14.2 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Përmbytet shkolla që inauguroi Veliaj: Tenderi 450 mln lekë

Më të lexuarat

Kjo që shihni në foto është shkolla 9-vjeçare “Sabaudin Gabrani” në Tiranë. Mëngjesi i sotëm e gjeti të përmbytur dhe me mure të lagura, për shkak të stuhisë së shiut.

Dhe kjo nuk është hera e parë që kjo godinë përmbytet, por ndryshe nga herët e tjera, këtë vit shkolla ishte e rikonstruktuar dhe “presupozohej” se nuk do kishte më përmbytje.

Në fillim le të shohim se çfarë ka deklaruar kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj më datë 3 shtator të këtij viti.

“Shkolla “Sabaudin Gabrani 1” në Nj.7, iu shtua listës së shkollave ekzistuese të rehabilituara në Tiranë.
Janë kryer këto punime:
Rikonstruksioni i këndëve sportive
Rikonstruksioni i tarracës
Ndriçimi LED
Instalimi i sistemit të ngrohjes
Riparim i nyjeve sanitare
Riparim i rrjetit elektrik
Sistemim i rrjetit të kanalizimeve”.

 

Kjo shkollë u rikonstruktua me fondet e Bashkisë së Tiranës, por siç dimë këto fonde burojnë nga taksa e arsimit që derdhin qytetarët dhe bizneset çdo muaj.

Vlera e tenderit ishte 50 milionë lekë (ose 500 milionë lekë të vjetra). Fituese u shpall kompania “Klajger Konstruksion” e cila bëri ofertën më të ulët me vlerë 45, 453,275 lekë (mbi 450 milionë lekë të vjetra). (shih më poshtë të dhënat e Open Data)

Siç pretendon Erion Veliaj me këto para u bënë një sërë punimesh, mes tyre dhe sistemi i kanalizimeve apo tarraca.

Fotot dhe videot që shoqërojnë këtë shkrim tregojnë qartë se shkolla u përmbyt vetëm 1 javë pasi nxënësit nisën mësim në shkollën e rikonstruktuar. Jo vetëm që uji pushtoi oborrin, por hyri dhe në disa klasa në katin e parë. Po kështu fotot tregojnë qartë edhe tavanin e lagur nëpër klasa. Kësisoj, tarraca i bie që nuk është riparuar, po kaq rrjeti i ri i kanalizimeve, siç pretendoi kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk është bërë i plotë.

Gazeta Mapo pyeti zëdhënësin e Bashkisë së Tiranës, lidhur me problemet që u konstatuan në shkollat e kryeqytetit  nga reshjet e shiut. Ai tha se “përpos tre shkollave që raportuam në mëngjes, nuk ka patur probleme në shkollat apo kopshtet e tjera”. Sipas tij, ato janë pastruar dhe s’ka asnjë problem”. I pyetur specifikisht për shkollën e rikonstruktuar “Sabaudin Gabrani” dhe fondet e harxhuara për të, zëdhënësi i bashkisë preferoi të hesht!!

Ndërsa, ministrja e Arsimit, Besa Shahni njoftoi në mëngjes se “është pezulluar mësimi në tre institucione arsimore, konrektisht “Sabaudin Gabrani”, shkolla 9-vjeçare “Yzberisht” dhe shkolla 9-vjeçare Lalm, për shkak se uji ka hyrë në katet e para dhe oborret e shkollave”.

Por, më pas postimi i ministres në facebook u modifikua, duke lënë vetëm pjesën “uji ka hyrë në oborre”.

Por, nëse Shahini mban përgjegjësi për librat apo mësuesit, për godinat përgjegjësia është direkte e pushtetit vendor, dhe në rastin konkret e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Veliaj. /Mapo.al

*Më poshtë të dhënat e Open Data për tenderin

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit