9.8 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Për pushime verore brenda kufijve të Zotit

Më të lexuarat

Nga Ulvi Fejzullahu
Jemi në periudhën e pushimeve verore, ku njerëzit fillojnë të shprehin gëzimin dhe kënaqësinë dhe me padurim presin përfundimin e obligimeve. Kështu që, çdokush mendon dhe planifikon për ditët e ardhshme se ku do t’i kalojë dhe kohën si do ta sistemojë.
Pushimet janë pjesë e jetës së njeriut, por ai duhet të mendojë për kohën si dhe për çdo lëvizje, angazhim dhe aktivitet që do të japë llogari para Allahut të Lartësuar.
“Kështu, për Zotin tënd (o Muhamed), ata të gjithë do t’i marrim në pyetje (e llogari). Për atë se çfarë kanë punuar.” (Hixhër, 92-93)
Kategoritë e njerëzve janë të ndryshme, disa mendojnë duke bërë çdo llogari dhe duke e kujtuar hallallin dhe haramin, kurse disa të tjerë kujtojnë vetëm dëfrimin dhe sa më parë ta përjetojnë pushimin.
Andaj dëfrimi dhe kalimi i kohës duhet të harmonizohet me standardet e udhëzimeve islame. Njeriu kërkon ripërtëritje dhe gjallëri, sepse kjo është nevojë që muslimani duhet ta sistemojë jetën gjatë zhvillimeve dinamike dhe gjithë kjo duhet të ndodhë në trekëndëshin: bindje, shqiptim dhe veprim, duke iu përgjigjur Allahut të Lartësuar.
“O ju që besuat, përgjigjuni Allahut (duke iu bindur Atij) dhe të Dërguarit kur ju ftojnë për atë që ju jep jetë (ringjallje) dhe dijeni se Allahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij, dhe se te Ai do të tuboheni!” (Enfal, 24)
Padyshim që pushimi, shëtitja dhe lëvizja, duke parë bukuritë në natyrë, ripërtërin zemrat dhe largon shqetësimet. Duke ecur nëpër tokën e gjerë të Allahut të Lartësuar dhe çdo herë duke falënderuar dhe lavdëruar Atë, besimtari do ta shohë veten edhe më të lumtur dhe do të marrë frymë edhe më lehtë. Të lëvizësh prej një vendi në tjetër do të thotë të përjetosh kënaqësinë e madhe shpirtërore. E gjithë kjo arrihet duke medituar rreth gjërave që na rrethojnë.
Allahu i Madhëruar thotë: “Për ata që Allahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës (duke thënë): “Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh, ruana prej dënimit të zjarrit!” (Ali Imran, 191)
Për besimtarin është e rëndësishme hartimi i një strategjie jetësore, duke programuar çdo aktivitet jetësor. Ai duhet të interesohet për çdo lëvizje që të jetë në përputhje me mësimet e besimit.
Shembujt të shumtë kemi nga historia jonë e lavdishme islame, kur besimtarët e sinqertë të gjeneratës së artë angazhoheshin që e tërë jeta të jetë në përputhje me udhëzimet islame. Së bashku, le të kujtojmë sahabin e nderuar, Handhale, kur besniku i umetit Ebu Bekri (r.a.) iu drejtua dhe i tha:
“Si po ndihesh Handhale? Tha: “Jam bërë munafik (dyftyrësh).” Ebu Bekri (r.a.) tha: “Subhanallah, çfarë je duke thënë?” Tha: “Kur jemi te Pejgamberi (a.s.), kur na përkujton Xhenetin dhe Xhehenemin, po na duket sikurse po e shohim, mirëpo kur dalim nga Pejgamberi (a.s.), po angazhohemi me gratë, fëmijët dhe mallrat (pasuritë), po e harrojmë këtë gjendje.” Ebu Bekri (r.a.) tha: “Edhe ne e gjejmë këtë gjë.” Shkuam së bashku me Ebu Bekrin (r.a.) derisa hymë te Muhamedi (a.s.). I thashë: “Handheleja është bërë munafik (dyftyrësh).” Pejgamberi (a.s.) tha: “Si është e mundur kjo gjë?” I thashë: “O i Dërguar i Allahut, kur jemi te ti dhe na përkujton Xhenetin dhe Xhehenemin, po na duket sikurse po e shohim, mirëpo kur largohemi dhe angazhohemi me gratë, fëmijët dhe mallrat (pasuritë), po e harrojmë këtë gjendje.” Pejgamberi (a.s.) tha: “Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, po qëse vazhdonit në këtë gjendje dhe në përmendje të Zotit, do të ju shoqëronin engjëjt në shtretërit dhe rrugët tuaja. Por, o Handhele, një herë kështu e një herë ashtu. Këtë e përsëriti tri herë.” (Transmeton Muslimi)
Është e rëndësishme që të kujdesemi për kohën se ku do ta kalojmë dhe për këtë do të japim llogari para Allahut të Lartësuar. Koha është gjëja më e shtrenjtë për besimtarin, ajo është pjesë e pandashme e tij, sepse kur shkon një ditë ka shkuar një pjesë e jetës së tij. Atë herë të shfrytëzohet rinia para pleqërisë, po kështu sendërtohet e ardhmja e dobishme.
Allahu i Lartësuar thotë: “.. A nuk ju dhamë Ne juve jetë aq saqë ai që ka dashur të mendojë, ka mundur të mendojë gjatë asaj kohe. Madje juve ju ka ardhur edhe këshilluesi (pejgamberi), pra shijoni, se për zullumqarët nuk ka ndonjë ndihmëtar.” (Fatir, 37)
Muhamedi (a.s.) ka thënë:“Njeriu nuk do të lëvizë pa iu përgjigjur katër pyetjeve: Ku e ke kaluar jetën? Çfarë ke punuar me dijen tënde? Si e ke fituar pasurinë tënde dhe ku e ke harxhuar? Ku e ke lodhur trupin tënd?’’ (Transmeton Tirmidhiu, hadithi është hasen.)
Dita e Llogarisë është një ditë ku njeriut i prezantohet çdo detaj nga jeta e kësaj bote, Allahu i Lartësuar thotë: “Ditën kur çdo njeri e gjen pranë vetes atë që veproi mirë ose keq, e për atë të keqe që bëri, do të dëshirojë që në mes tij dhe në mes të asaj të jetë një distancë shumë e madhe (e mos ta shohë). Allahu u jep të frikësohen prej dënimit që vjen prej Tij, megjithatë Allahu është i mëshirshëm ndaj robërve.” (Ali Imran, 30)
Këto janë fakte dhe argumente për ata që mendojnë dhe dëshirojnë një përfundim të mirë në këtë botë dhe llogari të lehtë në Ditën e Llogarisë.
Islami pranon dëfrimin e kontrolluar që motivon për punë dhe shton fuqinë. Nuk ka asgjë të keqe nëse besimtari dëfrehet dhe merret me aktivitete të zakonshme dhe normale, me qëllim të gjallërimit të zemrave kur ato lodhen. Ndajmë fjalët e Aliut (r.a.) i cili thotë: “Freskoni (qetësoni) zemrat, sepse ato lodhen ashtu si lodhet trupi.”
Kështu pushimet duhen të jenë parapërgatitje për punë të mëdha dhe serioze, duke synuar qëllime të larta.
E lusim Allahun Fuqiplotë të na forcojë në rrugën e vërtetë!
Revista “Familja”, korrik 2018
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit