Përmbytje në Tiranë, bashkia dhe policia marrin masa

0
61

Si pasojë e situatës së krijuar nga intensiteti i lartë të rreshjeve në kryeqytet, Bashkia e Tiranës dhe Policia e Shtetit kanë nisur nga puna për normalizimin e situatës në kryeqytet.

Në një deklaratë të saj, Bashkia e Tiranës thekson se ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme dhe ka mobilizuar të gjithë punonjësit e Ndërmarrjes nr. 2 të Ujësjellës – Kanalizimeve, operatorët e pastrimit, me qëllim rikthimin e situatës në normalitet. Po kështu, po bashkëpunohet me Shërbimin Zjarrfikës, për të bërë të mundur largimin e ujit me bote, në pjesët më problematike.
Gjithashtu, në rrugët e Tiranës janë vendosur rreth 150 policë bashkiake dhe 20 mjete, ndërkohë që Policia e Rendit ka përforcuar shërbimet e saj në zonat problematike, ka shtuar patrullat e përgjithshme dhe shërbimet e Policisë Rrugore, pasi rreshjet e shumta kanë bërë të mundur që një numër semaforësh të jenë jashtë funksionit. Njëkohësisht është devijuar qarkullimi i mjeteve, në rrugën “Don Bosko”.
Situata më problematike nga rreshjet paraqitet kryesisht në rrugën “Don Bosko”, në “Kombinat”, tek rruga “Hoxha Tahsin”, në drejtim të Farmacisë 10 dhe tek Ura e Madhe e Dajtit./BS/kohaislame