6.4 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Për çdo ditë nga një dukat

Më të lexuarat

Sahabiu Ikrime (r.a.) transmeton:

Ishte njëherë një njeri i cili besonte në Allahun xh.sh., ditët i kalonte në ibadet. Një ditë u nis për rrugë dhe gjatë rrugës hasi në një dru të cilin disa njerëz të fatkëqij e adhuronin… Kjo pamje mjaftë shumë e irritoi andaj filloi të mendojë: Patjetër duhet të gjej ndonjë zgjidhje për këtë…
Mendoi një kohë të gjatë…për fat të keq, kuptoi se nuk është lehtë ta kthej popullin nga adhurimi i drurit dhe iu duk se prerja e tij është zgjidhje e vetme…
Dhe ashtu vendosi, u kthye në shtëpi, e mori një sëpatë të prehtë dhe përsëri u nis në rrugë.
Mu në momentin kur po shkonte kah druri, para tij në formë njeriu i paraqitet Iblisi, armiku i përbetuar i bijve të Ademit. Me një buzëqeshje të rrejshme në fytyrë, e pyeti njeriun:
– O robi Allahut!… Ku po shkon kështu me sëpatë në dorë?
Njeriu i devotshëm mendoi se ky është ndonjë njeri andaj menjëherë iu përgjigj:
– Pak më përpara është një dru të cilin injorantët po e adhurojnë. Po shkoj ta pres në rrënjë dhe kështu ta përfundoj shirkun i cili tash po veprohet!
Iblisi në formë të njeriut qeshi çuditshëm: – O robi Allahut! … Çka të duhet kjo, lërë le t’i falet kush kujt të do, ata Allahu do t’i dënojë. A ty të ka mbetur ta rregullosh botën?
Njeriu i devotshëm u zemërua: – Sa njeri i keq që qenke ti, po don ta parandalosh një vepër të mirë. Kjo është në të njëjtën kohë detyra ime!
– Çfarë detyre?
– Detyra ime është t’i parandalojë veprimet e këqija!
– Ti tërhiqu në një anë, jepu pas ibadetit. Përse përzihesh në punët e huaja?
– Jo! Gjithsesi unë do ta pres atë dru!
Përkundër përpjekjeve të mëdha të Iblisit të mallkuar, njeriu i devotshëm ishte i vendosur në synimin e tij …
Me hapa të shpejt ecte kah druri. Iblisi si një mur i qëndroi para tij dhe i thotë: – Nuk të lejoj!
Njeriu i devotshëm shumë u zemërua dhe e hodhi Iblisin në tokë. Ia futi fytyrën në pluhur dhe bërtiti: – Ah, sa njeri shpirtzi që qenke!
Pastaj përsëri u drejtua kah druri. Iblisi përsëri ia preu rrugën: -Ndalu, mos e bëj atë!
Njeriu i devotshëm e shtyri përsëri në tokë, e shtrëngoi sëpatën e tij dhe vazhdoi … Iblisi mbeti i pafuqishëm. Nuk i mbeti asgjë tjetër përveç mashtrimit. Këtë herë e kapi njeriun e devotshëm për damarin e gjakut:
– O njeri, ti kthehu, hiq dorë nga prerja e drurit, ta jap fjalën se për çdo mëngjes nën jastëk do t’i gjesh nga 4 dukatë. Derisa të vazhdojë floriri, ti nuk do ta bësh këtë vepër. A është në rregull?
Kjo oferte iu duk tërheqëse njeriut të devotshëm… Natyrisht, ai nuk e dinte kush është ky njeri. E shikoi njëherë, dhe pastaj e pyeti:
– A vërtetë do të jetë kështu, a mund ta bësh ti këtë?
Iblisi duke u qeshur me një qeshje të fshehtë:
-Po, po ta jap fjalën, çdo ditë nën jastëkun tënd do t’i gjesh 4 monedha ari!
Për shkak të dukatit u tërhoq nga rruga në të cilën ishte nisur në emër të Allahut. Tash me padurim priste se çfarë do të ndodhë …
Dielli mes kodrave të bardha po humbte nga horizonti, terri i natës si perde zbriste në tokë, kurse njeriu i devotshëm u thellua në gjumë të thellë…
Sapo agoi mëngjesi, kërceu si shigjetë dhe shikoi nën jastëk. Monedhat e verdha shkëlqyen, kurse ai bërtiti:
– Sa punë të mirë që kam bërë !
Lumturia e tij ishte e papërshkrueshme, sepse duke i fituar nga 4 dukat për çdo ditë do të bëhet pronar i një pasurie të madhe. Kjo zgjati disa ditë… U hetua një ngadalësim i lehtë në ibadetin e tij. Tash nuk ndjente kënaqësi më në ibadet sikurse më parë.
Kur një mëngjes ngitej, e para gjë që bënte ishte të shikojë nën jastëk. U çudit. Kësaj here nuk kishte dukat! I fërkoi mirë sytë dhe shikoi përsëri. Prapë asgjë!
Duke u ngushëlluar, thotë:
– Ah, sot le të jetë kështu!
E priti natën dhe sipas zakonit, e zuri gjumi. Kur u gdhi, e futi dorën nën jastëk, por, prapë nuk kishte asgjë … me zemërim e hodhi jastëkun në dysheme dhe tha:
– Do t’i tregoj unë atij!
Menjëherë e mori sëpatën, i hipën kalit dhe u nis për prerjen e drurit. Duke nxituar, thoshte vet më vete: – Do të tregoj unë ty!
Papritmas Iblisi i mallkuar në formë njeriu i doli përpara. Kësaj here duke qeshur me një qeshje të fshehtë i tha: – O njeri i devotshëm, me kënd po flet?
Njeriu i devotshëm me plotë urrejtje i bërtiti: – Shikoje punën tënde!
– Ku po shkon ?
– Ti e di atë drurin të cilin e adhurojnë njerëzit?
– Çfarë u bë me të?
– Po shkoj ta pres!
Iblisi, i mallkuar, u qesh me zë: – Ti nuk ke fuqi ta bësh këtë!
Njeriu i devotshëm bërtiti:
– Ik prej këndej, njeri i mbrapsht, kush mund të më ndalojë mua?
Iblisi tha: – Hesht, kjo ka kaluar!
Njeriu i devotshëm e pyeti: – Përse ka kaluar?
Ai, tani, e mori këtë përgjigje:
– O njeri pa mend! … dalja jote e parë nga shtëpia me sëpatë ishte në emër të Allahut. Atëherë askush nuk ka mundur të ndaloj. Kurse tash, dalja jote nuk është në emër të Allahut, por është vetëm për shkak të floririt. Je zemëruar kur nuk i ke gjetur dukatet nën jastëk dhe je nisur për rrugë.. Qëllimet i ke shumë të ndryshme …
Njeriu i devotshëm thotë: – Ani, unë nuk do ta lë atë dru!
Zëri i tmerrshëm i Iblisit e tronditi rrethinën: – Menjëherë kthehu në shtëpi ose do ta heq kokën!
Zemra e njeriut të devotshëm menjëherë u mbushë me frikë, u bë sikurse lepuri në kthetrat e luanit. Pa lëshuar fare zë, u kthye në shtëpi … Mori pamjen e të vdekurit të gjallë …
Një ditë është pyetur sahabiu i madh, Hudhejfe r.a.:
– Kush quhet “i vdekuri i gjallë”? Hudhejfe r.a. duke i ngritur sytë e tij të butë thotë: Ai i cili as me dorë, as me gjuhë, e as me zemër nuk e pengon (parandalon) një të keqe që e vëren.”

Përshtati: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit