10.3 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Për fmijtë që nuk i kanë borxh pazaret e komandatëve

Më të lexuarat

Fjolla Spanca

 

Argjend, unë nuk të njoha sa ti ishe n’mesin e të gjallëve! Pra, u dashtë me e pa lotin e nanës tande, për me e kuptu mërzinë e saj edhe hallin që ti e ke pasë, atëherë kur sfiliteshe tuj kërku nji trohë shpresë!
Argjend, unë kam qenë tuj u marrë me hallet e mija, atëherë kur ti ishe tuj luftu me varfninë. Dro, me t’i pasë kallxu dertet që kam, ti kishe me qesh, kishe me u kanq tu qesh me padituninë e nji të rrituni, që nuk i mungon gja, por kërkon tepër, pa nevojë, veç sa me u duktë.
Argjend, e di që ti nuk ki me i lexu kurrë këto fjalë se tashma shpirti yt prehet n’bahçen e premtume.
Ama e kam të pamundun me e pranu ikjen tande n’heshtje. Ti mbas vetes e ke lanë nji shije të idhtë n’zemnën e gjithsecilit që e pa lajmërimin për varrimin tand! E di se asht vonë, shumë vonë për me të thanë se ishe aq i njomë dhe s’ja kishe për borxh kurrkujt trishtimin që ta shkurtoj fëmininë.
Ndoshta n’folenë tande dikur kanë jetu andrrat. Ndoshta dëshirat e tua kanë qenë të ngjyeme me dritë qielli. Ndoshta ke pasë qejf me u ba dikush, me e njoftë botën e me e shkel çdo pllamb t’saj. Jo ndoshta, po me siguri zemna jote ka pasë mjaftueshëm ven për me i dashtë ditët e mira të nji t’ardhmeje ma t’lehtë!
E tash që TI s’je ma, neve na metet me shkarravit, pra me e kërku drejtësinë përmes shkronjash! Kush e di edhe sa fmijë kanë me u harru ndën dheun e Kosovës, për fajin tonë, si peshqesh i neglizhencës dhe harresës. Kush e dinë se edhe sa çika e djemë t’ri ka me i marrë era’ për mëkatet e komandatëve t’luftës që sot i prijnë venit tonë, këtij veni t’hallakatun që e ka mlu nji tis idhnimi i patjetërsueshëm?! A thu e di njeri se kur merr fund krejt kjo padrejtësi?! Kur ka me ndrittë Dielli njisoj për fmijtë e hjekun t’Kosovës sonë?!
Fundja askush se njeh vujtjen dhe mërzinë e jetimit (pa e provu), e aq ma pak i kamuni n’pasuninë e vjedhun. N’Kosovë janë tuj u shtu plot familje, po aty s’asht tuj u kultivu dashnija e respekti për njani-tjetrin. Në atdheun e atyne që dhanë jetën për liri, nuk çel ma dashnija pa hile, si kaherë. Sot, shefi asht politikani i paditun që e ka marrë n’qafë nji popull, po aq t’paditun ose t’pavetëdijshëm për nevojën e domosdoshme me e ndërru gjendjen e vet! Mësuesi asht nji burrë a nji gru që punësohet prej partisë; drejtori n’Komunë asht kusherini i Kryetarit që s’ka kry shkollë po asht tifoz i përkrym, po prap për partinë! Nëpër institucione punojnë djemtë e çikat e reja të sapo kthyem prej Perëndimit, që drekën e darkën e kalojnë kafeve “in” t’Prishtinës, e të cilët i ka mashtru menja se tanë Kosova asht Prishtinë.
Fatkeqësisht, Argjendi që iku asht shenja e varfnisë shpirtnore dhe intelektuale që sot e karakterizon Kosovën. Ai metet imazhi ma i trishtë i nji shteti të korruptum dhe të keqdrejtum! Argjendi asht thirrja e dëshpërume e mijëra qytetarëve gjithanej venit për drejtësi e dinjitet! Argjendi asht dhimta që e ka përtheku familjen shqiptare pa përspektivë, Kosovën e pazhvillume, ligjin e shkelun, arsimin e pëbaltun, ekonominë e rrënume, kulturën e hapërdame, fshatin e harrum dhe qytetin e rrënum!
Argjend,
Të qoftë i lehtë dheu i Tokës Tonë!
Emni yt qoftë Përmendje dhe Thirrje, për të gjithë ata që munen me ba diçka për familjen tande dhe Kosovën!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit