Për veriun nuk duhet biseduar me Serbinë!

0
48

Përderisa në Beograd, çështja e veriut shihet si e pashmangshme për t’u trajtuar në tavolinën e bisedimeve, ish-ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, mendon se Kosova nuk duhet të bisedojë me askënd për këtë çështje, dhe se tashmë e ka një zgjidhje edhe për këtë problem, e ka Planin Ahtisaari, të cilin duhet zbatuar në praktikë.
Zyrtarët në Beograd thonë se ka një disponim te komuniteti ndërkombëtar që të hapet për diskutim me Prishtinën çështja e veriut të Kosovës.

Kryenegociatori i deritashëm në bisedimet me Prishtinën, Borislav Stefanovic, ka deklaruar se në takimin e fundit që ka zhvilluar në Beograd me zëvendës-ndihmësin e sekretarit amerikan të shtetit, Philip Reeker, nuk është biseduar konkretisht për veriun, por për vazhdimin e dialogut, temat dhe zbatimin e marrëveshjeve tashmë të arritura.

Megjithatë, sipas tij, te komuniteti ndërkombëtar ka një pajtim që të hapet për diskutim edhe çështja e veriut të Kosovës. “Ka një pajtim se veriu i Kosovës është një problem kyç dhe se në këtë aspekt duhet bashkëpunuar me Prishtinën dhe mendoj se ka gjasa që këto gjera të vështira të rregullohen”, ka thënë Stefanovic.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës të enjten nuk kanë komentuar zhvillimet që priten në raport me bisedimet me Serbinë. Sipas tyre, javën e ardhshme Kosovën pritet që ta vizitojnë zyrtarë të lartë ndërkombëtarë dhe vetëm atëherë do të mund të dihet më mirë fati i vazhdimit të dialogut.

Ndërkaq, ish-shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni mendon se Kosova duhet të ketë qëndrim parimor që dialog duhet të ketë gjithmonë, përfshi edhe Serbinë, por vetëm në cilësinë e dy shteteve të barabarta. Dialogu siç është zhvilluar deri më tash, sipas Hysenit, ka qenë jo i strukturuar mirë dhe se pala kosovare nuk ka qenë pjesë e barabartë me vet faktin se nuk ka prezantuar vendin si Republikë e Kosovës.

“Në të gjitha dokumentet, edhe të Bashkimit Evropian, i është referuar si dialog midis Prishtinës dhe Beogradit dhe në asnjë dokument nuk figuron që ka pasur dialog midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Të bësh dialog nuk do të thotë të bësh koncesione, që do të thotë se Republika e Kosovës nuk duhet të ketë frikë nga dialogu, Republika e Kosovës duhet të ketë kujdes që të mos bëjë koncesione të dëmshme në kurriz të Republikës së Kosovës”, ka thënë Hyseni.kohaislame