12.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Përfundon konferenca e OKB-së për biodiversitetin

Më të lexuarat

Dakordim i vështirë në Konferencën e OKB-së për mbrojtjen e biodiversitetit në Indi. Shtetet e industrializuara do t’i dyfishojnë kontributet e tyre për vendet në zhvillim për të ruajtur shumëllojshmërinë biologjike.
Kryeministri i Indisë, Manmohan Sing, mikpritës i konferencës, e shprehu qartë se ku qendron problemi:
“Pikërisht vitet e fundit është bërë veçanërisht i vështirë përcaktimi i objektivave të përbashkëta për mbrojtjen e natyrës. Kjo në një kohë kur ne sot dimë më tepër se më parë për kërcënimin global.”

Konferenca e 11-të për mbrojtjen e biodiversitetit në Hyderabad mblodhi rreth 14.000 delegatë nga më shumë se 190 vende. Në diskutimet e tyre doli qartë në pah se mbrojtja e biodiversitetit kudo në botë ka konkurentë të fortë. Vendet në zhvillim dhe ato në ekspansion ekonomik duan të rriten ekonomikisht dhe të mos heqin dorë nga zhvillimi industrial sipas modelit perëndimor, gjë që në njëfarë mënyrë nënkupton shfrytëzimin e natyrës duke e zhvatur atë. Për kryeministrin indian këto konflikte janë përditshmëri politike. A duhet të miratojë qeveria e tij projekte për ndërtim minierash, të cilat shkatërrojnë xhungla me vlerë dhe dëbojnë banorët e lashtë të tyre? A duhet të ndërtohen diga gjigante, për të prodhuar energji? Në fjalimin e tij, Manmohan Singh theksoi luftimin e varfërisë, që është në konkurencë me mbrojtjen e biodiversitetit. Në vendin në ekspansion ekonomik, Indi, vazhdojnë të jetojnë më shumë se 400 milionë vetë me më pak se një euro në ditë.
“Të varfërit jetojnë në kufirin e minimumit të ekzistencës. Ata nuk duhet të mbajnë edhe shpenzimet për mbrojtjen e përbotshme të biodiversitetit, në një kohë kur prej kësaj përfiton i gjithë njerëzimi.”

Suksesi: dyfishimi i kontributeve pro biodiversitetit
Vendet e pasura nga ana tjetër rënkojnë nën pasojat e eurokrizës dhe nuk duan të bëjnë premtime afatgjata financiare. Në fund të konferencës së 11-të të OKB-së për mbrojtjen e biodiversitetit pati lëvizje në pozicionet e të dyja palëve. Përpjekjet e vazhdueshme për financimin madje u zgjatën përtej mesnatës. Delegatët ranë dakord që vitet e ardhshme të vënë shumë më tepër para në dispozicion se deri tani për mbrojtjen e përbotshme të biodiversitetit. Vendet afrikane, për shembull, shprehën detyrimin që ta përfshijnë mbrojtjen e biodiversitetit në planet e tyre buxhetore.

Shtetet e industrializuara premtuan që deri në vitin 2015 do t’i dyfishojnë kontributet e tyre për ruajtjen e shumëllojshmërisë biologjike- në rreth 8 miliardë euro në vit. Pjesën më të madhe të këtyre parave e vë në dispozicion BE. Që tani, vendet e BE me kontributin prej 3 miliardë euro përballojnë më shumë se gjysmën e të gjitha shpenzimeve për projektet ndërkombëtare të mbrojtjes së natyrës, për shembull në zonat pyjore dhe të mbrojtjes së deteve. SHBA nuk e kanë nënshkruar marrëveshjen për mbrojtjen e biodiversitetit, prandaj edhe nuk qenë të pranishme në konferencën dyjavore. Sipas të dhënave të gazetës Times of India, organizimi i konferencës gjigande u kushtoi organizatorëve më shumë se 1,2 milionë euro. Kjo është e barabartë me rreth 4 përqind të buxhetit të përgjithshëm të ministrisë indiane të Ambjentit./dw

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit