Përshëndetje nga Sarajeva, qyteti i heronjve i cili e gëzon lirinë pa granatat serbe nga kodrat përreth saj

0
64

Gazetari T. Rexhep Elezaj, e ka përkthyer dhe publikuar në faqen e tij në facebook, letrën publike të akademikut boshnjak Mustafa Cerniçit, me të cilën i është drejtuar presidentit serb Aleksandër Vuçiq – përcjell Gazeta e Re. Elezaj u ka bërë ftesë miqve të tij, që “kush ka kohë” ta lexojë këtë letër, që sipastij është me peshë.

Letra e Ceriç titullohet: Përshëndetje nga Sarajeva, qyteti i heronjve i cili e gëzon lirinë pa granatat serbe nga kodrat përreth saj

Autor: dr. Mustafa Ceriç

Përkthyes: Rexhep Elezaj

“I dashur “mik” Vuçiç,

Kaherë kam menduar t’iu shkruaj, por gjithnjë më ka penguar ndonjë punë e vogël apo e madhe. Edhe sot kam obligime, por për mua deklarata juaj e fundit drejtuar Boshnjakëve: “Të përfitojnë nga ajo … Ju keni miq në Beograd dhe në Serbi”, më ka prekur shumë, aq sa i kam shtyrë të gjitha obligimet e mia për t’iu shkruar këtë letër të hapur.

Letra është e hapur, sepse thirrja e juaj është e hapur për boshnjakët, që t’i kthehen ose t’i drejtohen Beogradit dhe Serbisë, sepse atje kanë miq..! Kam menduar se Boshnjakët gjithmonë kishin miq në Beograd, por nga kjo thirrje juaj mund të konstatohet, se ata nuk kanë aty miq. Ju, thoni se boshnjakët tani kanë një “mik” ose “miq”, derisa ju jeni ai që jeni: President i Serbisë. Boshnjakët e kujtojnë edhe mbretin e Jugosllavisë, Aleksandrin, i cili iu foli atyre në mënyrë të ngjashme. Disa boshnjakë i besuan atij, dhe shumë nga ata nuk arritën, sepse në ndërkohë ai (Aleksandri) bëri gjenocid në Plavë dhe Guci. Ju tani nuk jeni formalisht mbreti serb Alexander, dhe, prandaj thirrja juaj Boshnjakëve nuk është mbretërore, por vetëm Vuçiqjane, e cila tingëllon si një thirrje e mëshirshme (millosheviçiste)..!?

Si boshnjak, e pranoj – është bujari kjo që ju të kujdeseni për Boshnjakët në këtë mënyrë kaq “miqësore”. Ne nuk jemi mësuar me thirrje të këtilla mëshiruese nga Beogradi. Sidomos jo, kur në Beograd gjendet për vizitë ose në ahengje Milorad Dodiku, i cili aktualisht ulet në Presidencën e shtetit boshnjak. Nga Dodiku, në praninë tuaj ose miqve tuaj të preferuar në TVRS-in, apo në konferenca me gazetarë, ne dëgjojmë nga Beogradi vetëm kërcënime, mallkime dhe fyerje në kurriz të Bosnjës dhe Boshnjakëve, në llogari të gjithë njerëzve mendje shëndoshë. Kjo është arsyeja se pse thirrja juaj për ne Boshnjakët është befasuese, sepse kemi pa se ju, Dodiku dhe Patriarku serb Irinej, këto ditë ishit bërë së bashku sikur shufrat në një tupan. Dhe ata, Dodiku dhe Patriarku, nuk janë ashtu siç po flisni ju. Sidomos këtyre ditëve, kur nëpër Bosnjë po shpërndahen orgji çetnike-fashiste përmes këngëve dhe paradave policore-ushtarake, të cilat janë të frikshme për Boshnjakët, sikur dikur në Srebrenicë dhe në Banja Llukë. Ne, në ato fotografi, përkatësisht në ato murmurima serbo-çetnike nuk e pamë atë mik(miq) ndaj Boshnjakëve për të cilën ju po flisni. Të gjitha këto neve Boshnjakëve na ngjanin njëjtë si dikur në kohën e të mëshirshmit Millosheviq: “Të gjithë serbët në një shtet”.

Rastësisht këto ditë e lexova “Eneidën” e Virgjilit, ku shkruan: “Unë i frikësohem Dajanëve, edhe kur ata të sjellin dhurata” (lat “Timeo Danaos et dona ferentes”.). Kështu ndjehen sot Boshnjakët pas thirrjes tuaj paternaliste – “ata kanë frikë nga mohuesit e gjenocidit edhe kur ofrojnë miqësi”. Sepse boshnjakët ishin ngopur nga dëgjimi i tregimeve të bukura dhe mesazhet e rreme nga ish-mbreti jugosllav, Alexandrit, deri tek mbreti aktual serb Aleksandër (Vuçiç, v.j.). Boshnjakët njëherë besuan se ju, mbreti “serb” i tanishëm, mund të ishit paraardhësi i “mbretit” maqedonas Zajev. Boshnjakët kanë shpresuar shumë në këtë, sepse edhe një herë në mënyrë naive besuan se mendja serbe, politika serbe dhe feja serbe kanë përjetuar katarsis të vërtetë pas disfatës së pushtimeve serbe nga Sllovenia, Kroacia, pastaj pas gjenocidit serb në Bosnjë dhe masakrave në Kosovë.

Por kjo, shihet qartë, o Vuçiç, se nuk të ka shkuar për dore. Ty nuk t’u ka dhënë të jesh Zajevi serb, sikurse ai i Maqedonisë, i cili nga Maqedonia e vogël bëri histori të madhe në Ballkan dhe në Evropë, ngase po sillet në mënyrë të civilizuar-demokratike, sepse në mendjen tij nuk ka asnjë paragjykim etnik, as marrëzi politike, as prishje morale dhe as Maqedoni iluzore, por ka kontakt të vërtetë me vetveten dhe me botën. Ndërsa ju, Vuçiç, ende nuk e dini se çka pikërisht dëshironi, përveç se t’iu dërgoni mesazhe konfuze fqinjëve tuaj, dhe për këtë arsye Serbia nuk ka miq në Ballkan. Nëse këto ju nuk i shihni, më lejoni t’iu kujtoj, që Syri tjetër në kokën tuaj, Mali i Zi, iu shikon shtrembët nën sy, me Kroacinë keni marrëdhënie të tensionuara, Maqedonia ka frikë nga politika e juaj, kurse Kosova qe disa vite është në ngërç, por edhe ju me Kosovën. Ju nuk jeni as në ndonjë dashuri me Bullgarinë, Hungarinë apo Rumaninë. Nënën tuaj Rusinë, ju e doni më shumës sesa nëna që iu donë juve, por për këtë krejt njësoj. Është e rëndësishme që ju të keni një maramë të kuqe, Rusinë, me të cilën ju mund të valëvitni para syve të fqinjëve tuaj, veçanërisht para Bosnjës, e cila tani për tani ka mbetur dhe është bërë trageti i vetëm për ta provuar hajdutllëkun dhe trimërinë e Serbisë, ngase të gjitha objektivat (caqet) tjera në Ballkan i keni huq.

Zoti Vuçiç, ka Boshnjakë të cilët këto do ua bënin hallall, por nuk mund dhe nuk do ua bëjnë hallall që ju t’i trajtoni ata si foshnje të parakohshme, të cilëve iu duhet kujdesi paternalist i Beogradit, të cilëve iu duhet përqafimi juaj i drakullës në Beograd. Çështja është, o Vuçiç, tërësisht e kundërt. Ju duhet të pyesni veten a keni një mik (miq) në Sarajevë, pas asaj që e keni qëlluar këtë qytet nga kodrat për rreth saj. Boshnjakët nuk kanë marrë në shenjë Beogradin që më pas ta pyesin veten, a kanë një mik (miq) në atë qytet. Sepse Boshnjakët e dinë se nuk i kanë (miqtë) në Beograd, sepse po t’i kishin, Boshnjakët në Sanxhak (miqtë), ata do t’i kishin të drejtat elementare njerëzore, të cilat iu takojnë atyre, dhe nuk do t’iu ndahej bashkësia islame në dy pjesë, që të sundohen më lehtë, nuk do t’iu mohohej e drejta për ta regjistruar universitetin e tyre, në mënyrë që t’iu tregohet se në Serbi nuk janë të barabartë dhe se ata duhet të shantazhohen në ushtrimin e të drejtave më të vogla të tyre për t’i detyruar që verbërisht të nënshtrohen dhe të jenë të përshtatshëm (sistemit, v.j.).

Epo, zotëri, Vuçiç, arsyeja kryesore që po iu shkruaj këtë letër të hapur është, që t’iu them me zë të lartë dhe të qartë nga Sarajeva, nga qyteti të cilin ju e morët në shënjestër me pushkë nga kodrat për rreth Sarajevës – që t’iu them; kurrë më mos iu drejtoni Boshnjakëve të Bosnjës si një grupi etnik të lënë pas dore, por si një kombi shtet-formues, domethënë shtetit boshnjak. Ju, zotëri. Vuçiç, u thoni Boshnjakëve në Sanxhak se kanë një “mik (miq)” në Beograd, dhe ftoni ata të bisedoni me ta për zgjidhjen e problemeve të tyre në Novi Pazar dhe në gjithë Sanxhakun. Dhe, sa na përket ne Boshnjakëve në Bosnjë, ne jemi të prezantuar përmes shtetit të Bosnjës, dhe për këtë kur të na drejtoheni neve, drejtohuni përmes institucioneve të shtetit të Bosnjës si dhe respektojeni sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit të Bosnjës, andaj ndërprisni mbështetjen tuaj Milorad Dodikut, i cili i ka shkelur të gjitha normat kushtetuese, politike dhe standardet morale të Bosnjës. Unë e di që juve një gjë e tillë nuk iu bie fare në mend, të paktën tani për tani, por me siguri do të vijë një kohë kur ju do ta respektoni patjetër shtetin e pavarur dhe të lirë të Bosnjës, sepse në Bosnjë nuk ka vetëm Boshnjakë që kanë një mik (miq) në Beograd dhe Serbi, aty jetojnë kryesisht Boshnjakë, si qytetarë të lirë të shtetit të Bosnjës, i cili përbëhet nga grupet etnike të serbëve, kroatëve, boshnjakëve, hebrenjve, hungarezëve, çekëve, italianëve, sllovenëve dhe të tjerëve. Dhe, kur këto fakte të kuptohen dhe pranohen në Beograd dhe Serbi, atëherë ne qytetarët e lirë në Bosnje mund të themi se kemi miq në Beograd dhe në Serbi, por këtë mund ta themi vetëm ne pa suflerimin tuaj. Ne në Bosnje do të tregojmë pastaj se ku dhe kush janë miqtë tanë. Askush nuk duhet të na mësojë.

Por, më e keqja që e kemi mësuar në deklaratën tuaj, ishte shqetësimi juaj për kroatët në Bosnje, i cili është reflektuar në “dhimbjen” tuaj për kroatët, të cilët gjoja nuk janë kujdesur sa duhet për ekskluzivitetin e tyre etnik në Bosnje. Neve në Bosnjë asgjë nuk na befason nga Beogradi, por ky shqetësimi juaj për kroatët në Bosnjë dhe i shfaqur në këtë mënyrë është për ne, vërtetë, i befasishëm. Kjo, vërtetë, është e pashpjegueshme për ne. Në të kundërtën, neve na vjen keq për kroatët në Bosnje, të cilët kanë rënë në këtë pozitë që ju nga Beogradi të kujdeseni për statusin e tyre në Bosnjë. Na vjen keq, por tani më e kemi kuptuar se pse Çoviçi dhe Dodiku puthën dhe përqafohen aq ëmbël. Por ky lloj i “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” kundër shtetit boshnjak tashmë është dënuar. Na vjen keq për ty, Dodikun dhe Çoviqin, sepse ju ende nuk mund ta kuptoni dot këtë. Por, z. Vuçiç, ju faleminderit për sinqeritetin tuaj, sepse ju kështu na i hapni sytë dhe na shëroni nga naiviteti ynë boshnjak. Unë shpresoj se kjo letra ime e hapur ka për t’iu gjetur në “pushim” nga “brenga” juaj për Bosnjën, Boshnjakët dhe Kroatët, sepse ju keni shumë shqetësime rreth Kosovës, rreth demonstratave në Serbi, rreth vizitës së Putinit dhe pozitës së Rusisë në botë.

Një përshëndetje e bukur nga Sarajeva dimërore, një qytet hero i cili e gëzon lirinë pa predhat serbe nga kodrat përreth saj..!?”