Për veriun vlen Pakoja e Ahtisaarit

0
30

Slobodan Petroviq mendon se dialogu politik është e vetmja mënyrë për zgjidhjen e problemeve të mbetura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“A ekziston ndonjë mënyrë më e mirë për zgjidhjen e marrëdhënieve se dialogu politik?”, është përgjigjur me kundërpyetje zëvendëskryeministri i Kosovës nga komuniteti serb, njëherazi edhe kryetar i Partisë së Pavarur Liberale Serbe, kur është pyetur nëse ka nevojë për dialog politik midis dy shteteve. “Me siguri që po (ka nevojë për dialog v.j). Vetëm se në thelb duhet të respektohet (dialogu v.j) dhe të jetë transparent për të mirën e qytetarëve”, ka vazhduar ai .
Teksa ka thënë kështu të dielën në një bisedë për gazetën, Petroviq ka treguar se këtë qëndrim e manifeston duke pasur parasysh dy pozicione të tij: edhe si funksionar i institucioneve kosovare e edhe si lider i partisë së tij.
Sipas tij, edhe te dialogu politik do të jetë evident një problem i cili do ta shoqërojë Beogradin. “Problemi i Beogradit gjithmonë ka qenë mungesa e strategjisë dhe mosnjohja e situatës në terren”, ka thënë ai. “Me siguri që Beogradi dhe Prishtina do të nxjerrin maksimumin nga negociatat që do t`u përshtateshin interesave të tyre”.
I dyti i Qeverisë së Kosovës është deklaruar në favor të dialogut të Prishtinës me Beogradin edhe të pjesës më problematike të Kosovës, veriut. Sipas tij, edhe për këtë pjesë të Kosovës vlen Pakoja e Ahtisarit, por ka thënë se për këtë pikë në dialog duhet ecur me hapa të matur. “Po, mendoj se sa i përket veriut, duhet të diskutohet në kuptim të përpunimit të detajeve mbi vendosjen e sundimit të ligjit dhe zvogëlimin e krimit”, është shprehur Petroviq. “Po, për veriun vlen pakoja e Ahtisaarit dhe në përputhje me situatën e ndërlikuar në veri duhet të veprohet me kujdes dhe me hapa tejet të matur”, shkruan Koha Ditore.
Numri dy i Qeverisë ka thënë se qytetarët në Kosovë duhet të kenë të drejta të barabarta. “Mendoj se kurrë nuk është keq të jepen të drejta, por zbatimi i të drejtave nuk është një gjë e thjeshtë. Mendoj se secili qytetar duhet të ketë të drejta të barabarta e këtu kemi të bëjmë me një menaxhim të ndryshëm të veriut, nëse kam kuptuar si duhet… përndryshe nuk bëhet fjalë për të drejta të veçanta”, ka thënë Petroviq. “Sipas meje, Pakoja e Ahtisaarit është shumë e mirë dhe ofron një spektër të gjerë të decentralizimit dhe të rregullimeve të ndryshme dhe për këtë arsye zbatimi i këtij plani në jug të Ibrit në tërësi, do të ketë një rol vendimtar në prezantimin e progresit në veri”. Ai e ka nënvizuar si element të rëndësishëm definimin e formulës për të ardhmen nga ana e veriut të Kosovës, meqë, siç ka thënë, problemet aktuale nuk çojnë askund./Indeksonline/kohaislame