20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Për herë të parë SHBA lë pas Rusinë dhe Arabinë Saudite

Më të lexuarat

Për herë të parë që nga viti 1973, Arabia Saudite dhe Rusia nuk janë më vendet që prodhojnë më shumë naftë në botë. Në vend të parë ka kaluar SHBA, e cila e ka dyfishuar prodhimin në dekadën e fundit, vit pas viti.

“Është një arritje historike që shërben për të kujtuar që askush nuk duhet të ketë dyshime për industrinë e naftës në SHBA”, tha Bob McNelly, president i Rapidan Energy Group, një firmë konsultimi.

Teksasi është epiqendra i këtij zhvillimi. Prodhimi në Permian Basin, në Teksasin Perëndimor, u rrit aq shumë sa në shkurt SHBA nisi të prodhojë më shumë se Arabia Saudite, për herë të parë në dy dekada.

Prodhimi nisi të rritet nga qershori e deri në gusht, duke arritur në gati 11 milionë fuçi në ditë. Kjo e vendosi SHBA-në edhe më përpara Rusisë, për të parën herë që nga shkurti i vitit 1999.

SHBA-të nuk kanë ndërmend ta lëshojnë këtë kurorë tani afër. Prodhimi pritet të vazhdojë më shumë se Rusia dhe Arabia Saudite edhe gjatë vitit 2019.

Si ndryshon loja tani?

Kjo arritje vë në dukje risitë e teknologjisë së shpimit. Metoda “fracking” ka bërë që të çlirohen sasi të mëdha nafte dhe gazi natyral që kishin ngecur në tokë. Kostot e gërmimit gjithashtu kanë rënë shumë.

“Kjo e ndryshoi lojën për SHBA-të. Tregoi që mund të ishim konkurrues”, thotë Ben Cook, menaxher investimesh te BP capital Fund Advisors.

Kjo ripërtëritje erdhi si nevojë pas rënies së çmimit të naftës në vitet 2014. OPEC (Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës) nisi një luftë çmimesh për të rifituar tregun që kishin humbur ndaj SHBA-ve dhe ndaj prodhuesve të tjerë. Rënia e çmimeve bëri që të mbyllen shumë kompani amerikane e të humbeshin vende pune.

Niveli i prodhimit të naftës ra në Amerikë, por jo në nivele aq dramatike sa ç’pritej. Kur çmimet nisën të ngrihen prapë, në vitin 2016, kompanitë amerikane filluan të prodhojnë shumë shpejt. Shpenzimet ishin tashmë më të ulëta dhe teknologjia ishte përmiërsuar.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm: Amerika tani ka konsumatorë nafte nëpër botë. Në vitin 2015, kongresi hoqi ligjin që prej 40 vitesh pengonte eksportimin e naftës së papërpunuar. SHBA-të tani dërgojnë naftë në Amerikën e Jugut, në Europë dhe në Kinë.

Teksasi, një superfuqi nafte

Kompani të mëdha për prodhimin e naftës, si BP, ExxonMobil, etj, kanë nxjerrë me miliarda dollarë në vitet e fundit që të marrin një pjesë të Permian Basin.

Shteti i Teksasit është duke prodhuar më shumë naftë se Irani dhe Iraku. Po të ishte shtet më vete, Teksasi do të ishte prodhuesi i tretë në botë. Dhe porti më i madh i Teksasit ka eksportuar më shumë se ç’ka importuar naftë.

“Kanë lidhje zhvillimet teknologjike, të mbështetura nga kapitali i bollshëm për të investuar dhe nga gjenialiteti i kompanive amerikane”, thotë MekNelli, që ka qenë pjesëtar i administratës së presidentit George W. Bush për energjinë.

Por ende varet nga nafta e huaj

Teksasi po përpiqet të menaxhojë hovin e papritur, pasi te zona e Permian Basin zhvillimi ka ndjekur një mentalitet të vërtetë të “etheve të arit”, aq sa nuk kanë më tubacione, punëtorë apo pajisje furnizimi.

Permian ka qenë viktimë e suksesit të vet. Prodhimi pritet të vazhdojë të rritet, por jo aq sa ç’mendohej.

Shqetësimet e ngritura për Permian Basin bënë që Administrata e Informimit për Energjinë ta ulë parashikimin për rritjen e prodhimit në 2019 në 11.5 milionë fuçi në vit. Kjo është prapëseprapë një rritje e madhe dhe do të ndalonte kështu ardhjet nga Rusia e Arabia Saudite. SHBA-të prodhonin 9.4 milionë fuçi në ditë në vitin 2017.

Rritja e prodhimit është e rëndësishme për çështjet e sigurisë. SHBA-të bëhen më pak të varura nga nafta e huaj, përfshi atë që vjen nga Lindja e Mesme e trazuar.

Megjithatë, tregu i naftës është ende botëror, dhe strategjitë e OPEC e të Arabisë Saudite vazhdojnë të kenë ndikime të mëdha mbi çmimet.

SHBA-të nuk e ngopin dot oreksin e vet për naftë vetëm me prodhimin e brendshëm. Rafineritë e naftës në vend, të cilat janë ndërtuar disa dhjetëvjeçarë më parë, vazhdojnë të kërkojnë doza të rënda nafte të huaj.

Matt Egan, CNN Money

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit