Pesë fotografë sjellin tregimin për Ballkanin e përbashkët

0
43

Pesë fotografë nga rajoni do të paraqesin pesëdhjetë monumente fetare të Ballkanit në ekspozitën që do të hapet të enjten, në Hamamin e Gazi Mehmed Pashës në Prizren. Fotografitë e realizuara gjatë 2011-s dhe 2012-s nga Jutta Benzenberg, Ivan Blazhev, Samir Karahoda, Kamilo Nollas dhe Ivan Petroviq, do të paraqesin tregimin për Ballkanin, duke u përqendruar në trashëgiminë osmane të pranishme në pesë shtetet e rajonit: Greqi, Maqedoni, Shqipëri, Kosovë dhe Serbi.

Qëllimi i këtij aktiviteti kulturor është që të iniciohet debati mbi të kaluarën e përbashkët dhe ruajtjen e vlerave të trashëguara nga ato kohë.

“Të dhënat e fundit tregojnë se trashëgimia kulturore e periudhës osmane në Ballkan është e kërcënuar dhe se konflikti etnik dhe fetar vazhdon ta kërcënojë rajonin. ‘A Ballkan Tale’ i trajton këto çështje: synon të stimulojë diskursin publik në lidhje me historinë e Ballkanit, për të promovuar një kuptim të historisë së përbashkët të bazuar në bashkekzistencën fetare dhe etnike dhe për të kontribuuar në qasjen publike për ruajtjen e trashëgimisë kulturore”, thuhet në uebfaqen zyrtare të këtij projekti që realizohet nga Instituti Goethe me financimin e Bashkimit Evropian. Aty shpjegohet se 50 fotografitë e porositura të monumenteve islame, krishtere dhe hebraike të Ballkanit janë bërë nga pesë fotografë të shpërblyer që vijnë nga Athina, Beogradi, Prizreni, Shkupi dhe Tirana. Ato shoqërohen edhe me tekstet e shkruara nga ekipi i historianëve të rajonit.

Partneri lokal në zbatimin e këtij projekti kulturor, OJQ “Ec ma ndryshe” ka bërë të ditur se krahas ekspozitës së këtyre fotografëve të enjten mbrëma në Hamamin e Gazi Mehmed Pashës do të jepet edhe premiera e dokumentarit “Silent Balkan” (Ballkani i heshtur).

“’Silent Balkan’ është një interpretim alternativ dhe neutral i historisë së përbashkët të shteteve të rajonit që kanë jetuar nën Perandorinë Osmane”, ka thënë drejtori ekzekutiv Hajrulla Çeku.

Sipas tij, ekspozita dhe dokumentari janë produkte të projektit rajonal që përkrahet financiarisht nga Komisioni Evropian dhe zbatohet në pesë shtetet e sipërpërmendura të rajonit, si shtytës i debatit për të kaluarën dhe të ardhmen e rajonit./koha/kohaislame