Përtej kafeneve …

0
37

Lartësia e maleve dhe e kodrinave i ka shërbyer gjithmonë njeriut si pikë vrojtimi dhe orientimi. Dhe pikërisht ndoshta ajo kënaqësi e të parit gjërave nga lartë i ka dehur disa njerëz, për të mos iu larguar asnjëherë lartësive. Të vetëkënaqur me këtë izolim, ata janë shndërruar në murgjër të harruar dhe pse jo nganjëherë edhe të përçmuar nga ata që jetojnë vetëm poshtë, atje poshtë në luginë, ku rrugët shihen më nga afër dhe më shkurtazi, atje ku balta preket me dorë dhe me këmbë, dhe ku hapësira qiellore është më e largët se ajo tokësore. Të zhytur në këtë tokësore, njerëzit e luginave janë dehur jo nga vetmia si murgjit, por nga identiteti kolektiv, identiteti i traditës, i monotonisë kolektive, ku karvani i jetës tërhiqet nga pak njerëz dhe të tjerët i shkojnë nga pas… Ata ecin vetë, por karvanit dikush i prin… Ata ecin dhe ecin… Po ku shkojnë…? Rruga duket e shkurtër nga poshtë… Dikush për ta e ka parë, ndaj nuk ia vlen të hapësh një rrugë tjerët të cilën askush nuk të siguron se do të jetë më e mirë! Ndodh që nga ky karvan udhëtarë të pakët të shkëputen, dhe ndoshta një rrugë në të majtë apo në të djathtë të tij të marrin, për tu pasur ndonjëherë nga njerëz të tjerë. Murgu i shikon nga lartë dhe vetëkënaqet, tek i sheh me endje, sesi karvanët dredhojnë nëpër lugina…. pa qenë e nevojshme….!

Ah! Por ky është një murg që vetëm sheh dhe nuk ecën… sheh dhe zëri i tij nëse do të fliste është larg, shumë larg dhe nuk mund të dëgjohet… por njerëzit kanë nevojë të ecin…. të ecin, dhe njerëzit nuk kanë nevojë për këtë murg që rri larg ….

Të gjithë ne kemi nevojë për pak murgëri, për pak vetmi, për pak hulumtim, siç kemi nevojë edhe për ecje pa pushim. Zoti ynë është lart, shumë lart atje mbi arshin e Tij, por dhe afër shumë afër, më afër sesa damari i qafës… Këtë karakteristikë madhështore të Tij ne nuk e kemi, por mund të nxjerrim mësime prej saj. Ne kemi nevojë t’i ngjitemi maleve për të parë rrugën dhe për të zbritur përsëri poshtë për ta vazhduar atë. Nuk kemi nevojë për të tjerët që ta bëjnë këtë për ne. Jo, kemi nevojë ta bëjmë vetë atë.

Myslimanët vuajnë nga po të njëjtat probleme nga e cila vuan edhe pjesa tjetër e shoqërisë… Nga pasiviteti dhe vrasja e kohës… Është e tepërt të them se jo të gjithë, përjashtim që merret me mend. Por, sidoqoftë flas për një nga problemet që mua më duket që është bërë gangrenë, mexhliset tona, tubimet dhe hallet qahen nëpër kafene muhabetesh… Miqësitë e reja zihen nëpër kafene dhe po aty lihen… Këto vatra publike janë bërë odat e muhabetit, ku në to shkëmbehen të qeshura, shaka, ndonjë fjalë e mençur, ndonjë thashethem, pse jo edhe ndonjë duhan, dhe si dikur si për forcë të zakonit edhe në odat postmoderne rrufitet kafeja me endje… kafe publike, vatra publike, oda publike, restorante publike… publike…! Çfarë bëhet nëpër këto vatra? Dhunohet koha! Dhunohet ajo që ne na vlen më tepër, dhe bashkë me të veç kënaqësisë dhe varësisë që të krijon ky epsh, transmetohen edhe sëmundje dhe vese që gjenden shpesh nëpër këto vatra publike… Shkojmë nëpër këto oda për të çliruar një pjesë të stresit të ditës… e çlirojmë, dhe çfarë thithim? Pak tym, pak informacion, pak të qeshur, pak gibet, pak muhabet….shumë gjëra nga pak, por aspak shpirt, aspak Allah, aspak besim… sepse punët varen sipas qëllimit! Në kafe nuk shkohet për të rritur besimin, por për të kënaqur epshin e dhunimit të kohës, larg librave, larg Kuranit, larg xhamisë, larg shtëpisë, larg punës, larg besimit… larg Allahut!

Nëpër shtëpi publike nuk guxon të bësh moral, nuk ka ndonjë tabelë që e ndalon, por është shtëpi publike dhe shumë gjëra në të lejohen. Kështu dhe disa prej nesh shpesh herë apo pak herë shkojmë nëpër këto vatra publike që gjenden nëpër lugina, dhe nuk ecim, por sorollatemi nëpër shtigjet e gjarpëruara tavolinash, muhabetesh… Jemi si murgjit sepse nuk ecim, ashtu siç jemi edhe tokësorë që vetëm instinktivisht lëvizim… Fajin nuk e kanë kafenetë, këto oda publike, këto oda postmoderne, ato për mua janë një barometër, janë një ekran i vërtetë për sorollatjen tonë pa vizion dhe pasivitetin e murgërisë tonë… As murg largpamës dhe as prijës karvani nuk bëhesh duke humbur kohën….

J.Topulli