7.8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Përkthimi i një ajeti dhe dukuria e shfaqjes së foljeve me reksion të ri në gjuhën shqipe

Më të lexuarat

Gjithsesi, këtij shkrimi për gjuhën, po përpiqemi t’i japin edhe karakter njohës e sensibilizues për rregullat dhe prirjet e shqipes, e edhe karakter orientues në problemin që del dhe në zgjidhjen që jepet.

 

Për t’ia arritur këtij qëllimi, hera herës na duhet të shpjegojmë terma e nocione gramatikore, pasi shkrimi nuk u drejtohet vetëm ekspertëve të gramatikës së gjuhës shqipe.

Fjala është për ajetin 183 të sures “el-bekare”, të cilin në botimin e katërt të përkthimit shqip të Kuranit të ‘Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam’ e gjejmë të përkthyer kështu: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat”.

Problemi qëndron te lidhja e foljes ‘urdhëroj’ me gjymtyrët e tjera të fjalisë. A është lidhur në këtë përkthim folja ‘urdhëroj’ me gjymtyrët e tjera sipas natyrës së shqipes?

Që një fjalë ta drejtojë një fjalë tjetër në një rasë të caktuar, kjo quhet reksion i asaj fjale. Pra, reksioni është vetia e një fjale për t’u bashkuar me fjalë të tjera duke i sunduar(drejtuar) në një rasë të caktuar( në gjuhën arabe quhet ‘el-amel’ dhe për të huajt që duan ta mësojnë këtë gjuhë ka rëndësi të dorës së parë pedagogjike njohja e shfaqjeve të reksionit dhe e karakteristikave të tij në këtë gjuhë).

Në shqipen thuhet ”komandanti e urdhëron ushtarin”, por nuk thuhet dot ”Komandanti i urdhëron ushtarit” dhe, rrjedhimisht, nuk thuhet dot ”ushtarit i urdhërohet mbajtja e pushkës”.

Siç kuptohet qartë dhe nga ky shembull, folja ‘urdhëroj’ ka vetëm një reksion: mund ta drejtojë vetëm një emër a një fjalë me vlerë të emrit në rasën kallzore, ka reksion kalimtar të drejtë dhe nuk ka reksion kalimtar të zhdrejtë (reksion kalimtar i drejtë quhet reksioni i foljes që ka mundësi të marrë kundrinor të drejtë, kurse reksion kalimtar i zhdrejtë quhet reksioni i foljes që merr kundrinor të zhdrejtë pa parafjalë).

Për ta treguar përmbajtjen e urdhrit, në shqipen shërbehemi me parafjalën ‘për’, si: “Komandanti e urdhëroi ushtarin për mbajtjen e pushkës”.

Pra, themi: “Allahu i urdhëroi besimtarët për agjërim”, por kurrsesi ”Allahu ua ka urdhëruar besimtarëve agjërimin” dhe as ”Besimtarëve u është urdhëruar agjërimi; Juve ju është urdhëruar agjërimi; U ishte urdhëruar agjërimi”.

Vërtet, me kalimin e kohës sikur gjithçka në jetë që, – siç thotë filozofi grek Herakliu,- rrjedh; disa folje fitojnë reksion që nuk kanë pasur më herët, por folja ‘urdhëroj’ nuk është prej të tillave.

Pse nuk mund të fitojë reksion të tillë folja ‘urdhëroj’?

Ta zëmë, folja ‘përfundoj’ më herët ka pasur reksion kalimtar të drejtë, është thënë ” përfundoi luftën”, atëherë s’ka pasur kuptim të thuhet siç thuhet sot ” përfundoi lufta, përfundoi ora” se shtrohej pyetja pashmangshëm:”çka ose kë ajo përfundoi?”, por me kalimin e kohës ka fituar edhe reksionin zero dhe sot e qe sa kohë mund të themi krejt natyrshëm “përfundoi lufta, përfundoi ora” dhe na fle kuptimi.

Folja ‘qesh’ si reksion primar ka reksionin jokalimtar (reksionin zero), si në fjalinë ”Ai po qan”, por me kalimin e kohës ka fituar edhe reksion kalimtar të drejtë, si: “Ai e qan djalin”.

Folja ‘hyj’ ka pasur reksion jokalimtar (reksion zero), por ka fituar edhe reksion kalimtar të zhdrejtë, si: Ai i hyri kësaj pune”.

Disa folje sot krahas me reksion kalimtar të zhdrejtë, shfaqen edhe me reksion kalimtar të drejtë, si foljet: besoj, ndihmoj, përballoj…Themi: I besoj dhe e besoj; i ndihmoj dhe e ndihmoj. Disa gjuhëtarë ende mbajnë qëndrim mohues ndaj reksionit të ri të fituar të këtyre foljeve.

Ndonjë folje, madje, shfaqet me tri reksione, si folja ‘flas’, mund të themi: ai flet bukur; ai flet anglishten; ai i flet djalit.

Dukuria e shtimit të reksionit të një foljeje është vërtetuar të jetë evolucion relativisht i vonë, por dhe i pandërprerë. Foljet me reksionet e reja të fituara më shumë shfaqen në gjuhën e shkruar, sepse gjuha e folur është më konservative në këtë plan dhe se në gjuhën e shkruar ka më shumë nuanca që duhen theksuar dhe më shumë nevojë për diferencime stilistike të kuptimeve të fjalëve.

Shembujt e foljeve me reksione të reja që i paraqitëm më lart i zgjodhëm me qëllimin që ato të përfaqësojnë drejtimet në të cilat shfaqet dukuria e shtimit natyral të reksionit të foljeve në gjuhën shqipe.

Pamë të kishte folje që duke pasur reksion zero fitojnë reksion kalimtar të drejtë(qesh – e qesh); që duke pasur reksion zero fitojnë reksion kalimtar të zhdrejtë (hyj – i hyj) dhe folje që duke pasur reksion kalimtar të zhdrejtë fitojnë reksion kalimtar të drejtë (i ndihmoj – e ndihmoj; i përballoj – e përballoj) .

Nga sa u shtjellua mund të përgjithësojmë prirjen në gjuhën shqipe që foljet të fitojnë reksion të ri duke kërkuar raportin gjithnjë e më të drejtpërdrejtë.

Nga kjo e dhënë duhet të kuptojmë që në gjithë ato raste ku folja fiton reksion më të zhdrejtë seç ka pasur për ndërtimin e të njëjtit raport ndërmjet fjalëve, reksioni i tillë është i papërligjur, këtu bëjnë pjesë edhe kalket sllave që kanë depërtuar në gjuhën e medieve te ne, si: udhëheq me këtë sektor, trafikon me qenie njerëzore, në vend të: udhëheq këtë sektor, trafikon qenie njerëzore.

Te rasti i foljes ’i urdhëroj atij’, reksioni i ri që i jepet foljes quhet i papërligjur jo pse fjalorët e gjuhës shqipe dhe fjalori drejtshkrimor nuk ia njohin këtë kuptim e këtë përdorim (se gjuha rëndom ndryshon), por pse përbën lëvizje të dhunshme të gjuhës, nuk shkon sipas prirjeve zhvillimore të shqipes dhe prandaj tingëllon i panatyrshëm. Siç e pamë më lart, nuk ka folje në shqipen që të kishte pasur reksion kalimtar të drejtë e që të ketë fituar reksion kalimtar të zhdrejtë.

Janë të shumta shkaqet që një foljeje i japin shfaqje me reksion të ri, si përkthimi, nevoja për diferencim stilistikor të kuptimeve…

Në rastin e foljes ‘urdhëroj’ nuk është shkak përkthimi, sepse në origjinalin as që përmendet folja ‘urdhëroj’, por, si dhe për shumë raste të tjera, shkak për ta sjellë shfaqjen e foljes me reksion të ri është analogjia e sipërfaqshme me folje që kanë fituar reksion të tillë dhe nevoja për t’i lidhur elementet e një koncepti në raporte sa më të drejtpërdrejta sintaksore.

Nëse patjetër do të donim ta përdornim foljen ’urdhëroj’ gjatë përkthimit të ajetit përkatës, mund ta përkthenim kështu:”… jeni urdhëruar për agjërim…”, por kurrsesi”… ju është urdhëruar agjërimi…”.

Nuk e kam në dorë as di nëse gjendet diku dorëshkrimi i përkthimit të Kuranit të Hasan Nahit, por duke u mbështetur në argumente gjuhësore (gjendja e gjuhës në kohën kur është përkthyer; diskursi gjuhësor i përkthyesit; zhvillimi në kohë, në hapësirë dhe në shtresa sociokulturore i dukurisë së shtimit të reksioneve të foljeve) më del se te ajeti i agjërimit përdorimi i foljes ’ urdhëroj’ ashtu siç e gjejmë sot në përkthim të tij është ‘marifet’ i atyre që e kanë redaktuar gjuhësisht.

 

 

Autor: Ilmi Rexhepi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit