7.8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Përballë kallashit: ora më e bukur e mësimit

Më të lexuarat

Ermal Hasimja

Nuk e prisja, por ndodhi. Isha vetëm 15 vjeç: ajo mosha kur ti pret me lumturi ndonjë veprim të prindit që të tregon se të trajton si të rritur. “Do të vish me mua te protesta?”, kështu më pyeti im atë me mëngjes 20 shkurti 1991. Unë fluturoja nga gëzimi. Besoj se gjithë adoleshentët do të kishin dëshirë të ulërisnin kundër autoritetit, por në këtë rast autoriteti kishte kallashnikov, “qen stani”, gaz lotsjellës, shkopa gome dhe një histori gati 50 vjeçare terrori. Ku kishte sfidë më të bukur! Në shtëpinë time flitej prej disa vjetësh kundër komunizmit. Herën e parë, im atë shau rëndë Ramiz Alinë në televizor teksa prezantonte në Kongresin e Partisë së Punës arritjet e mëdha të vendit. Instinktivisht e pashë pothuajse me armiqësi skenën. Po hanim darkën: bukë të thekur me çaj të zi. Si shumë darka të tjera. Por arsyeja i mposhti reflekset e fituara nga propaganda komuniste. Po kaloja nga faza e indoktrinimit komunist në fazën e ndërgjegjësimit të të rriturit. Në dy vitet që pasuan u rrita sa për 20. Të paktën aq sa për të kuptuar thelbin e komunizmit: përdhunimin e një populli që kishte shitur lirinë për të fituar sigurinë e burgut.

Prandaj atë mëngjes shkurti isha gati. Gati për t’u bërë burrë politikisht. Shkuam te Qyteti Studenti, si shumë ditë të tjera më parë. Pastaj u ndeshëm me policët midis Liceut dhe TVSH-së. As unë, as ai nuk gjuajtëm asnjë gur. Përballë kishim shqiptarë. Gaz lotsjellës, pompa uji të ngjyrosur me të kuqe, qen kufiri, gurë dhe të shtëna kallashnikovi. Im atë nuk më lëshonte nga dora. Në një nga zmbrapsjet nga sulmi i gardistëve e ndjeva veten duke fluturuar në ajër nga tërheqja e tij. Pastaj përfunduam në shesh, në skenografinë më dramatike që kam parë në jetën time. 100.000 qytetarë kundër disa qindra gardistëve të armatosur. Nuk e dinim çfarë urdhëri kishin. As ata vetë nuk e dinin. Prisnin. Bërtitëm kundër komunizmit, shtymë përpara, na iku zëri … dhe më pas ajo që shihni në fotot e ruajtura. Busti u anua pak nga litari i lidhur pas tij. Gardistët e ndjenë se ishte vonë për çfarëdo urdhëri. U tërhoqën dhe u kthyen në spektatorë. Busti u rrëzua pa përplasje, a thua se donte të rezistonte deri në fund. Besoj se kam qenë vetëm një mes mijëra njerëzve që i kishin sytë me lot gëzimi. Im atë fitoi bastin më të madh në profesionin e tij si prind. Sapo kishte krijuar një qytetar. U përqafuam të lumtur.

Im atë ka qenë gjithmonë im atë. Nuk e kam patur shok, nuk më ka llastuar, nuk më ka gënjyer: më ka edukuar. Gjithçka kam sot ia dedikoj atij dhe mamasë sime. Atë dikë po më mësonte si të isha i barabartë me të, si të isha burrë. Pavarësisht ankesave të mamasë sime që si çdo nënë do të preferonte sigurinë e familjes përpara çdo gjëje tjetër.

Shumica e prindërve të sotëm u mësojnë fëmijëve si të sillen mirë, si të ankohen në mënyrën e duhur për të marrë atë që kërkojnë, si të fajësojnë shoqërinë, shtetin, mësuesit dhe gjithë dynjanë për të gjithë problemet e tyre. Shumë pak prej tyre edukojnë qytetarë. Mendojnë se një qytetar i mirë është dikush që sillet mirë dhe thotë “të lutem” e “faleminderit”. Maksimumi nuk hedh plehrat në mes të rrugës siç bën shumica e shqiptarëve. Sa prindër sot u kanë mësuar fëmijëve të tyre se çfarë ishte komunizmi në të vërtetë përtej telenovelave mediatike me vrasje, tradhtira dhe komplote? Sa prindër mendojnë realisht se komunizmi ishte ideologji barbare? Shumë pak. Shumë prindër sot mendojnë edhe vetë se komunizmi nuk është ide e keqe, por u zbatua pak shtrembët. Pas 150 milionë viktimash të terrorit të kuq dhe zbatimit nga kinezët e nënshtruar e deri te gjermanët e sertë, ky është mësimi që u jepet fëmijëve.

Im atë më kishte mësuar me jetën e tij se komunizmi ishte ideologji barbare. Kur tregonte në shtëpi sesi partia preferonte delet mediokre e servile ndaj individit punëtor e të përgjegjshëm, sidomos kur ky i fundit e kishte të atin “armik” të partisë. Im atë më kishte mësuar idenë e punës ndërkohë që më rrëfente se pavarësisht sa mirë do të dilja me mësime Partia kishte vendosur paraprakisht që nuk do të shkoja dot në universitet për shkak të gjyshit të burgosur si armik. Kështu e kuptova komunizmin, pothuajse pa ia përmendur emrin fare. E provova në lëkurë, si adoleshent-armik i klasës, jo thjesht në teori.

Me 20 shkurt 1991 im atë më dha mundësinë të merrja përgjegjësinë mbi vete dhe të zgjidhja se çfarë doja për të ardhmen time me koston e lartë të përballjes me plumbin komunist.

Çfarë po bën ti prind i sotëm me fëmijët e tu? Çfarë po i tregon për komunizmin?

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit