11.7 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Për të pasur një të djathtë, ka rëndësi nga nisesh

Më të lexuarat

FITIM ZEKTHI

Jeta njerëzore do të ishte plotësisht e ngjashme me atë të të burgosurve që shohin vetëm hijet në shpellën e Platonit, në qoftë se nuk do të kishte simbole, ose në qoftë se nuk do të përdoreshin simbole. Ernst Cassirer thotë se jeta njerëzore pa simbolet do të ishte e kufizuar vetëm brenda kontureve të jetës biologjike dhe interesave praktike dhe njerëzit nuk do të dalloheshin nga krijesat e tjera. Njeriu është përpjekur vazhdimisht ta kuptojë veten dhe t’u japë zgjidhjeve problemeve të tij, duke krijuar dhe duke përdorur simbole.

Në këtë kuptim është e qartë rëndësia e simboleve edhe sa i takon politikës, filozofisë politike, ideve mbi qeverisjen etj. Mënyra e vetme, megjithatë, që simbolet të na japin mundësi të kuptojmë veten dhe t’i përdorim për të gjetur zgjidhje, është ajo e krijimit të një lidhjeje natyrale mes tyre dhe substancës, është ajo e shënjimit prej tyre të substancës.

E djathta, konservatorizmi, të paktën në Shqipëri, ka vuajtur dhe vuan nga fakti që simbolet nuk janë dëshmi e substancës. E djathta më shumë u ngjan njerëzve në shpellën e Platonit. Alastair McIntyre thotë se problemi më i madh sot në lidhje me botëkuptimet, filozofitë apo sistemet e të menduarit është inkonsistenca dhe inkoherenca dhe pikërisht këto inkoherenca dhe inkosistenca janë shkaku i krizës dhe i shndërrimit të së djathtës në një grup njerëzish të shpellës së Platonit.

Çdo qytetërim ka një teori të tijën mbi çfarë njeh njeriu dhe si njeh ai. Kjo teori mbi njohjen ndikon çdo fushë të jetës së tij, që nga Arti, Letërsia, Shkencat, Politika etj. Njerëzit fillojnë të arsyetojnë me anë të presupozimeve. Mendimtarët dhe filozofët përdorin parimet e para ose filozofinë apo teologjinë e tyre për të nxjerrë këto presupozime. Njerëzit e zakonshëm përdorin pikëpamjen që përçon për ta një sens të përgjithshëm mbi natyrën dhe botën, mbi të drejtën dhe të gabuarën.

Parimet e para, thotë filozofi Fred Hutchinson, merren nga besimi ose pranohen si të vërteta të vetëdukshme dhe janë të padiskutueshme. Kur një njeri thotë se një ide është e padiskutueshme, kjo do të thotë se ajo nuk bie ndesh me parimin e parë. Filozofët sekularë përdorin besimin intelektual në të vërtetat e vetëdukshme, ndryshe nga ata që përdorin një besim fetar apo një autoritet më të lartë. Modernistët skeptikë e hedhin poshtë idenë e parimeve të para, por pavetëdijshëm ata i pranojnë ato, sepse asnjë mendim nuk del nga vakumi. I gjithë i menduari racional është mbështetur mbi një besim.

Njerëzit duhet të arsyetojnë sipas një hierarkie nga lart-poshtë. Në majë të hierarkisë është një autoritet më i lartë për të vërtetën. Gjithkush e fillon me besimin te ky autoritet. Ata që i marrin parimet e para nga botëpamja e tyre, shpesh nuk e dinë se cili apo çfarë qëndron si autoritet pas atyre parimeve. Pra, e vërteta gjendet përmes një hierarkie që ka gjashtë shkallë: Besim në një autoritet më të lartë, parimet e para, presupozimet, idetë, zinxhiri logjik, sistemi i të menduarit, që janë filozofitë ideologjitë apo modelet shkencore. Vetëm në këtë mënyrë, njerëzit mund të zhvillojnë një sistem të menduari.

Kurt Godel e zgjidhi këtë edhe matematikisht. Ai tha se çdo sistem logjik, përfshirë edhe ato matematikore apo modelet shkencore, janë të varura nga premisa që nuk mund t’i vërtetojnë apo që nuk mund t’i demonstrojnë brenda sistemit. Ato janë jashtë sistemit. Në këtë mënyrë, edhe e djathta është një sistem mendimi ose një filozofi e caktuar politike dhe ajo ka kuptim vetëm kur ndërtohet si një sistem mendimi.

Ndërtimi i këtij sistemi ka ndjekur të gjitha stadet që ndjek arsyetimi. Presupozimi bazë i konservatorizmit është se njeriu dhe bota janë krijuar nga Zoti dhe se gjendet një ligjësi e qartë e dhënë dhe një qëllim i qartë që duhet ndjekur. Për këtë mënyrë të të parit të botës kemi katër detyra apo interesa madhore: njohja e Zotit, epistemologjia, qeverisja dhe familja. Pra, njeriut i duhet të gjejë mënyrën sesi të njohë dhe të kuptojë, të gjejë se çfarë njeh. Njeriut i duhet më pas të njohë Zotin. Detyra vazhdon me të kuptuarit e çfarë është familja dhe si mund të jetë ajo. Për të mbërritur te gjetja e filozofisë, formës dhe sistemit të qeverisjes. Këto janë shqetësimet bazë që lindin nga ky këndvështrim.

Nga ky këndvështrim, gjëja e parë e madhe që del është se ka një ligj natyror, në të cilin gjenden të drejtat natyrore. Këto të drejta janë të patjetërsueshme dhe detyra e vetme e qeverisë është të garantojë të drejtat natyrore të njerëzve. Gjithashtu, sipas këtij këndvështrimi, njeriu nuk është as i mirë dhe nuk është as i keq. Njeriu ka potencialin të jetë shumë i mirë, por ka edhe potencialin të kthehet në një përbindësh, ndaj atij i duhet dhënë pak pushtet dhe ky pushtet duhet të jetë i kontrolluar.

Në fakt, në zemër të së djathtës gjendet ndarja e pushteteve, gjendet kufizimi dhe kontrolli i pushtetit. Ideja e së majtës nuk ka asnjë lidhje me kufizimin dhe ndarjen e pushtetit. Ajo flet për ndërtimin e një bote të re dhe nuk mund të pranojë pushtet të vogël apo pushtet të kufizuar.

Morali i së djathtës nga ana tjetër ka për burim po autoritetin e lartë, nga i cili merren parimet e para dhe nga i cili vijnë presupozimet. Duke qenë kështu, morali është i pandryshueshëm, i dhënë, nuk është çështje e marrëveshjes së njerëzve. Për të majtën dhe liberalët, morali është çështje e marrëveshjes mes njerëzve.

E djathta ka për metaforë bazë atë të Fuqisë Morale. Për të djathtën, të jesh i mirë do të thotë të qëndrosh drejt, të jesh i keq, do të thotë të biesh. Ajo përdor metafora të tilla si ‘ai është një qytetar i fortë’, ‘kjo ishte një gjë e ulët’, ‘është si gjarpri në bar’. Për moralin konservator, të bësh keq do të thotë të lëvizësh nga një pozicion i të qenit lart në një vend diku poshtë. Të bësh keq, do të thotë të biesh poshtë. Shembulli klasik është ai i rënies nga hiri. E keqja materializohet si forcë e brendshme ose e jashtme që të shtyn të bësh veprime imorale. Kështu, të rrish drejt, do të thotë të rezistosh. Këtu burojnë metaforat konservatore të fibrës morale ose palcës.

Ka dy forma të forcës morale që varen nga e keqja e brendshme ose e jashtme. Kurajoja është ajo që i takon qëndresës ndaj së jashtmes. E djathta dhe konservatorët e përdorin gjerësisht fjalën ‘kurajo’. Pjesa dërrmuese e metaforës së fuqisë morale ka të bëjë me të keqen e brendshme dhe këtu del vetëkontrolli. Njeriu duhet të zhvillojë vullnet për të përballur dëshirat trupore që kanë të bëjnë me të keqen e brendshme. E kundërta e vetëkontrollit është vetëkënaqësia, e cila për moralin konservator është rreziku themelor që vjen nga joshja. Metafora të tjera janë “kufij moralë”, “gërryerje morale,” “i kalbur” etj. Në fjalorin konservator kanë vend të gjerë fjalët: degjenerim, karakter, dinjitet, thelb, fabrikë morale etj.

Në lidhje me ekonominë, për të djathtën është e qartë se shteti duhet të jetë sa më i vogël dhe të lërë njerëzit e talentuar të ecin. Ideja e djathtë nënkupton se vetvetiu, një shoqëri me moral konservator, me shtet të vogël, ndërton një rend spontan ku prodhohet ajo që duhet dhe shitet me çmimin që duhet. Pra, vetë tregu i rregullon gjërat. Metaforat e së djathtës janë ato të lirisë ekonomike, lehtësimit fiskal, garës së drejtë etj. E majta ka metafora bazë taksim i ndershëm, shanse të barabarta, luftë ndaj varfërisë etj.

Fjalori i së djathtës dhe metaforat e së djathtës nuk janë gjetje propagandistike, nuk vijnë si pasojë e ndonjë arnimi ideor për arsye praktike apo për shkak të injorancës. Fjalori dhe metaforat e së djathtës dëshmojnë atë që ajo është. Në momentin që metaforat dhe fjalori janë arnime ose vijnë nga nevoja praktike, ato kanë inkonsistence, janë inkoherente dhe nuk çojnë asgjëkund. Metaforat dhe fjalori duhet të jenë produkt i të menduarit lartposhtë në shkallën epistemologjike, që nis nga autoriteti më i lartë dhe zbret te sistemi i mendimit apo filozofia. Shkurt, e djathta është mënyrë të menduari dhe të jetuari ku secili, duke luftuar me veten (me joshjet dhe tundimet) dhe rregulluar veten, arrin të rregullojë shoqërinë ndryshe nga e majta, që është betejë e vazhdueshëm me çdo mjet për të marrë pushtet dhe ndryshuar botën e keqe ku “njeriu i mirë” (për të majtën, njerëzit janë vetëm të mirë,por është shoqëria që i korrupton) vuan si pasojë e rendit që është korruptuar. Sot, e djathta (jo njerëzit e thjeshtë dhe votuesit, por elita, deputetët, këshilli kombëtar dhe njerëzit e saj të rëndësishëm) është një grupim me inkoherenca dhe inkonsistenca të thella. Aty idetë merren dhe përdoren si arnime dhe jo si sistem të menduari dhe është pikërisht këtu vështirësia e saj për të prodhuar një narrativë të natyrshme. Deri atëbotë, perspektiva e saj do të udhëhiqet nga elementë të tjerë herë politikë dhe herë apolitikë. PS dhe e majta ka vite, ndoshta që në gjenezën e 1941-it, që udhëhiqet nga këta elementë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit