Përdorimi i lirisë në Islam – Fatmir Baçi

0
137

Përdorimi i lirisë në Islam

Liria dhe përdorimi i saj me sa më pak firo në Islam është një nga çështjet kyçe e cila ka vendin e posaçëm në të pesë shtyllat e fesë, e domosdo edhe në gjashtë kushtet e besimit. Natyrisht që trajtimi i një tematike të tillë me imtësi dhe deri në detaje do të kërkonte kohë, ekipe dhe vëllime të tëra e që gjithsesi do mbeteshin të pjesëshme për vetë faktin se arsyeja njerëzore jo vetëm është e kufizuar në kohë dhe hapësirë, por edhe për atë se mendja e njeriut nuk mund të jetë ndryshe veçse kontradiktore. Një tjetër pamundësi e mendjes së njeriut për definicion, është se assesi nuk mundet të vërë në përdorim arsyen dhe të jetë njëkohësisht e përjashtuar nga arsyetimi i vet, që do të thotë, se të qënit shkak në të njëjtin çast është edhe pasojë si subjekt i së njëjtës shoqëri njerëzore. Pra, mendja e njeriut mundet të jetë intriguese, por nuk mundet të përjashtojë vetveten nga intriga që ngriti. Me fjalë të tjera, për të kuptuar lirinë, është e domosdoshme, që krahas asaj që dimë dhe pranojmë të përpiqemi me të gjitha mënyrat ta praktikojmë atë, pa lënë jashtë vëmendjes asnjë nga elementët që na këshillon Pejgamberi a.s.. Pra: ta shpallim me gojë, ta pranojmë me zemër dhe ta veprojmë me gjithë qënien tonë. Duke iu referuar Hadithit, cilado shmangie, sado e vogël, respektivisht nga fjala, nga sinqeriteti, apo nga veprimi, të devijon nga rruga drejt qëllimit fisnik, e për pasojë, edhe në rrënimin e kuptimit të lirisë, që Allahu xh.sh. ia ka dhuruar njeriut. Rrjedhimi i këtij moskuptimi të lirisë, është ai grup që Allahu xh.sh. në Kuran i cilëson si “ata që flasin atë që nuk e veprojnë” (Zoti na ruajtë prej tyre). Pra, liria, njeriut i është dhënë jo që ta përflasë por që ta përdorë, dhe në bazë të këtij përdorimi të lirisë në këtë botë të përkohëshme, të marrë shpërblimin ose ndëshkimin në përjetësi.

Thellimi dhe shtrirja

Liria në kuptimin ekzistencial i takon pjesës së pavetëdijshme të njeriut dhe çdo intervenim në të shkakton anomali ose ndërprerje të vetë ekzistencës,meqenëse arsyeja e njeriut nuk është e aftë të ndërhyjë në ekzistencë e as në natyrën e krijimit pa qenë e shoqëruar kjo edhe me pasojat e sipërpërmendura. Shkurt, njeriu nuk mund të gëlltisë as edhe një aspirinë që krahas efektit të dëshiruar (të dobishëm) të eliminojë edhe disa efekte të tjera anësore të padëshiruara (të padobishme e deri të dëmshme). Aq më pak mund të kontrollojë zemrën, mushkëritë, sistemin nervor, nevojën për ushqim, etjen, kërkesën për strehim, etj.

Me fjalë të tjera ekzistenca biologjike nuk përcakton disponimin e lirisë tek njeriu, pasiqë rregullimi i këtij sistemi i takon formës definitive të njeriut, përcaktuar nga Allahu xh.sh., e cila nuk mund të ndryshohet përpos me pasoja të rënda. Ekzistencën mund ta gjymtojmë dhe jo t’ia ndryshojmë strukturën pa i bashkëshoqëruar gjymtimin. Ajo që mund të konstatojmë për mënyrën e krijimit është rregulli i përsosur dhe i pandryshueshëm që nga qeliza më e thjeshtë e deri tek procesi i riprodhimit.Pra në struktutën biologjike të njeriut nuk mund të bëhet fjalë për liri, pasi ajo nuk na është dhënë ta përdorim përmes vetëdijes tonë, dhe po ta krahasojmë me një makinë ajo i ngjan motorrit i cili punon shpejt ose ngadalë, qëndron në vend apo ecën, me kapacitet të plotë ose jo, por që kurrë nuk bart përgjegjësi për drejtimin e makinës. Kjo përgjegjësi i takon timonit dhe pikërisht kjo është liria me të cilën është e ngarkuar arsyeja, për të cilën jemi pyetur si pasardhës të Ademit që në krijim, për të cilën kemi dhënë premtimin dhe do të gjykohemi në Ditën e Madhe në masën se sa e përmbushëm këtë premtim. Pikërisht kjo liri që na bën të dallohemi nga qëniet e tjera do të jetë objekt i këtyre radhëve që insha-Allah do të rezultojnë edhe të dobishme duke theksuar se “çdo të mirë e kemi nga Allahu xh.xh.dhe çdo të keqe e kemi nga vetvetja”.

Sheshveprimi në të cilin liria vihet në veprim është vetëdija e njeriut, pra arsyeja. Në mënyrë shumë kuptimplote Allahu xh.sh. në Kur’an na tërheq vëmendjen mjaft shpesh me përcaktorët “ për ata që mendojnë”, “për ata që duan dije”, “për ata që kuptojnë” e të tjera të ngjashme që vërtetojnë se përgjegjësia për lirinë që disponojmë si dhuratë nga Zoti, është pikë së pari përzgjedhje e vullnetshme e arsyes së aftë për këtë zgjedhje, dhe kjo në situata të ndërgjegjes me efiçencë të plotë.

Situatat jashtë kësaj veprimtarie të ndërgjegjshme na i sqaron hadithi i Pejgamberit a.s. ku thuhet se: “Për tre gjëra umeti im nuk do të merret në përgjegjësi; për padijen, për harresën, dhe për detyrimin me dhunë”. Të tre këto situata nuk përkojnë me përgjegjshmërinë e individit. Liria dhe vetëdija janë të pandashme në Islam.

Tek kafsha ekzistenca është qëllim dhe bëhet drejtuese e të gjitha veprimeve përmes instikteve. Te njeriu, ekzistenca është mjet përmes të cilit duhet të përballojë sprovat me vendosjen e kontrollit të vetëdijes mbi instiktet, që hapat e tij të jenë sa më të sigurtë drejt qëllimit, shpërblimit në këtë botë dhe botën e përtejme. Në të kundërt njeriu bëhet më i keq se kafsha pasi atë që kafsha e vepron pa arsye duke iu nënshtruar instiktit, njeriu i bjerrur keqpërdor lirinë, pra vetëdijen për të arsyetuar instiktet e veta; “…epshet e veta i marrin për zot…”- thotë Allahu xh. sh. në Kuran. Meqë liria i takon arsyes si do ta arsyetojë atë një musliman në mënyrë që të mos vendoset në kontradiktë me devocionin e vet dhe qëllimin final, qëllim ky i qartë për çdo praktikant të fesë Islame, arritjen e kënaqësisë së Allahut xh. sh..

Dy vështrime

Sado e njohur dhe e vjetëruar të jetë ideja se liria nuk është gjë tjetër veçse zgjedhje midis dy ose më shumë mundësive, do ta riformulojmë: Lirinë do ta konsiderojmë ashtu siç është; alternativizëm, pra afirmim të njeriut si qenie që realizon vetveten, pra si pozicionim metodik i njeriut në dobi të rendit dhe në kundërshtim ndaj kaosit. Kjo do të thotë se ekzistenca e njeriut zhvillohet përgjatë zgjedhjeve alternative të njëpasnjëshme, të cilat të shoqëruara me një perspektivë finale të pandryshuar, siç është vdekja, i japin kuptim zgjatjes së rrjedhës kohore. Kështu do të pranojmë që liria si zgjedhje dhe momenti i pranisë së saj, janë të domosdoshme. Njeriu nuk mund të ndërtojë ekzistencën e vet pa zgjedhur. Nuk mundet që grafiku i jetës së tij të jetë rrethi i përsosur, i cili do të nënkuptonte, si burim apo si shtysë lëvizjen e përjetshme. Pra, sikurse në botën fizike nuk mund të lëvizet vazhdimisht pa një burim energjie, edhe në botën shpirtërore dhe morale nuk mund të krijohet lëvizja pa një burim të vazhdueshëm shtytjeje, që është momenti i konsumit të lirisë, si dhe ripërtëritja e këtyre momenteve përgjatë rrjedhës kohore. Në parantezë shtojmë se është e vërtetë që liria mundet të kalojë në padije (p.sh. frymëmarrja), por kjo nuk do të thotë se është fakultative dhe jo e domosdoshme.

Atë që ne teknikisht e quajtëm moment të zgjedhjes do të duhet që t’i japim kontekst, pra të prcaktojmë se prej nga ku vjen e për ku shkon njeriu nëpërmjet këtij momenti të konsumit të lirisë.

Ç’farë i jep kuptim të domosdoshmes? Ku e mbështet alternativizmi fuqinë e tij për ta thithur në vazhdimsi njeriun brenda territorit të lirisë? Allahu xh.sh. në Kuran thotë: “…..dhe i thamë Ademit, jeto ti dhe bashkëshortja jote në Xhenet dhe hani lirisht nga frutat e tij, kah të doni por mos iu afroi asaj peme e të bëheni zullumqarë”.

Këtu ndeshemi me parimin dikotomik (të kundërtat domosdoshmërisht të ndërvarura me njëra tjetrën) të lejim-ndalimit i cili në terminologjinë Islame shfaqet si raporti hallall-haram. Karakteristikë e këtij çifti dikotomik, është fakti se ai kërkon pjesëmarrjen e vullnetit dhe jo të dëshirës së njeriut, “Ky është libër në të cilin nuk ka dyshim, udhëzim për të devotshmit” –thotë Allahu xh.sh. Ndryshe devotshmëria s’është gjë tjetër veçse shprehje dhe pasqyrim i jashtëm dhe i dukshëm i vullnetit të njeriut. Pra çifti dikotomik hallall-haram i tregon njeriut se çfarë duhet të bëjë dhe çfarë nuk duhet të bëjë (të vihet re se përdorëm dhe theksuam modalitetin e domosdoshmërisë “duhet”). Mosnjohja, indiferenca apo mohimi i çiftit të nocioneve hallall-haram si kontekst i lirisë, nuk e zhduk në vetvete lirinë, apo më saktë nuk arrin të asgjësojë mekanizmin nëpërmjet të cilit mundësohet liria, pra nuk mundet të zhdukë alternativizmin si parim teknik të organizimit të ekzistencës.

Shmangia e hallall-haramit si kontekst autentik i lirisë, çon në devijim të lirisë dhe jo në zhdukje të saj. Pra vetëm zhvendoset nga një kontekst në një tjetër, të cilin tani ka ardhur momenti që ta identifikojmë. Ndërsa për kontekstin e parë të lirisë i cili e ka origjinën në urdhërat e Zotit (çfarë lejohet dhe çfarë ndalohet), shërben si parim dikotomik hallal-harami, për kontekstin e dytë, i cili e ka origjinën në mohimin e urdhëresave të Zotit, shërben si parim dikotomik çifti mundësi-pamundësi. Kjo do të thotë se për njeriun gjithçka që potencialisht është e mundshme, zgjeron kufinjtë e lirisë së tij, dhe gjithçka që është e pamundshme konsiderohet se zvogëlon kufinjtë e kësaj lirie. Ky kontekst, që sapo identifikuam, do shënojmë kalimthi se është mbështetur fuqishëm nga pozitivizmi i shekullit të kaluar dhe nga scienticizmi (besimi në shkencë) i këtij shekulli. Pra ndërsa konteksti i lirisë i mbështetur tek parimi i hallall-haramit kërkon pjesëmarrjen e vullnetit si forca kryesore që vepron mbi arsyen dhe siç e theksuam më sipër i referohet modalitetit “duhet”, konteksti tjetër i lirisë i mbështetur tek parimi dikotomik i mundësi-pamundësisë, kërkon pjesëmarrjen thjesht të dëshirës si mbizotëruese ndaj arsyes dhe i referohet modalitetit të mundësisë “mund”. Ky kontekst i dytë i lirisë e kushtëzon ekzistencën e njeriut si një konkurim i vazhdueshëm me kohën ( që si çdo konkurim me kohën është i destinuar të dështojë), kurse konteksti i parë i lirisë i mbështetur në hallall-haram e kushtëzon ekzistencën e njeriut si konkurim real me vetveten, gjithmonë me përfundim jo të paracaktuar nga arsyeja e njeriut, që do të thotë ndjek natyrshmërinë.Qartazi jemi përballë dy botëkuptimeve të cilat rezultojnë me dy mënyra jetese, krejtësisht të ndryshme, të cilat dallohen si për nga mënyra e thellimit në kuptim ashtu edhe nga pozicioni me të cilin kërkojnë dhe sygjerojnë praktikimin e vet. Këto dy kontekste të lirisë mendojmë ti trajtojmë duke u munduar të vërtetojmë se konteksti i parë i cili mbështetet në çiftin dikotomik hallall-haram, është konteksti natyror i lirisë, ndërsa konteksti i dytë i cili mbështetet në dikotominë mundësi-pamundësi, është kontekst i panatyrshëm i lirisë, është devijim i funksioneve të saj.

Trupi dhe liria

Menjëherë pas deklarimit me gojë të shehadetit dhe pas pranimit me zemër, në çiftin dikotomik hallall-haram (që pas kësaj do ta quajmë koncepti islam i lirisë) fillon praktikimi me vepra. Pra trupi bëhet automatikisht pjestar i subjektit të pranuar dhe angazhohet objektivisht në funksionimin e lirisë. Pararendi i një procesi që fillon, kushtëzohet rigorozisht nga rrethana vetjake, e që në krye të herës merret vendimi që vullneti të vendosë kontrollin mbi arsyen. Kujtojmë se shehadeti (deklerata themeltare e të qenit musliman) nuk është akt ceremonial që zhvillohet në prezencën e dikujt tjetër dhe si i tillë është tërësisht i lirë dhe i vullnetshëm, ndërkohë që pranimi me zemër është jo vetëm i lirë dhe i vullnetshëm, por njëkohësisht është edhe një akt intim.

Të dy këto premisa, pararendëse të përkatësisë në islam, duke qenë se në esencë janë cilësore (si akte individuale në kuadrin e individualitetit) shmangin hipokrizinë, dhe për pasojë i gjithë kondicioni fizik mobilizohet në praktikimin e sinqertë pasi që, dallimi është bërë që më parë. Konditat që ofron Islami për praktikimin e lirisë janë të thjeshta dhe nuk krijojnë as antagonizmin më të vogël me të natyrshmen e arsyeshme dhe morale.

Parimi islam se kjo jetë është vetëm sprovë për jetën e përtejme (pra raporti etik me përjetësinë) vlen edhe për trupin, që do të thotë se trupi është njëra nga sprovat dhe njëkohësisht dhe objekti i përfshirë në sprovë, dhe si të tillë muslimani duhet ta trajtojë atë. Mirëmbajtja e tij komform një rregulli ekzakt është e detyrueshme për çdo musliman pasi në Ditën e Gjykimit çdo pjesë e trupit do të paraqitet si dëshmitar në favor ose kundër individit. Për të qenë në harmoni me të natyrshmen muslimani trupin e vet nuk duhet ta adhurojë, nuk duhet ta keqtrajtojë dhe duhet t’i përmbahet një rregulli në ushqime dhe pije duke sanksionuar të ndaluarat, të mos ia dorëzojë epsheve dhe respektivisht për të gjithë të sipërpërmendurat e edhe për të lejuarat ta kufizojë prej teprive.

Adhurimi i trupit çon në komplikime serioze të psikës, fizikes dhe shpirtërores së individit siç edhe ushqimet e ndaluara çojnë në të njëjtat derivate. Mishi i derrit, mishi i ngordhur dhe gjaku janë vërtetuar dhe provuar shkencërisht se jo vetëm janë të dëmshme për organizmin e njeriut por janë me pasoja të drejtpërdrejta në të tre komponentët e sipërpërmendur, që duam apo nuk duam janë pjesa treguese e ekzistencës. Po ashtu edhe pijet alkoolike, narkotikët e ndryshëm, janë jo vetëm të dëmshëm për shëndetin por, janë edhe plagë shoqërore mjaft delikate dhe të ndjeshme që pavarësisht nga investimet dhe përkujdesjet nuk ka mundur të fitojnë një disiplinë dhe as legjitimitet moral.

Ndërsa për të ashtuquajturën liri seksuale dhe pasojat e saj të gjithë jemi të qartë se sa të mëdha janë qoftë në aspektin individual dhe po ashtu në atë shoqëror. Të ndaluarat për trupin e njeriut në fenë islame jo vetëm nuk janë në kontradiktë me natyrën por, përkundrazi edhe më tej akoma, muslimanit i është treguar përzgjedhja për më të mirën që natyra i ofron njeriut.

Ato që në konceptin islam të lirisë janë ndalesa në konceptin joislam të lirisë (do ta quajmë kështu kontekstin e lirisë që mbështet çiftin dikotomik mundësi-pamundësi) që vendos dëshirën kontroll mbi arsyen dhe i referohet modaliteti “mund” ndalesat i bën të lejuara mjaft që të ketë marrë aprovimin e “komandës supreme”, në këtë rast “dëshirës” dhe pasi ka konstatuar që akti pasues i takon krahut “mundësi”. Pra, shihet qartë se në konceptin joislam të lirisë nuk ekziston kriteri mirë-keq, e lejuar e ndaluar, por operohet sipas kriterit të përciptë estetik, të paqëndrueshëm dhe pa kurrëfarë lidhjeje me etikën me referimin tek binomi dëshirë-mundësi, e afatizuar kjo deri në një mundësi tjetër në kohë dhe hapësirë. Pragma e tyre “liria ime mbaron aty ku fillon liria jote” në mënyrë të qartë i është ekspozuar konkurencës pa asnjë kod dhe sanksion moral, ndryshimit të mundshëm të këtyre kufijve në një të ardhme të afërt ose të largët. Është edhe diçka tjetër; po të vërehet me kujdes në konceptin joislam të lirisë, ajo evidentohet vetëm në marrdhënie me të tjerët, duke ngritur kështu një sistem të tërë izolacionesh dhe përplasje konceptesh të bazuara në dëshirë, që dhimbshëm përfundojnë në turbullim, ku peshkohet lehtë nga politika, tregu apo media.

Liria e dëshirave është sot biznesi më efikas në të cilin njeriu nuk dallon mungesën e personalitetit dhe as mekanizmin skllavërues që vepron. Humbja e karakterit etik të përdorimit të lirisë sjell skllavërimin e përdoruesit. Tentativa që ligjet për njerëzit të shkruhen nga vetë njerëzit, duke shmangur të natyrshmen e ligjeve të Zotit, ka bërë që njeriu të jetë skllav i lirisë së tij – liria e tij është një skemë që përgatitet dhe çmohet nga të tjerët; d.m.th liria është paragrafi i parë i ligjit që rregullon marrdhëniet e skllavërisë.

Në konceptin islam të lirisë, liria na është dhuruar nga Zoti, duhet ta përdorim në bazë të kodit moral të përcaktuar saktë në Kur’anin e Madhnueshëm dhe praktikën e të Dërguarit të Tij a.s dhe për çdo veprim t’i referohemi Ditës së Gjykimit ku do të përgjigjemi për çdo akt tonin.

Të gjitha këto na orientojnë për nga vetvetja, zhvillohen në vetvete dhe kristalizojnë personalitetin e secilit që ashtu si ndalesat janë konform natyrës dhe në dobi të njeriut në aspektin fizik, psiqik dhe shpirtëror, po ashtu edhe obligimet e muslimanit janë konform natyrës dhe dobi e padiskutueshme në të tre aspektet e sipërpërmendura. Ndalesat janë pika orentimi për në liri, obligimet janë stacionet ku gjenerohet dhe ripërtërihet liria. Trupi i muslimanit është i shëndetshëm sepse është pronë e vullnetit të qartësuar dhe qetësuar të arsyes së kontrolluar në çdo hap. Ky është dallimi i mirëfilltë ndërmjet njeriut qartësisht të lirë në kontekstin hallall-haram të lirisë dhe dëshirës për liri në kontekstin mundësi-pamundësi.

Islami është e vërteta etike dhe estetike dhe jo vetëm teoria për të, është psikologjia dhe metoda e marrdhënieve deri në imtësi siç nuk është vetëm teologji dhe dogmë. Islami është plotësia dhe plotësimi për të gjithë spektrin shoqëror të individit dhe jo vetëm shoqërisë, është filozofia e transformimit dhe jo vetëm filozofi e informimit. Islami ka treguar saktësisht drejtimin në hapësirë duke e integruar në kohë dhe ka treguar kufijtë kohorë duke i integruar në hapësirë.

Fatmir S. BAÇI,

Shkrimi i paraqitur paraqet mendime dhe komente personale te autorëve dhe nuk korespondojnë domosdoshmërisht me qendrimet e redaksise.