Për vizat, pas pushimeve!

0
43

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian nuk do t’ia prishin vetes terezinë e pushimeve verore, edhe nëse fjala është për nxjerrjen e Kosovës nga izolimi. “Young europeans” priten katër vjet që vetëm të nisin dialogun për liberalizimin e vizave, katër muaj vetëm për të hartuar kushtet dhe tani nisja e punës është shtyrë edhe disa muaj të tjerë.
Zyra e komisionares për Çështje të Brendshme, Cecilia Malmstrom, e cila merret me çështjen e vizave, i ka kërkuar qeverisë kosovare që raportin gjithëpërfshirës në lidhje me gjendjen në Kosovë, raport ky që shkruhet duke u mbështetur në udhërrëfyes, të dërgohet tek më 15 shtator, njofton “Zëri”.

Ditë më parë, “Zëri” ka kontaktuar me Zyrën për informim të Malmstrom, mirëpo përgjigjja e dërguar nuk flet fare për afate kohore. Sipas zyrës së komisionares Malmstrom, e gjithë puna pritet të fillojë pasi Qeveria e Kosovës të dërgojë raportin e kërkuar, duke mos përmendur fare se kur u kanë thënë vetë ta dërgojnë.

“Siç e dini, dorëzimi i udhërrëfyesit për Kosovën te ministrja Çitaku dhe ministri Bajram Rexhepi është bërë më 14 qershor. Në këtë rast, Komisioni i ka kërkuar Kosovës që të përgatisë raportin e parë gjithëpërfshirës për të gjitha fushat që përmenden në udhërrëfyes. Në momentin kur Komisioni të marrë këtë raport, ne do e ekzaminojmë atë dhe më pas do të organizojmë misione për kapitujt e udhërrëfyesit që të verifikojmë progresin e arritur. /Telegrafi/kohaislame