeron se zhvillimi njerëzor është një levë e një politike të fortë, të cilën udhëheqësit duhet ta përdorin për të ulur rrezikun e trazirave shoqërore më parë sesa të shqyrtojnë sjelljen fetare apo normat shoqërore. Vlen të përmendet se përqindja e GDP-së së popullit të përkushtuar ndaj edukimit po ashtu ka të bëjë me pranimin e ulët publik të sulmeve individuale ndaj civilëve, gjë që shpjegon edhe më tej rëndësinë e zhvillimi njerëzor në sqarimin e shkallëve të ndryshme të mbështetjes publike të sulmeve ndaj civilëve.
  • Jostabiliteti Shoqëror: Hulumtimi i Gallup tregon se shkallët e larta të pranimit publik të sulmeve ndaj civilëve ndërlidhen me trazirat shoqërore dhe me jostabilitetin kombëtar, çka vë në pah rëndësinë e kësaj matjeje të perceptimit të shëndetit shoqëror. Ndonëse në përgjithësi sa më shumë që vendi vuan nga moszhvillimi shoqëror, nga qeverisja e keqe dhe nga mungesa e stabilitetit, aq më pak ka gjasa që publiku t’i refuzojë sulmet ushtarake ndaj civilëve si të pajustifikueshme, ka përjashtime të konsiderueshme. Për shembull, Amerika, Izraeli dhe Zelanda e Re kanë një shkallë të lartë të stabilitetit dhe të zhvillimit njerëzor, por banorët e tyre më së shumti në botë i shohin sulmet ushtarake ndaj civilëve si të justifikueshme nganjëherë. Ky është një kujtues i rëndësishëm për atë se, ndërsa kjo analizë ofron një pasqyrë të qartë për ndjenjat e publikut rreth dhunës shtetërore dhe joshtetërore, kjo s’mund t’i shpjegojë të gjitha dallimet.
  • Pasuria e Ulët Kombëtare: Banorët në vendet më të pasura në përgjithësi janë të prirë më shumë sesa ata në vendet e varfra që t’i refuzojnë sulmet individuale ndaj civilëve. Kontrasti më i madh në këtë rast vërehet mes Egjiptit, një vend me të ardhura të ulëta, dhe Libanit, ku banorët, me gjasë, do të thonë se këto sulme nuk janë të justifikueshme në asnjë rast. Në anën tjetër të spektrit, Singapori, një vend më të ardhura të larta, është ndër 10 vendet kryesore ku banorët, me gjasë, do të thonë se sulmet individuale janë të justifikueshme nganjëherë. Pasuria ndërlidhet me refuzimin e sulmeve individuale ndaj civilëve, jo me sulmet ushtarake ndaj civilëve.
  • Qeverisja e Dobët: Përgjegjësia e dobët qeveritare, transparenca e ulët, dhe liria e pakët ndërlidhen me tolerancën e lartë publike ndaj sulmeve individuale në civilë, por jo dhe ndaj sulmeve ushtarake në civilë. Kjo tregon se publiku me më pak autoritet janë të prirë ta shohin dhunën si të justifikueshme nganjëherë për grupet sub-nacionale (grupe brenda popullit të veçuara nga kultura a ndonjë interes tjetër veç varësisë administrative). Besimi i pakët në qeveri mund ta bëjë popullatën ta shtrijë këtë pranim deri te sulmet ushtarake ndaj civilëve, çka mund të shpjegojë arsyen përse s’ka lidhje mes qeverisjes dhe pikëpamjeve publike rreth veprimeve të zyrtarëve të mbrojtjes kombëtare.

Toleranca Publike ndaj Sulmeve Individuale apo Ushtarake Nuk Është e Lidhur me:

  • Normat Shoqërore Liberale: Toleranca publike ndaj sulmeve individuale në civilë nuk është e lidhur me normat shoqërore siç maten nga treguesit e jashtëm të barazisë gjinore. Ndërsa barazia gjinore mund të jetë një rezultat pozitiv në vetvete, prova nuk mbështet pohimet e popullarizuara se shoqëritë konservatore kanë më shumë simpati ndaj dhunës.

Toleranca Publike ndaj Sulmeve Ushtarake në Civilë Nuk Është e Lidhur me:

  • Harxhimet Ushtarake: Lidhjet që analistët nuk i gjetën, qenë pothuaj po aq të rëndësishme sa edhe ato që u gjetën. Më së shumti vlen të përmendet mungesa e lidhjes mes pikëpamjeve publike rreth sulmeve ushtarake ndaj civilëve dhe harxhimeve ushtarake si një përqindje e GDP-së. Ndonëse Amerika lavdërohet për buxhetin më të madh ushtarak në botë, që është ndër më të lartit si një përqindje e GDP-së në botën e zhvilluar dhe publiku i saj janë më të prirët të thonë se sulmet ushtarake ndaj civilëve janë të justifikueshme nganjëherë, lidhja mes këtyre variablave nuk paraqitet të jetë e qëndrueshme në rrafshin global. Me fjalë të tjera, s’ka kurrfarë lidhje mes mbështetjes publike për sulmet ushtarake ndaj civilëve dhe asaj sa i militarizuar është publiku ashtu siç matet nga harxhimet e saja të mbrojtjes si një përqindje e GDP-së. Kjo sugjeron se një vend mund të ketë një ushtri të fortë dhe një publik që refuzon sulmet e qëllimta ushtarake ndaj civilëve.
  • Pasuria dhe Qeverisja: GDP, edukimi, dhe qeverisja e mirë po ashtu s’kanë kurrfarë ndikimi në perceptimin publik të sulmeve ushtarake ndaj civilëve. Kur kemi të bëjmë me sulme ushtarake ndaj civilëve, historia politike individuale e vendit luan një rol më të madh në formimin e pikëpamjeve sesa shkalla e tij e zhvillimit apo pasuria.

Shoqëritë me Shumicë Muslimane Refuzojnë Dhunën së Paku po aq sa edhe Shoqëritë e Tjera

Prej 11 shtatorit janë shtuar zërat se Islami nxit për dhunë më shumë sesa fetë e tjera, sidomos së voni në manifestin e shkruar nga Anders Breivik para se të vriste më shumë se 70 njerëz në Norvegji. Breivik argumenton se Islami është i dhunshëm në thelb dhe muslimanët paqësor thjesht po injorojnë urdhrat e besimit të tyre për të vrarë. Ai citon disa figura publike për të mbështetur këtë përfundim. Sikur ky pohim i popullarizuar të ishte i vërtetë, logjikisht do të duhej që pjesëtarët e Islamit më shumë ta pranonin dhunën, edhe nëse shumica e kanë më lehtë të mos ndjekin besimet e tyre, siç pretendon Breivik.

Provat hedhin poshtë këtë argument. Banorët e shteteve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC) janë më pak të prirë sesa banorët e shteteve jo-anëtare t’i shohin sulmet ushtarake ndaj civilë si të justifikueshme nganjëherë dhe afërsisht të prirë njësoj sa ata nga shtete jo-anëtare të thonë të njëjtën për sulmet individuale.

graf-2

S’ka Lidhje Mes Pikëpamjeve mbi Dhunën dhe Rëndësinë e Fesë

Përveç atyre që veçojnë Islamin, disa figura publike, sidomos “Ateistët e Rinj”, kanë akuzuar në përgjithësi fenë për nxitje të dhunës. Ndonëse motivet e terroristëve të njëmendtë janë përtej këtij trajtimi, prova lidhur me mbështetjen publike ndaj shënjimit të civilëve e sfidon këtë nocion.

Një analizë e opinionit publik nga 130 vende, e zhvilluar si pjesë e Gallup World Poll, gjen se pranimi publik i dhunës nga ana e atyre që nuk marrin pjesë në luftime, s’është i ndërlidhur me përkushtimin fetar. Në Azi dhe në Afrikën Sub-Sahariane, ata që refuzojnë sulmet ndaj civilëve janë po aq fetarë sa edhe ata që i shohin si të justifikueshme nganjëherë. Ndonëse duket të ketë një dallim në lidhjen e fetarisë dhe simpatisë për sulmet ndaj civilëve midis banorëve të Amerikës dhe Kanadasë, ky dallim nuk është i parëndësishëm nga ana statistikore. Në Evropë, në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore, ata që refuzojnë sulmet individuale dhe ushtarake ndaj civilëve, janë më të prirë të thonë se feja është  pjesë e rëndësishme e përditshmërive të tyre.

graf-3

Ndërsa rëndësia e fesë ka një ndikim neutral / pozitiv në gjasat e refuzimit të dhunës, toleranca ndërfetare, siç matet nga Indeksi i Gallup për Tolerancën Fetare, ka një ndikim negativ në shumë regjione.

Indeksi i Gallup për Tolerancën Fetare

Gallup zhvilloi një Indeks për Tolerancën Fetare si një mënyrë për të matur qëndrimet e njerëzve ndaj feve të ndryshme nga e tyrja. Indeksi bazohet në pajtimin me pesë deklaratat vijuese në shkallë nga 1 (nuk pajtohem fuqishëm) deri 5 (pajtohem fuqishëm):

  • Unë gjithmonë trajtoj me respekt besimet e tjera
  • Shumica e besimeve të tjera japin një kontribut pozitiv në shoqëri
  • Unë nuk do të kisha gjë kundër që një pjesëtar i një besimi tjetër të jetë fqinj imi
  • Njerëzit e feve të tjera më trajtojnë me respekt gjithmonë
  • Në vitin që shkoi, unë mësova diçka nga dikush i një besimi tjetër

Nga kombinimi i përgjigjeve të tyre, Gallup vendos respondentët në tri kategoritë vijuese:

Të Izoluar: Individët e izoluar janë të prirë për të mos qenë anëtarë të ndonjë grupi të besimi të caktuar, por, nëse janë anëtarë, janë të prirë të besojnë në perspektiven e tyre para se gjithash. Ata nuk duan të dinë për fetë e tjera dhe as nuk respektojnë e as nuk ndihen të respektuar nga ata të besimeve të tjera fetare.

Tolerantë. Tolerantët kanë një qëndrim “jeto dhe lër tjetrin të jetojë” karshi njerëzve të besimeve të tjera dhe në përgjithësi ndiejnë se sillen me respekt ndaj atyre që kanë besime të tjera. Mirëpo, ata janë të prirë për të mos mësuar nga apo për fetë e tjera.

Të Integruar. Njerëzit e integruar fetarisht shkojnë përtej qëndrimit “jeto dhe lër tjetrin të jetojë” dhe vazhdimisht mundohen të dinë më shumë dhe të mësojnë nga të tjerët me tradita të ndryshme fetare. Ata besojnë se shumica e besimeve të tjera fetare japin një kontribut pozitiv në shoqëri, dhe jo vetëm që ndihen se respektojnë të tjerët me tradita të ndryshme, por po ashtu ndihen të respektuar nga ata.

graf-4

Dhënia e rëndësisë fesë në përgjithësi ndërlidhet pozitivisht me refuzimin e dhunës. Jotoleranca fetare – prania më e pakët e fesë – në përgjithësi lidhet me një simpati më të madhe për sulmet ndaj civilëve. Ndryshe nga perceptimi i popullarizuar, mirëkuptimi më i pakët ndërfetar zakonisht mbizotëron te ata që besojnë më pak. Në regjionin e Afrikës Veriore, për shembull, ndonëse rëndësia e fesë është njëtrajtshëm e madhe, është më e madhja te ata që konsiderohen të integruar, shkalla më e zhvilluar e tolerancë ndërfetare, dhe më e vogla te ata që janë të klasifikuar si të izoluar.

graf-5

Amerikanët dhe Kanadezët janë Më Të Prirët për të Thënë se Sulmet Ushtarake Ndaj Civilë Janë të Justifikueshme Nganjëherë

Ndërsa shumica e qytetarëve botërorë pajtohen se sulmet ushtarake që shënjojnë civilët, nuk janë të justifikueshme asnjëherë, një dekadë pas 11 shtatorit, ka një shtrirje të gjerë të mbështetjes për këtë pikëpamje. Një shumicë e qartë në Azi dhe në shtetet e Afrikës Veriore i shohin si të papranueshme sulmet ushtarake ndaj civilëve. Kjo nuk është befasuese, kur kemi parasysh konfliktet akute që janë duke u zhvilluar në Afganistan, Pakistan, Irak, dhe në të tjera pjesë të Lindjes së Mesme.

graf-6

Në kontrast me këtë, në aspektin regjional, banorët e Amerikës dhe të Kanadasë janë më të prirë për të thënë se sulmet ushtarake ndaj civilëve janë të justifikueshëm nganjëherë. Amerikanët janë më të prirët në botë (49%) për të besuar se sulmet ushtarake që shënjojnë civilët, janë të justifikueshme nganjëherë, pasuar nga Haiti dhe Izraeli (43%).

graf-7

Evropianët këtu ndahen nga homologët e tyre në Amerikë dhe në Kanada. Kontinenti që luftoi dy lufta botërore dhe në një periudhë përdori pushtimin ushtarak për të kolonizuar shumicën e Lindjes së Mesme, Afrikës dhe Azisë, tash ka qytetarë që ndjenjat për sulmet ushtarake ndaj civilëve i kanë më të përafërta me ata të ish-kolonive të tyre sesa me ata të aleatëve modernë.

Sulmet Individuale Ndaj Civilëve Dënohen Gjerësisht

Kurse ka një pikë shtrirjeje prej 29 % mes shkallës më të lartë dhe më të ulët të refuzimit të sulmeve ushtarake ndaj civilëve mes shteteve të Afrikës Veriore dhe Amerikës e Kanadasë, pikëpamjet globale lidhur me sulmet individuale ndaj civilëve apo të grupeve të vogla janë më të ngjashme.

Identiteti i sulmuesve bën dallimin për disa njerëz, kur vlerësojnë justifikimin e shënjimit të civilëve. Kur sulmet kryhen nga një ushtri, Amerikanët dhe Kanadezët i konsiderojnë si më të pranueshme (47 % të justifikueshme nganjëherë) sesa kur ato kryhen nga një individ (21 % të justifikueshme nganjëherë). Evropianët po ashtu bëjnë dallim dhe janë të prirë për t’i refuzuar sulmet individuale më shumë sesa ato ushtarake me 8 %.

Në anën tjetër, popullatat në Azi, në Afrikën Sub-Sahariane, në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, dhe në Afrikën Veriore janë njëtrajtshëm të prira për ta parë si të papranueshme dhunën ndaj civilëve.

graf-8

Implikimet: Përse Perceptimet Publike Rreth Shënjimit të Civilëve janë të Rëndësishme

Është me rëndësi të theksohet se perceptimet publike rreth sulmeve ndaj civilëve nuk parashohin patjetër dhunë kundër atyre që nuk marrin pjesë në luftime e as që aktivitete terroriste apo krimet e luftës janë pashmangshmërisht rezultat i mbështetjes publike. Për shembull, një nga planifikuesit e sulmit të 11 shtatorit, Muhamed Atta, dhe udhëheqësi aktual i Alkaides Ejman Zawahiri vijnë nga familje egjiptiane të shtresë së mesme. Megjithatë, Egjipti barazohet me Finlandën si vendi me shkallën më të lartë të refuzimit të palëkundur të sulmeve individuale ndaj civilëve. Për më shumë, Egjipti renditet si një nga vendet kryesore në botë për refuzimin e sulmeve ushtarake ndaj civilëve. Norvegjezët më së shumti janë të prirë për të thënë se sulmet individuale ndaj civilëve nuk janë të justifikueshme në asnjë rast, edhe pse një norvegjez ndërmori sulmin më të rëndë terrorist në historinë e Evropës. Kjo sugjeron se aktiviteti terrorist, në masë të madhe, është në periferi dhe kryhet pavarësisht refuzimit që i bën komuniteti dhe jo me mbështetjen e tyre të heshtur.

Njëkohësisht, shkalla e lartë e refuzimit publik të shënjimit të civilëve sugjeron një respekt më të madh për vlerat e jetës njerëzore, që përbën një vlerë tejet të çmueshme për t’u kultivuar në një shoqëri. Nuk është për t’u habitur se shkallët e larta të refuzimit popullor të sulmeve të qëllimta ndaj civilëve kanë të bëjnë me një shoqëri më të shëndoshë dhe stabile, me një shkallë më të ulët të trazirave shoqërore, dhe me një shkallë më të lartë të zhvillimit njerëzor. Se a i japin këto rezultate perceptimet publike rreth shenjtërisë së jetës njerëzore apo nëse këto rrethana prodhojnë këto norma të shëndosha shoqërore, apo të dyja këto, është e pamundshme të dihet nga të dhënat në dispozicion. Mirëpo, kanë një lidhje mes perceptimeve publike lidhur me jetën civile dhe rezultatet e rëndësishme shoqërore; të kuptuarit e këtyre ndjenjave është mandat i udhëheqësve.

Për më shumë, ndërsa grupet terroriste nuk janë përfaqësues legjitimë të vendeve të tyre nga vijnë apo të grupeve kombëtare a fetare të cilat thonë se i përfaqësojnë, ushtritë, nga ana tjetër, janë protagonistë legjitimë shtetëror, që përfaqësojnë qytetarët e vendeve të tyre. Jo vetëm që ushtria përfaqëson publikun në një shtet demokratik, por ajo përbëhet nga ai publik. Konsensusi i fortë publik kundër shënjimit ushtarak të civilëve si i pajustifikueshëm në asnjë rast do të thotë se anëtarët e establishmentit mbrojtës do të jenë të përkushtuar në shmangien e viktimave civile si edhe në marrjen në përgjegjësi të atyre që shkelin ligjet e luftës.

Metodat e Anketimit

Gallup është plotësisht përgjegjës për menaxhimin, dizajnin dhe kontrollin e këtij hulumtimi. Për 70 vjetët e fundit, Gallup ka qenë i përkushtuar ndaj parimit se mbledhja dhe shpërndarja e saktë e opinioneve dhe aspiratave të njerëzve gjithandej botës është jetike për ta kuptuar botën tonë. Misioni i Gallup është që të ofrojë informata në një mënyrë objektive, të besueshme, dhe shkencore. Gallup nuk identifikohet me asnjë orientim politik, parti a grup mbështetës dhe nuk pranon për klientë entitete partizane.

Rezultatet janë të bazuara në intervista të drejtpërdrejta me afërsisht 1000 të rritur në secilin vend, me moshë 15 vjeçe e më shumë, nga viti 2008 deri në vitin 2010. Për rezultatet e bazuara në mostrën totale të të rriturve, mund të thuhet me 95% besueshmëri se margjina maksimale e gabimit në mostër është nga ±  1.66 deri në ± 5.8 %. Margjina e gabimit reflekton ndikimin e peshimit të të dhënave. Përveç gabimit në mostër, formulimi i pyetjeve dhe vështirësitë praktike në zhvillimin e anketimeve mund të prodhojë një gabim apo anim në gjetjet e opinionit publik.

Krahasimet Regjionale

graf-9

Appendix

apx-1

apx-2

apx-3

apx-4

apx5

apx-6

apx-7

Burimi: http://www.gallup.com/poll/157067/views-violence.aspx


Fundnota:

Për qëllimin e këtij raporti, kemi zgjedhur definicionin e terrorizmit që gjendet në Titullin 22 të Kodit të Kombeve të Bashkuara, Seksioni 2656f(d). Statuti përmban definicionet vijuese: Termi “terrorizëm” do të thotë dhunë e paramenduar, e motivuar politikisht, e kryer kundër caqeve jo luftuese nga grupe sub-nacionale apo nga agjentë klandestinë, zakonisht për të ndikuar në publikun.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit