10 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Perspektivë historike mbi Ramazanin

Më të lexuarat

Nouman Khan

 

Besoj që na ka rënë të dëgjojmë e lexojmë shumë mbi Muajin e Bekuar të Ramazanit, por në vijim do të theksojmë disa gjëra mbi Ramazanin nën dritën e Kuranit.

Do të jetë një mësim historie dhe do të fillojë me një njeri që quhet Ibrahim a.s. Ky njeri nga perspektiva e shpalljes ka dy djem, Ismailin a.s., djalin e madh dhe Is’hakun, djalin e vogël. Do të fokusohemi në Is’haku a.s. së pari. Pra, Ibrahimi a.s. është i ati, Is’haku a.s. i biri, dhe ky i fundit e ka një djalë, Jakubin a.s.. Pra, ta rikapitulojmë edhe njëherë, gjyshi është Ibrahimi, djali është Is’haku, dhe djali i tij, Jakubi Paqja e Allahut qoftë mbi të gjithë këta pejgamberë. Jakubi a.s. ka edhe një emër tjetër, Israil, i cili ka pasur 12 djem dhe njëri prej tyre ka qenë pejgamber, Jusufi a.s.. Pra e kemi këtë prejardhje që vazhdon. Jakubi a.s. pra kishte 12 djem dhe secili prej tyre kishte fëmijë dhe si familje e tërë ishte e madhe, dhe më pas këta 12 djem u bënë fise në vete dhe janë të njohura si 12 fiset e Israilit (beni israil). Po tentojmë kësisoj të përshkruajmë rrjedhën prej Ibrahimit, djalit të tij, Is’hakut, djalit Jakubit, djalit të këtij të fundit, Jusufit, cili po ashtu ishte Pejgamber. Muhamedi a.s. ka thënë për beni israilët: Çdoherë që vdes një prejgamber prej tyre, një tjetër e zë vendin e tij. Pra, kjo familje e Ibrahimit, këta fëmijë të Ibrahimit a.s. kanë pasur pothuajse pejgamberë çdo gjeneratë, pandërprerë. Dhe ka vazhduar kësisoj për shekuj me radhë dhe ka zgjatur deri në pejgamberin e fundit të dërguar tek ata posaçërisht, që ishte Isa i biri i Merjemes.

Të shohim se kush kanë qenë pejgamberë në anën tjetër; Ibrahimi a.s., më pas, Ismaili a.s. Tani të shohim sa pejgamberë tjerë ka pas tij. Nipi do të ishte jo dikush aq i njohur, stërnipi po ashtu, duke vazhduar kështu gjeneratë pas gjenerate çfarë ndodh? Njëra lozë e pasardhësve të Ibrahimit a.s. është përplot me pejgamberë kurse loza tjetër, ajo e Ismailit a.s. pothuajse zero për një kohë të gjatë. Pra, cili ishte pejgamberi i fundit në lozën tjetër? Në atë të Is’hakut? Isa a.s. është i fundit. Kurani na tregon neve se ata kanë pasur tërë këtë preferencë, tërë këta pejgamberë një pas një, kur Allahu u thotë se unë u kam dalluar nga të gjithë popujt e tjerë të botës. Asnjë popull tjetër nuk ka pasur të dërguar nga Zoti kaq shumë. Asnjë popull në historinë njerëzore nuk ka pranuar të dërguar pas të dërguari e pas të dërguari e kështu me radhë. Madje ata kanë pranuar shpallje. Një prej shpalljeve të mëdha të pranuara ishte në duart e një pejgamberi që quhej Musa a.s. i cili është edhe pejgamberi më i përmendur në Kuran. Dhe kur e pranuan shpalljen, Tevratin, Kurani e pohon se kjo shpallje që ishte zbritur Musait e kishin ndryshuar apo kishin humbur pjesë prej tij. Dhe ndonëse e kishin bërë një gjë të tillë, Allahu u dërgoi pejgamberë tjerë për ta rivitalizuar atë përsëri, kështu që në vend të dijetarëve detyra e të cilëve është që të rigjallërojnë mësimet e humbura fetare, por aktualisht në rastin e izraelitëve nuk ishin dijetarët ata të cilët e rigjallëronin fenë, por ishin të dërguarit e Zotit. Për këtë arsye Muhamedi a.s. ka thënë se dijetarët e umetit tim janë si të dërguarit e beni israilëve puna e të cilëve ishte rigjallërimi. Ata kanë qenë shumë të ashpër ndaj dërguarve të Zotit ashtu siç e pohon edhe Kurani, se i kanë vrarë të dërguarit pa kurrfarë të drejte, nuk mjaftoheshin vetëm duke i përqeshur apo kritikuar të dërguarit e Zotit, por shkonin përtej kësaj.

Po e bëjmë një digresion, në një debat me një rabin, kemi folur shumë për të dërguarit e Zotit, dhe për perspektivat e ndryshme që kemi mbi të dërguarit/pejgamberët. Në interesimin për të dërguarit, e pyeta rabinin për të dërguarit, për gjyshin (babain e pejgamberëve), Ibrahimin a.s. dhe perspektiva e tyre (hebrenjve)  për të dërguarit e Allahut është komplet ndryshe nga perspektiva e muslimanëve. Kur e pyeta rabinin për Ibrahimin a.s., se çfarë kanë mësuar prej tij, fjala vjen edhe pse atij nuk ia thash, ne prej Ibrahimit kemi mësuar se kur Allahu i ka dhënë dorëzohu, Ibrahimi a.s. ka thënë iu dorëzova Zotit të botëve në mënyrë të pakushtëzuar, saqë vazhdimisht ky i dërguar i është lutur Allahut, O Zot na bëj neve prej të dorëzuarve tek Ti, dhe prej pasardhësve tanë bëj të dorëzuar (musliman) tek Ti. Pra, është një dorëzim tërësisht i nënshtruar ndaj Zotit. Dhe prisja të dëgjoja të njëjtën gjë prej rabinit. Ai tha se ajo që ne marrim si mësim prej Ibrahimit është e drejta për të negociuar dhe debatuar me Zotin. Mbeta i shtangur. A mund ta thoni përsëri? Po po, mund të negociosh dhe debatosh me Zotin. Prej Ibrahimit e nxirrni këtë mësim??? Po natyrisht, u përgjigj rabini. Të lutem a mund të ma shpjegosh? Ai ma shpjegoi përmes analogjisë së një djaloshi të ri. Fëmija nuk di më shumë, kur i ati i thotë merre atë gjë, ai e merr/kapë atë gjë që i thotë i ati. Por me rritjen e fëmijës, ai bëhet më i pavarur dhe fillon të mendojë për veten e tij dhe ballafaqohet me botën reale ku fiton përvoja të ndryshme, kështu që kur i ati i thotë se ti duhet të bëhesh bujk, ai i thotë: jo baba, dua të bëhem biznesmen, është më e vlefshme të jesh i këtillë, mund të bëjmë më shumë para për familjen, dhe i ati e dëgjon atë duke i thënë: po ke të drejtë, vazhdo që të bëhesh biznesmen. Me fjalë të tjera, kjo është një shenjë për të atin, se djali është pjekur aq shumë saqë mund të ketë opinionet e veta, dhe kjo është një ditë krenarie për të atin. Derisa po ma tregonte këtë shembull, mendoja, çfarë ka të bëjë kjo me Ibrahimin a.s. Më tha se ne jemi fëmijë të Zotit (këto janë terma hebrenjsh dhe të krishterë, tek muslimanët nuk përdoren këso lloj termash, fëmijë të Zotit) dhe duke u rritur/pjekur ne mësojmë si të debatojmë me Zotin. A mund të na e japësh një shembull, prej nga kjo gjë? Ai nisi të rrëfejë historinë e Ibrahimit a.s. për engjëjt që erdhën në shtëpinë e tij, ai nuk i njihte, i ftoi brenda dhe përgatiti ushqim për ta dhe ua vendosi përpara kurse ata nuk hëngrën. Ibrahimi u bë nervoz? Shtrohet pyetja pse? Për shkak se në atë kohë ekzistonin grupe të cilat quheshin asasinë dhe në rast se vinin për të vrarë nuk ta hanin ushqimin, sepse ishte një çështje nderi. Pra, kur dikush nuk e han ushqimin që i shërben përpara, nuk ndjehesh mirë. Engjëjt ia kthyen, jo jo nuk jemi ata që ti po mendon. Ne kemi ardhur të japim myzhde se do të kesh një djalë. Ibrahimi filloi të qeshte. Unë, në këtë moshë do të kemi fëmijë. Por Ibrahimi a.s. ishte shumë i mençur, inteligjent. Nuk kishte pse t’i dërgonte Zoti një grup prej engjëjve për ta sihariquar, andaj i pyeti për arsyen pse janë ardhur në të vërtetë? Engjëjt iu përgjigjen se ishin rrugës për një mision dhe erdhën për ta lajmëruar për djalë, e në të vërtetë ata ishin ngarkuar për ta mbytur secilin prej popullit të Lutit a.s. Pra, jemi këtu për ta fshirë nga faqja e dheut popullin e tij. Luti a.s. ishte i lidhur me Ibrahimin a.s. Disa burime historike thonë se ishte xhaxhai. Pra, Ibrahimi a.s. ishte i brengosur për popullin e Lutit a.s. Dihet se çfarë mëkatesh bënte populli i Lutit a.s., por Ibrahimi a.s. ishte i brengosur dhe i dhimbseshin ai popull mëkatar. Po ta shohim sot, një musliman i rëndomtë, do të gëzohej për një dënim të këtillë për një popull të atillë që kryen aso veprimesh të turpshme e të degjeneruara. Kur merr vesh Ibrahimi a.s. se çfarë do të ndodh me ta, ai fillon të lutet në emrin e tyre. Ai negocion me engjëjt. Madje, edhe Kurani e konfirmon këtë gjë kur thotë se Ibrahimi a.s. debatoi për çështjen e popullit të Lutit a.s. Një konfirmim i këtillë ekziston edhe në Testamentin e Vjetër. Rabini thotë, e sheh pra, ai argumenton/debaton me Zotin. Pra, ju thoni se tërë kjo puna e debatimit të tij me Zotin, është shenjë e pjekurisë së tij? Po, tha rabini. Ju thoni se ai duke u pjekur shumë e më shumë ai duhet të debatojë më shumë apo më pak? Kjo nënkupton se Ibrahimi do të debatojë/argumentojë më shumë me Zotin.

Pra, sipas jush (besimit të hebrenjve), foshnja e cila do të lindë, pak më vonë pritet që të theret. Zoti do t’i dërgojë ëndrra Ibrahimit a.s. ku do t’i thotë ta therë djalin e tij të vetëm. Pra, popullin që ai nuk e njeh, që janë kriminelë dhe do të dënohen prej Zotit, ai debaton për ta (në emrin e tyre, të popullit të Lutit), por kur Zoti i thotë që ta presë djalin e tij, a argumenton Ibrahimi për këtë çështje me Zotin? Sipas jush (mendimit të hebrenjve) Ibrahimi e ka realizuar kërkesën e Zotit pa kundërshtuar fare. Unë kam menduar se ai duke u moshuar, supozohet se ai duhet të argumentojë me Zotin më shumë. Rabini hesht për një kohë. Pastaj, ai thotë, unë kurrë nuk kam thënë se duke u shtyrë më shumë në moshë nënkupton më shumë pjekuri. Këtu merr fund digresioni/diskutimi me rabinin.

Shtrohet pyetja, pse po flasim për Ibrahimin a.s. kur tema është për Ramazanin? Pse të krijohet ky konfuzitet? Jo nuk është e rastësishme. Do të bindeni se tërë kjo ka të bëjë me Ramazanin. Deri më tani, perspektiva e Ithtarëve të Librit është tërësisht ndryshe duke nisur që nga Ibrahimi a.s. Të flasim nga pikëpamja islame për këtë çështje. Ibrahimi a.s. urdhërohet të lërë familjen e tij, foshnjën e tij, Ismailin, në një luginë të një shkretëtire të pabanueshme, dhe të mos kthehet derisa i biri të rritet në atë moshë kur një prind vërtetë mund të kënaqet me fëmijën e tij, të lozë dhe të jetë në gjendje të vrapojë me të, mund të kënaqet në praninë dhe shoqërimin e tij. Më pas Allahu xh.sh. fillon t’ia dërgoj në ëndërr se ai duhet të sakrifikojë djalin e tij. Dhe Ibrahimi a.s. është i gatshëm bashkë me të birin ta bëjnë këtë sakrificë të paimagjinueshme në kushte normale. Po të flasim nga pikëpamja e prindit, nëse ne shohim se fëmija ynë lëndohet në ëndërr, ne shqetësohemi, jo duke e parë të vrarë, por që lëndohet, madje ndoshta do të zgjoheshit duke qarë. Vetëm mendimi për fëmijën se mund të lëndohet është shqetësues. Madje, ne si prindër, kur shohim në lajme ndonjë fëmijë të lënduar, a të vrarë, ne menjëherë e ndërrojmë kanalin, s’mund ta përballojmë. Ibrahimi a.s. sheh pamje grafike në ëndërr të djalit të tij duke u therur (duke u bërë kurban), nga vetja e tij, Ibrahimi a.s. Imagjinojeni veten tuaj në këtë pozitë?! Imagjinoni vetëm atë se çfarë i duhet të sheh Ibrahimi a.s., harrojeni atë se çfarë ka për të përfunduar si akt. Kjo me gjasë dikë do ta dërgonte apo do ta bënte me terapi për vite të tëra, do ta çmendte dikë. Dhe ai vazhdimisht e ka parë në ëndërr një gjë të tillë. Kjo do të mund t’ua shkatërronte jetën tuaj. Dhe ai jo vetëm që e shihte, por do të duhej ta ndante ëndrrën me po të njëjtin djalë që e shihte në ëndërr, Ismailin a.s. Dhe i biri, e thotë gjënë më të tmerrshme (aspak lehtësuese për Ibrahimin a.s.), bëje atë që të është thënë. Ibrahimi a.s. nuk ka thënë: Allahu po më thotë ta bëj këtë gjë, ai vetëm është shprehur se po e shoh ëndrrën duke të therur ty. Por, ngase edhe Ismaili a.s. është i dërguar gjithashtu e interpreton se ajo është një urdhër. Baba t’i duhet ta kryesh atë që të është thënë ta bësh. Ata e kalojnë këtë provë/test dhe Allahu është aq krenar me ta duke kaluar provën e fundit duke i besuar dhe duke dashur Allahun më shumë sesa jetën e djalin, sidomos në moshën kur prindi fillon të ndjehet krenar për djalin, ngase prindi fillon kah pleqëria kurse djali fillon të rritet.

Kësisoj, me kalimin e testit, Allahu u jep një çmim/shpërblim Ibrahimit dhe Ismailit a.s. Dhe shpërblimi i tyre është se ata do të ndërtonin ndërtesën më fisnike në histori. Ata do t’i ngrinin themelet e Qabesë në Mekë. Kjo nuk ishte një gjë e lehtë për t’u fituar. Pas tërë atyre që kishin kaluar këta pejgamberë, u nderuan me ndërtimin e kësaj shtëpie fisnike. Kur dikush fiton një shpërblim, është një pozitën të kërkojë e të lutet. Në ditët e sotshme, kur haxhilerët shkojnë për të vizituar Qabenë, bëjnë lutje shumë, në forma të ndryshme, saqë ndoshta shtyhen me njëri tjetrin, për të shkuar për ta prekur me dorën e tyre këtë shtëpi fisnike. Imagjinoni tani, njeriu që po e ndërton këtë shtëpi bashkë me djalin e tij, se sa e meritojnë dhe i luten e i kërkojnë Zotit. Secili person që prej kohës së këtyre të dërguarve deri tani, i cili është lutur kanë pjesë ose i ndajnë lutjet me ta, ata marrin shpërblim. Secila xhami që është ndërtuar e ndërtohen në fytyrën e tokës janë satelit i Qabesë. Derisa këta dy të dërguar e ndërtonin Qabenë, e lusnin vazhdimisht Zotin, Zoti ynë na bëj ne të dyve të dorëzuar (muslimanë) dhe prej pasardhësve tanë bëj prej tyre që të dorëzohen vetëm Ty (muslimanë). Pra, prej gjeneratave që do të vijnë, së paku një popull duhet të jetë muslimanë. Secila gjeneratë në anën tjetër (loza e Is’hakut a.s.) ishin muslimanë, kurse në këtë anë (në lozën e Ismailit a.s.) kërkonin që së paku një popull të jenë prej muslimanëve. Dhe më pas i kërkuan Zotit që ky popull prej muslimanëve të kenë një pejgamber, ngase një popull që të jetë musliman duhet të ketë një të dërguar (pejgamber) të vetin, pra, nxirr prej tyre një të dërguar (një pejgamber, jo në shumës, vetëm një). Pra, nga njëra anë kishim në secilën gjeneratë të dërguar nga Zoti, deri tek Isai, i biri i Merjemes a.s. e nga ana tjetër ata kërkojnë për një të dërguar. Pra, nga njëra anë, rezultati është vazhdimisht me pejgamberë, nga ana tjetër eventualisht vetëm një pejgamber. Por, siç duket ky pejgamber i vetëm nga ana tjetër do të jetë më i madh sesa tërë pejgamberët tjerë nga ana tjetër, të mbledhur bashkë. Ajo lutje që bënë Ibrahimi dhe Ismaili a.s. ishte aq e fuqishme, se ajo çfarë kërkonin ata të dy ishte që Allahu të dërgonte një pejgamber që do të kompenzonte jo vetëm të bijtë e Ismailit. Të kujtojmë se tërë pejgamberët që erdhën nga ana tjetër (loza e Is’hakut) ishin të dërguar vetëm te Beni Israilët. Por kur të vjen ky pejgamber i fundit, do të ishte jo vetëm për bijtë e Ismailit a.s., por edhe të Is’hakut a.s. dhe për mbarë njerëzimin, ngase Ibrahimi dhe Ismaili a.s. shtëpinë të cilën po e ndërtonin, nuk po e ndërtonin vetëm për fëmijët e Ismailit a.s., por madje jo vetëm për fëmijët e Ismailit dhe të Is’hakut a.s. por po e ndërtonin për tërë njerëzimin ashtu siç e sqaron Allahu në Kuran se Qabeja do të jetë shtëpia e të gjithë njerëzve. Pra, ajo nuk ishte e kufizuar vetëm për këto dy familje, të Ismailit dhe Is’hakut a.s. por ishte për tërë njerëzimin. Ashtu siç e përshkruan Allahu Shtëpia e parë në shërbim të njerëzimit. Pra, kur ata kërkuan për këtë të dërguar të vetëm, në këtë lozë të Ismailit, a.s. do të duhet të mos jetë i kufizuar vetëm për këtë lozë/prejardhje por ai do të jetë i dërguar për tërë njerëzimin. Për këtë arsye ai është më i madh sesa akëcili i dërguar tjetër. Tani do ta ndalojmë këtu dhe do t’u tregojmë se si të gjitha janë të lidhura bashkë.

Pra, gjyshi për të cilin folëm ishte Ibrahimi a.s. Ai është unik në mesin e tërë Pejgamberëve. Titulli baba, i është vënë dhe përmendet vetëm për dy njerëz në Kuran. Ademi a.s. si baba i njerëzimit dhe babai ynë në fe, Ibrahimi a.s. Një prej emërtimeve të Islamit në Kuran, është feja e babait tuaj, Ibrahimit a.s. Dimë që Islami ka pesë shtylla. Do t’i përmendim katër duke e përjashtuar Zekatin. E para është Shehadeti (dëshmia). Ideja e La ilahe ilAllah është më e pastër dhe e qartë në trashëgiminë/traditën e Ibrahimit a.s. sesa në çfarëdo trashëgimie tjetër. I lindur në një familje, në një fis, në një fshat të putëndërtuesve, adhuruesve të idhujve (putave), i vetmi që ngritët për La ilahe ilAllah, dhe një i vetmi, bashkësi në vetvete, njëri i cilit i është dhënë mandati të ndërtojë shtëpinë që të sigurohet që deri në Ditën e Gjykimit të ruhet çka? La ilahe ilAllah. Ajo shtëpi (Qabeja), paraqet adhurimin në një Zot, duke përjashtuar çdo gjë tjetër. Pra, shehadeti (dëshmia) ynë është vazhdimësi e trashëgimisë së Ibrahimit a.s. Ai nuk i ka dashur gjërat që shuhen, që perëndojnë, kur i ka vrojtuar, studiuar e ka medituar për diellin dhe hënën. Njeriu, me sy të lirë, krijesën më të madhe që mund ta sheh është dielli, dhe ai ua demonstroi popullit të tij se dielli nuk është Zoti, po njëjtë edhe hëna, ngase ato shuheshin, perëndonin.

Tani të mendojmë për një fakt tjetër. Namazet ditore a nuk kanë të bëjnë me perëndimin dhe lëvizjen e diellit. Në fakt, dielli është një entitet i përkohshëm për ne. Ai lind, arrin shkëlqimin e tij maksimal, më pas fillon drejt perëndimit të tij, më pas fillon dobësimi i shkëlqimit drejt errësimit të tij. Çdo ndryshim i tij, është kohë për një kohë namazi. Dhe në fakt, namazet janë manifestim i shprehjes së Ibrahimit a.s. kur ka thënë se nuk i do (adhuron) gjërat që shuhen (mbarojnë, perëndojnë). Ajo çfarë është interesante sipas një dijetari të madh, Habidudin Ferrahi, Allahu e ka dizajnuar asisoj trashëgiminë e Ibrahimit a.s. ashtu që kur dielli është në pozitën e tij ulët, atëherë është akshami, kur dielli të ketë shkuar komplet, është jacia, ndërkaq, sabahu, është sapo dielli ka filluar të agojë. Në këto tri pozicione, është e qartë se dielli (shkëlqimi i tij) është i dobët, dhe në këto kohë namazi falet me zë, kurse në dy të tjerat, Kurani në namaz lexohet pa zë, në heshtje. Pra, është ky një manifestim i trashëgimisë së Ibrahimit a.s. Meqë ra fjala, namazi, shkon tutje deri tek koha e Ibrahimit a.s. për shumë arsye, ky ishte njëri prej tyre. Ibrahimi a.s. në lutjet e tij i drejtohej Zotit, O Zoti im më bëj mua prej atyre që e falin namazin si dhe fëmijët e mi. Kur imami thotë: Kad kameti salah (namazi po kryhet) apo akimeh salah (thirr për në namaz), aktualisht ai po përsërit lutjen e Ibrahimit a.s.

Pamë që shehadeti shkon prapa deri tek ai, po ashtu edhe namazi. Po e lëmë për pak Ramazanin, dhe po flasim për Haxhin (pelegrinazhin, vizitën e Qabesë në Mekë në kohën e caktuar). Çfarë ka të bëjë Haxhi me Ibrahimin a.s.? Patjetër që ka lidhje me Ibrahimin, madje në Qabe është një vend që quhet Mekami Ibrahim (vendi i Ibrahimit). Edhe Safa e Merva (dy kodrat, që haxhilerët ecin mes tyre gjatë kryerjes së Haxhit), kanë lidhje me Ibrahimin a.s. Uji Zemzem po ashtu. Therja e kurbaneve nuk ka kurrfarë lidhje me Ibrahimin a.s.? Natyrisht, që po, edhe kjo gjithashtu. E tërë kremtja e Haxhit është kremtim i trashëgimisë së Ibrahimit a.s. Përmbushja apo arritja e fundit në jetën e muslimanit, barra e madhe në supet e tij është mundësia që ai apo ajo të kryej Haxhin, mundësia të marrë rrugëtimin që një ditë shumë shumë kohë më parë babai i tij/saj Ibrahimi a.s. e bëri.

Në një takim bashkë me të krishterë dhe hebrenj, po diskutohej dhe e konsideronin veten si fe/besime abrahamike. Në mënyrë paksa sulmuese u thashë se mendoj se nuk keni të drejtë ta quani veten tuaj pjesë të besimit abrahamik bashkë me muslimanët. Ne (muslimanët) kemi një kongres të përvitshëm që manifestojmë traditën e Ibrahimit a.s. Çfarë keni ju? Miliona njerëz nga vende të ndryshme të botës madje që s’mund të merren vesh gjuhësisht mes vete por e duan babanë e tyre Ibrahimin a.s. Shihni se çfarë bëhet çdo vit në kohë të Haxhit. Miliona njerëz vizitojnë Qabenë. Secili ritual që kryejnë haxhilerët është manifestim i traditës së Ibrahimit a.s., madje edhe hedhja e gurëve. Më tregoni ju se çfarë bëni? Më tregoni se si jeni ju, feja e Ibrahimit a.s.? Kur po mbaja këtë ligjëratë, rabini që përmendëm më sipër, u bë shok me mua. Ai ishte në rendin e parë i cili dëgjonte me vëmendje me fytyrën plot lot. Tha, duhet të kalojmë ca kohë bashkë.

Pra, deri më tani pamë që tri shtylla të Islamit kanë të bëjnë, kanë lidhje me Ibrahimin a.s., shehadeti, namazi, qartazi edhe haxhi. Por, tema ishte për Ramazanin. Çka ka lidhje Ramazani me Ibrahimin a.s.? Ai nuk ka agjëruar, nuk ka pasur iftar siç e kemi sot?! Të përkujtojmë edhe njëherë, Ibrahimi dhe Ismaili a.s. faleshin e luteshin për një të dërguar të vetëm, por nuk kërkonin thjesht vetëm për këtë të dërguar (pejgamber), por që ai të bënte diçka, ai do t’ua recitonte shpalljen popullit të tij. Pra, detyra e këtij pejgamberi do të ishte që të na e jepte shpalljen. Me çfarë shpallje erdhi Pejgamberi Muhamed a.s.? Ai erdhi me Kuranin. Kurani, në çfarë kohe erdhi? Në Ramazan. Shehru Ramadan el ledhi unzile fihil Kuran Muaji i Ramazanit në të cilin zbriti/erdhi Kurani. Inna enzelnahu fil Lejletil Kadr Ne e zbritëm atë (Kuranin) në Natën e Kadrit (fuqisë). Nata e Fuqisë, në cilin muaj është? Në muajin e Ramazanit. Muaji i Ramazanit, është muaji në të cilin iu është përgjigjur/pranuar lutja (duaja) e Ibrahimit a.s. Lutja e Ibrahimit a.s. ishte një i dërguar që do t’ua recitonte ajetet. I Dërguari (Muhamedi a.s.) u bë Pejgamber në muajin e Ramazanit. I zbritën ajetet të cilat do të mund t’ua recitonte njerëzve, kur? Në muajin e Ramazanit. I tërë muaji i Ramazanit të cilin ne e manifestojmë, është se duaja e Ibrahimit a.s. më në fund është pranuar.

A ishte Ibrahimi a.s. i brengosur vetëm për një grup apo për tërë njerëzimin? Qoftë edhe për njerëzit më mëkatarë/kriminelë, a ka pasur urrejtje për ta? Ua dhamë shembullin me popullin e Lutit. Dhe ne jemi në fenë e babait tonë, Ibrahimit a.s. A mund ta kuptoni se ka njerëz që recitojnë e lexojnë Kuranin, dhe justifikojnë urrejtjen përmes Kuranit. Duke harruar faktin se ky Kuran është përmbushje e lutjes/duasë së kujt? E Ibrahimit a.s., ku e tërë trashëgimia e tij ka qenë dashuria dhe brengosja për tërë njerëzimin. Sa larg shkojnë njerëzit. Nëse nuk e kuptojmë prej nga vijmë, nuk mund ta kuptojmë se ku po shkojmë. Kjo ishte gjëja që doja të sillja në vëmendje, që ne jemi pjesë e një feje universale. Kjo fe është apelim për tërë njerëzimin.

Folëm për dy familje, duke filluar prej Ismailit dhe Is’hakut a.s. ku nga loza e këtij të fundit secila gjeneratë ka pasur të dërguar nga Zoti, deri tek Isa a.s., dhe përmendëm që ata (Beni Israilët) janë sjellë shumë keq me të dërguarit, madje kanë vrarë prej të dërguarve. Edhe pas Isës a.s., duke qenë që foshnje dhe pas nënës së tij janë vërsulur dhe kanë tentuar t’i vrasin. Por pasi Allahu xh.sh. i shpëtoi, vendosi edhe një gjë tjetër. Nuk ka më të dërguar për këtë popull. Pothuajse gjashtë shekuj kanë kaluar dhe nuk ka pasur më të dërguar nga Zoti për Beni Israilët por edhe për njerëzit. Ndërkaq, librat e tyre thoshin se do të vjen një i dërguar i fundit dhe ata e prisnin në bazë të parashikimit. Faktikisht, disa fise hebrenjsh u zhvendosën në Medinë (Arabi Saudite), sepse librat e tyre u thoshin se ai (Pejgamberi i fundit) do të vijë në Medinë. Ka pasur shokë të Pejgamberit Muhamed a.s. (Zoti qoftë i kënaqur me të gjithë ata), që kanë pasur prejardhje hebrenjsh dhe kur Pejgamberi a.s. migroi për në Medinë, ata ia tregonin letrat e paraardhësve të tyre, ku shkruante: Ne kemi ardhur për të pritur ty, por nuk arritëm të të shohim, urojmë që fëmijët tanë të të shohin. Pejgamberi a.s. i pranonte këto letra kur erdhi në Medinë. Pra, ata erdhën në Medinë sepse e dinin se Pejgamberi do të vinte në këtë qytet. Për, këtë edhe Allahu xh.sh. thotë … se e njohin atë (Muhamedin a.s.) siç i njohin fëmijët e tyre. Problemi ishte se kur erdhi Pejgamberi tek ta, dhurata e pejgamberisë erdhi në adresë të gabuar. Supozohej të vinte në anën e lozes së Is’hakut a.s., kurse ai erdhi nga ana tjetër, nga loza e Ismailit a.s. Çfarë është kjo, mund të pranohet kjo?

Faktikisht, një rrëfenjë e tërë është sajuar për të demonizuar fëmijët (pasardhësit) e Ismailit a.s. Në literaturën e vonë të hebrenjve, dhe tani në literaturën krishtere evangjeliste fëmijët e Ishmaelit janë të mallkuar, ata janë të ligë dhe feja e tyre është e ligë dhe për këtë arsye Feja Islame është e keqe, sepse kjo është një prejardhje/racë e mallkuar. Dhe e krijuan këtë metodologji. Kështu që ata nuk mund të pranonin që dhurata e pejgamberisë që ata e kishin për një kohë aq të gjatë t’u merrej tutje. Por ajo nuk iu ishte marrë. Kjo është gjëja më interesante. Para se të bëhej obligim Ramazani, Muhamedi a.s. agjëronte po të njëjtat ditë që agjëronin hebrenjtë e Medinës. Pejgamberi falej edhe para ndryshimit të drejtimit (Kiblës) për në Qabe, në çfarë drejtimi? Në drejtim të Jerusalemit (Aksasë), për të ilustruar se feja që ka ardhur nuk është një fe tjetër, është ende feja e Ibrahimit a.s. edhe pse Ismaili dhe Is’haku a.s. kanë dy loza/prejardhje të ndryshme, kjo e fundit nuk e përcakton të vërtetën. E vërteta është e vërtetë. Ndonëse ata ishin të dërguar prej Zotit (loza e Is’hakut), nuk kishin pse të urreheshin prej arabëve pse ishin dërguar te izraelitët. Është i njëjti burim, nga Zoti. Prandaj, edhe Pejgamberi a.s. falej në të njëjtin drejtim dhe agjëronte të njëjtat ditë me hebrenjtë. Detyra e Muhamedit a.s. ishte të konfirmonte atë çka kishte ardhur para tij. Për ta jetuar atë çfarë kishte ardhur para tij. Pra, kishte kiblën e njëjtë dhe agjëronte të njëjtat ditë. Dhe papritmas Allahu vendos se atyre (hebrenjve dhe të krishterëve) u janë dhënë mjaft gjasa dhe se nuk meritonin që të jetojnë të gjithë në një familje gjigante. Duhej që të ndaheshin prej tyre dhe të zhvillonin identitetin e tyre. Pra, muslimanëve po u thuhet se duhet të zhvilloni identitetin tuaj. Duhet të bëheni popull në vete. Ju tani duhet të prezantoni/paraqitni para tjerëve traditën dhe trashëgiminë e pastër të Ibrahimit a.s. pa asnjë devijim. Hapi i parë, pasi jeni popull i ri, duhet të keni një kryeqytet të ri, dhe kryeqyteti duhet të jetë qyteti që e ka ndërtuar babai themeltar, dhe kush ishte ai? Ibrahimi a.s. Pra, ndryshohet drejtimi (kibla), ashtu siç sqarohet në suren Bekare, ku Allahu flet për izraelitët, dhe si ata u shkualifikuan, dhe më pas kur i thotë Ibrahimit a.s. ndërtoje Qabenë, dhe më pas i obligon muslimanët që të falen në drejtim të saj tani, një kryeqytet i ri për ju. Pra, një popull i ri ka kryeqytetin, por ky popull i ri ka edhe kushtetutën, Kuranin. Dhe nëse kushtetuta e re festohet, ajo ditë në të cilën festohet apo implementohet ajo është dita e pavarësisë dhe ajo ditë festohet çdo vit nga populli. Inna enzelnahu fil Lejletil Kadr… (Ne e zbritëm atë (Kuranin) në Natën e Kadrit). Ne nuk e kemi ditën e kushtetutës/pavarësisë por një muaj të tërë të Pavarësisë. Ajo ditë është aq e fuqishme saqë është e pamjaftueshme për ta festuar një ditë, por duhet një muaj festë. Dhe festa e Ramazanit nuk është vetëm manifestim i trashëgimisë së Ibrahimit a.s. por është edhe festë se jemi bërë një populli i ndarë/veçantë i dalluar para Zotit, me kushtetutë të veçantë, me një entitet unik si muslimanë si restaurues të trashëgimisë së Ibrahimit a.s. Kjo është bukuria e kësaj gjëje. Dita në të cilën është ndërruar drejtimi e faljes ishte bërë e ditur se misioni i Pejgamberit a.s. ishte pastrimi i Qabesë ngase ishte shtëpia të cilën e kishte ndërtuar babai dhe nevojitet që të pastrohej. Kur erdhi ajeti Sot e kompletova/përsosa Fenë tuaj? Kur u shkatërruan idhujt në Qabe, atëherë kur kjo trashëgimi e Ibrahimit a.s. u restaurua. Çdo gjë kthehet pas dhe ai mision përmbushet. Kjo me pak fjalë, ishte ajo që kishte të bënte me perspektivën historike të fuqisë dhe vlerës së Ramazanit.

Edhe një gjë të fundit për Ramazanin, Shehru Ramadan el ledhi unizle fihil Kuran, hudel lin nas… Çka do të thotë kjo? Muaji i Ramazanit në të cilin zbriti Kurani, udhëzim për njerëzimin. Para Kuranit kushtetutë e shpallur ishte Tevrati (që i ishte shpallur Musait a.s.). A ishte Tevrati për tërë njerëzimin? Jo. Dhe Pejgamberi i fundit që duhet të vinte supozohej të vinte për arabët? Supozohej të vinte për familjen e Ibrahimit apo supozohej të vinte për tërë njerëzimin? Pra, libri që do të jepej atij do të ishte hudel lin nas, udhëzim për njerëzimin. Allahu e përmend këtë në mënyrë specifike se është udhëzim për tërë njerëzimin dhe në mënyrë specifike e thekson këtë në muajin e Ramazanit, ngase Allahu i zbut zemrat e njerëzve në këtë muaj në tërë rruzullin, muslimanë dhe jomuslimanë qofshin ata. Ne kemi mundësinë të ndajmë në muajin e Ramazanit udhëzim për njerëzimin që nuk e kemi në ndonjë kohë tjetër gjatë vitit. Në Ramazan nuk zbuten vetëm zemrat e muslimanëve, ngase nuk ka thënë Allahu udhëzim për muslimanët, apo për të devotshmit, apo të bindurit, por ka thënë se Kurani është udhëzim për tërë njerëzimin. Kështu që, ndajeni këtë udhëzim në këtë muaj me kolegët, miqtë, partnerët në biznes, familjarë që nuk janë muslimanë. Koha në të cilën duhet të flasim më shumë për Kuranin është Ramazani. Diçka mund t’ua hap zemrat atyre, kush e di.

 

Përktheu dhe përshtati:
Osman D. GASHI

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit