Përdhoset Ramazani në Shkollën “Fan S. Noli”

0
1280

Dita e parë e Ramazanit për këtë vit ka nisur me një incident të rëndë në një nga shkollat nëntë vjeçare të kryeqytetit. Mësuesja Etleva Meço, që ka në kujdestari njërën nga klasat e gjashta në shkollën “Fan S. Noli”, pasi mori informacion nga nxënësit e klasës nëse antarë të familjeve të tyre agjërojnë ose jo, i “këshilloi” ata që të mos agjëronin muajin e shenjtë islamik. Sipas saj, kjo “porosi” e konsultuar me mjeken e shkollës është një udhëzim i drejtpërdrejtë i drejtorisë së shkollës. Provokimi i rëndë duket që nuk është spontan dhe ka një frymëzim të qartë antimysliman, pasi mësuesja në “këshillën” e saj dashamirëse përfshin edhe struktura të tjera të shkollës.

Ky skandal provokativ u denoncua nga një punonjëse sociale në rrjetin e saj facebook pas një informacioni të ardhur nga prindi i një fëmije i pranishëm në klasë. Pa përmendur shkollën apo emrin e mësueses, në statusin e saj ajo denoncon dhunën e ushtruar ndaj fëmijëve për të pranuar se agjërojnë nën presion. Aktivistja i bën thirrje prindërve të tjerë që ta denoncojnë rastin si një dhunim të drejpërdrejtë të ligjit, në këtë rast të drejtës kushtetuese të ushtrimit të besimit, si dhe t’i informojnë fëmijët e tyre për këtë dhunim të kryer kundrejt tyre. Këtë provokim ajo e konsideron si një “terror psikologjik” që i ushtrohet fëmijëve, ngjashëm me atë që ndodhte në kohën e diktaturës, dhe më tej e konsideron abuzimin nga mësuesja si “bullizëm me bazë fetare”.

Ezani u interesua për rastin dhe e konfirmoi atë përmes një burimi tjetër, sërisht një prind, i cili kërkoi të qëndrojë anonim. Pas këtij interesimi ne arritëm të mësojmë shkollën ku ka ndodhur provokimi skandaloz si dhe emrin e mësueses përkatëse. Sipas burimit tonë mësuesja në fillim ka pyetur nxënësit e klasës për praktikues të mundshëm të agjërimit në familjet e tyre, pyetje të cilës i janë përgjigjur pozitivisht disa dhjetra fëmijë. Më pas mësuesja i ka pyetur nxënësit nëse dikush prej tyre agjëron ose jo, pyetje së cilës i janë përgjigjur negativisht të gjithë të pranishmit. Megjithëse na u konfirmua se disa prej fëmijëve agjërojnë, fakti që asnjë prej tyre nuk i tregoi mësueses, tregon dhunën psikologjike që pësojnë fëmijët me prejardhje nga familje religjioze myslimane në shkollat publike shqiptare. Në ndërhyrjen e saj kryesore, mësuesja ka “këshilluar” fëmijët që të mos agjërojnë, sepse kjo është e dëmshme për shëndetin e tyre, dhe sepse kjo do t’i “shpërqendronte” ata nga mësimet. Më tej ajo ka shtuar se këtë informacion për agjërimin mund të vijnë e t’ia shpjegojnë fëmijëve në klasë edhe mjekët e shkollës.

Rasti është më të vërtetë alarmant dhe i rrezikshëm. Mësuesja ekspozon përpara fëmijëve “ushtrimin e dhunës” të prindërve të tyre, sepse janë ata që ndikojnë fetarisht tek fëmijët, në këtë rast duke i “dhunuar”. Pra është shkolla ajo që i mbron dhe edukon si duhet fëmijët, sidomos kur prindërit e tyre “dështojnë” në këtë mision, nën efektin e fetarizmit të tyre. Sigurisht që kjo situatë e rëndë na kujton dhunën strukturore që ushtrohej ndaj fetarisë nën komunizëm, por këto incidentet e ditëve tona ndodhin në një kontekst tjetër. Pasi bombarduan kurrikulat e shkollave nëntë vjeçare me informacion të panevojshem për jetën, dhembshurinë dhe zemrën e Nënë Terezës, një veprimtare e krishterë me origjinë shqiptare, dhe pasi ftojnë përvit fëmijët të sjellin mjete zbukuruese për bredhin e Krishtlindjeve, na vijnë të tilla lajme ogurzeza për linçimin verbal të praktikave fetare të myslimanëve shqiptar në ambjentet e shkollës nga personeli pedagogjik. Komuniteti Mysliman, i cili sheh tolerancë fetare edhe aty ku nuk ekziston, duhet të interesohet për rastin në fjalë apo për raste të ngjashme, që të adresojë tek autoritetet shqetësimin legjitim për këtë cënim të rëndë të laicitetit të shkollës, ose më saktë, për këtë sulm frontal ndaj bashkëjetesës qytetare në vend./ e-zani