17.2 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

Pasojat e pandjeshmërisë ndaj publikes

Më të lexuarat

AGIM BAÇI 

Në tregimin e tij “Delja e zezë”, shkrimtari dhe esteti i famshëm italian, Italo Calvino, na sjell historinë e një njeriu të ndershëm që shkoi të jetonte në një fshat hajdutësh. Ndërkohë që i gjithë fshati vidhte njëri-tjetrin, njeriu i ndershëm qëndronte në shtëpi e lexonte duke “penguar” natyrshmërinë e fshatit. I detyruar nga ky zakon i fshatit, njeriu i ndershëm bën një sakrificë për t’i dhënë vetes mundësi që të jetojë në atë fshat – del natën shëtitje tek ura e ndjek rrjedhën e lumit, duke lënë hajdutët “të bënin punë e tyre” edhe në shtëpinë e tij. Ky zakon iu duk shumë i mirë atyre që kishin vjedhur më shumë në vite e vite, ndaj nisën ta shoqëronin në xhiron e tij tek ura njeriun që nuk vidhte. Por, të frikësuar se mund të përfundonin si ai nëse nuk vazhdonin të vidhnin, ata nisën të paguanin disa të varfër që të vidhnin për to, e më pas të tjerë të varfër që të ruanin pasuritë e tyre. Njeriu i ndershëm që u mësoi shëtitjen hajdutëve të pasur e la këtë botë i sulmuar nga uria, ndërkohë që shëtitësit shijonin dhe ruanin pasurinë e tyre, me atë model që mund të konsiderohej më vonë edhe si krijimi i policisë dhe burgjeve, domethënë i shtetit. Ata ndaluan më pas së foluri në publik për vjedhjen edhe pse nuk hoqën dorë nga ai ves, shkruan Calvino.

Fshati i Calvinos fatkeqësisht është një fshat që duket sikur përsëritet jo vetëm në vende e gjuhë të ndryshme, por edhe me të njëjtën pamje, duke krijuar bindjen te shumë njerëz se të jetosh i lirë dhe me dinjitet, mund të kesh një jetë të vështirë. Duket si një fshat që pikturon gjithë konformizmin e sotëm, ku përgjithësisht qytetarët, në vend të protestës kundrejt së keqes, në vend të kundërshtimit të vesit dhe imoralitetit, zgjedhin të vetëfajësohen se përse nuk mundën që të merrnin diçka në punët e tyre, në lagjet e tyre, në pronën e tjetrit. Për pasojë, vendin e dinjitetit e zë vetëm aftësia për të qenë sa më i përshtatur me atë që të jepet, duke e shkarkuar veten nga përgjegjësia për të menduar vetë, për të kërkuar ndryshim.

Po përse ky konformizëm ka pushtuar sot shoqërinë? Përse shfaqemi kaq të pandjeshëm ndaj së keqes që krenohet gjithnjë e më shumë përballë nesh, duke zënë vendin e së mirës? Përse nuk ndjejmë ndonjë krenari kur sulmojmë të padrejtën dhe të padrejtin rreth nesh? Përse nuk ndjejmë më të njëjtën neveri ndaj atij që vjedh, ndaj atij që në vend të së vërtetës pëlqen të na shesë gënjeshtrën? Përse na duket e mundimshme të mendojmë vetë dhe na duket më e lehtë të dëgjojmë atë që na sugjerohet, që na serviret si e suksesshme?

Dekurajimi i servirur nga industria e manipulimit nis të na bindë se askush nga ne s’mund ta ndryshojë realitetin, se gjithçka është vendosur nga të fortët që nuk i mundim dot. Dhe ne kështu, përmes dekurajimit, ndërtojmë murin e madh të pandjeshmërisë sonë, ku kërkojmë më pas edhe të mbështetemi, me justifikimin se deri këtu arritëm, se nuk mund të shkonim më larg se sa ta thoshim me zë të ulët të vërtetën rreth nesh. Madje, të vërtetat nisim më pas t’i besojmë se ndodhin vetëm nëpër filma, t’i besojmë se kanë ndodhur vetëm dikur larg apo në të shkuarën, dhe se beteja me të keqen është thuajse utopike.

Ne, si shoqëri shqiptare, e kemi ende të freskët këtë lloj utopie, me “njeriun e ri”, që artin e vetëm kishte tundjen e kokës për të aprovuar atë që i thuhej, atë që i urdhërohej. Dhe përmes kësaj kulture i japim të drejtë edhe mjekut të ish-diktatorit Hoxha, Isuf Kalos, që thoshte në një intervistë me gazetarin Mustafa Nano te emisioni “Provokacja” (botuar të dielën, 08/09/2019, te “Panorama”) se “fajin që ishte aq kriminel Enver Hoxha e kishte edhe shoqëria shqiptare që aprovoi dhe mbështeti ligjet e tij për 45 vite”. Dhe nuk është shaka prej doktori. Është thjesht një ironi që nëse do kishim guximin ta lexonim si duhet, atëherë nuk do të mund të fshiheshim ndaj së keqes përreth e të besonim se jemi të paaftë për ta ndryshuar realitetin.

Diktatorët dhe autokratët e kanë patur si art të rëndësishëm dekurajimin në vendosjen e qeverisjeve të tyre. E nisin këtë art duke zëvendësuar mendimin me bindjen, e më pas me një realitet të ri, të krijuar nga ata që, në vend të ideve, kanë krijuar burgun modern të spektaklit. Parë në këtë këndvështrim, “Calvinot” kanë shumë pak hapësirë për artin e tyre, sepse bota e dëshirave dhe e frikës e ka përzënë prej kohësh nga arena e debatit “delen e zezë”, duke mos e lënë më të jetë pjesë e jona që të na tregojë moralin apo të vërtetën.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit