Për fat të keq, po jetojmë në kohën kur muslimani ka frikë nga muslimani

0
284

Po jetojmë në kohën kur muslimani ka frikë nga muslimani; ku muslimani dëshiron që vëllai i tij musliman të jetë i uritur, dëshiron që ai të ndjejë frikë, nga njeriu.

Po jetojmë në kohën kur po ndërpriten lidhjet familjare, po ndalohet namazi dhe ibadeti për Allahun e Plotfuqishëm në shtëpinë e Tij të parë në Tokë (El-Aksa).

Po jetojmë në zamanin, në të cilin po kërkojmë ndihmën e jomuslimanëve, atë ndihmën e kësaj bote, që mos të vdesim, sepse vëllai ynë musliman këtë po na e mohon!

Po jetojmë me shpresë dhe me lutje, që vëllai ynë musliman, të na thirrë dhe të na ndihmojë në nevojat tona të jetës së kësaj bote, për nevojat fizike të ushqimit dhe pijes. Sepse muslimanët janë një trup dhe një shpirt, pavarësisht origjinës, kombësisë, racës, gjuhës – ne jemi një umet, të gjithë ne që biem në sexhde për Allahun e Plotfuqishëm.

Bashkësia: – Besimtari vjen në xhami për ta falur namazin me xhemat, me dëshirë që me atë rast të takohet me vëllezërit e tij, tu japë selam, t’i pyes ata a kanë ndonjë nevojë, ose t’u shprehë atyre se ai vetë ka ndonjë nevojë për ndihmë, ose për ta ndihmuar dikend tjetër. Ky është vëllazërimi përmes pesë namazeve ditore.

Namazi i xhumasë çdo javë mbledh më shumë njerëz që pas namazit të xhumasë të takohen dhe  t’i shkëmbejnë përshëndetjet, përvojat e punës, nevojat.

Pastaj dy bajramet i mbledhin në xhami njerëzit nga i gjithë vendi, edhe nga vendet e tjera që të vijnë në shtëpitë e tyre, t’i takojnë të gjithë njerëzit dhe tu dëshirojnë çdo të mirë.

Pastaj me agjërim gjatë muajit ramazan, muslimanët i kujtojmë ata që nuk kanë as bukë as ujë, dhe ju ndihmojnë me zekat.

Dhe pastaj në haxh, e gjithë bota nxitojnë në një Shtëpi, Bejtullah, që bashkërisht të qëndrojnë njëri pranë tjetrit. Kjo është fuqia e Islamit. “Dhe të gjithë ju mbahuni fortë për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u shpartalloni.”

Vëllazëria: Kur Pejgamberi (savs), mbërriti në Medine, hapi i parë që bëri, ishte vëllazërimi i muhaxhirëve me ensarët.

Besimtarët janë vëllezër – Ky unitet dhe kjo vëllazëri reflektohet në faktin se ata i kanë ndarë të gjitha të mirat ndërmjet tyre, madje edhe nëse ndonjëherë ajo ka qenë e nevojshme për veten e tyre.

“… I duan ata që vijnë në Medine dhe në zemrat e tyre nuk ndjejnë kurrfarë rëndimi, për atë që u është dhënë atyre (ardhacakëve), por më tepër duan t’u bëjnë mirë atyre se sa vetes, edhe pse madje vetë janë nevojtarë.” (el-Hashr, 9)

Shpërbërja e bashkësisë dhe vëllazërisë: Nga momenti i parë i shpalljes së “la ilahe il-la Allah, Muhamedun resulullah” – armiqtë e Islamit e  mësuan fuqinë e besimit në Një Zot. Dhe ai ishte bashkimi, xhemati dhe vëllazëria. Dhe qysh atëherë kanë filluar intrigat sesi t’i përçajnë muslimanët me njëri-tjetrin, sepse luftimi kundër besimtarëve muslimanë të tillë nuk jepte rezultat. Ishte e nevojshme të futej fitneja dhe të përçaheshin muslimanët në mes veti.

Në një rast, një muhaxhir e kishte goditur me shuplakë një ensar, i cili ishte zemëruar dhe kishte filluar ta thërrasë fisin e tij për ndihmë, meqë rast, edhe muhaxhiri kishte filluar ta thërrasë fisin e tij për ta ndihmuar atë. Këtë e dëgjoi Pejgamberi (savs), dhe i ndaloi veprimet e tilla, të cilat bëjnë thirrje në paganizëm dhe xhahilijet. Mirëpo, që nga ai moment, munafikët filluan t’i shfrytëzojnë muslimanët më të dobët dhe t’i nxisin kundër njëri-tjetrit.

Llojet e zemrave njerëzore:

Zemra e njeriut mund të jetë (1) e shëndoshë, (2) e sëmurë ose (3) e vdekur.

(1) Zemra e shëndoshë e njeriut është ajo e cila është plot iman, e kërkon të mirën dhe e largon të keqen; kjo është ajo zemër, e cila i frikësohet ndëshkimit të Allahut dhe e synon mëshirën dhe faljen e Allahut.

“(Do të jetë i shpëtuar) Vetëm kush i paraqitet Zotit me zemër të shëndoshë.” (esh-Shuara’, 89)

(2) Zemra e sëmurë është ajo e cila shtiret se është në iman, kështu që kur është me besimtarët, shoqërohet me ta, ndërsa kur mbetët vetëm, ose me hipokritët dhe jobesimtarët, atëherë ju bashkohet atyre kundër muslimanëve. Zemra e sëmurë është plot smirë, krenari, egoizëm, ajo është e përmbytur me dyshim dhe pasione, si dhe me të gjitha ato që do të ngrihej mbi të tjerët në këtë botë.

“Zemrat e tyre janë të sëmura (me injorancë) e Allahu ua shtoi atyre sëmundjen; ata i pret dënim i ashpër, për shkak se gënjejnë.” (el-Bekare, 10)

(3) Zemra e vdekur është ajo e cila i shërben njeriut që ta jetojë jetën e tij të kësaj bote deri në një kohë të caktuar, por në fakt dhe në të vërtetë ajo është e vdekur, sepse adhuron gjëra të tjera, njerëzit, kafshët. Ajo në fund nuk mund ta kuptojë as lumturinë e dynjasë, ndërsa në ahiret e pret vetëm shkatërrimi.

“Mjerë për ata që e kanë zemrën të pandjeshme kur përmendet Allahu; të tillët janë në humbje të qartë! (ez-Zumer, 22)

“Ata (Hebrenjtë) thanë: “Zemrat tona janë të mbuluara”. Jo, s’është ashtu, por ata i ka mallkuar Allahu për shkak të mohimit të tyre; dhe prandaj prej tyre shumë pak besojnë.” (el-Bekare, 88)

Qëllimi: Qëllimi i përbashkët i çdo muslimani është fitimi i kënaqësisë së Allahut, dhe vendosja në kopshte të xhenetit, në të cilat zemrat dhe shpirtrat  nuk do frikësohen, por do të kënaqen.

Muslimani ka një Zot, një Libër dhe një Pejgamber të fundit, që e pason. Nëse këto tri gjëra lihen mënjanë, dhe fillohet me ndonjë pikënisje tjetër, atëherë as fundi nuk do të jetë i suksesshëm.

Kush konfirmon sinqerisht: “Unë jam i kënaqur që Zoti im është Allahu, që Islami është feja ime dhe që Muhamedi (savs), është pejgamberi im – do të shpërblehet me hyrje në xhenet.”

Përkthim: Miftar Ajdini