Pasojat e banalitetit

0

AGIM BAÇI

E keqja, në përgjithësi, vjen nga të pamenduarit e shoqërisë, nga mosreagimi përballë saj. Ky konstatim i filozofes Hanah Arendt, teksa ndiqte gjyqin e një prej burokratëve të rëndësishëm nazistë lidhur me Holokaustin, u kthye në një nga shpjegueset më të mëdha të së keqes, që rrezikon çdo shoqëri. Por kjo e keqe, për shkak të mosreagimit, vijon të jetë aq prezente në Shqipëri, sa duket se shumë nga pjesëtarët e burokracisë së sistemit të Enver Hoxhës kanë marrë pak nga hija e funksionarit nazist Adolf Eichmann, teksa në këto 27 vite justifikohen me fjalët “ashtu ishte koha”, “ashtu ishte sistemi”.

Por a mund t’i pranojmë ata vetëm përmes shpjegimit të banalitetit të së keqes, duke i konsideruar si zbatues urdhrash të thjeshtë? A mund të jetë e vërtetë se ata vetëm janë bindur dhe nuk kanë menduar ashtu edhe vetë, madje duke u bërë ndonjëherë “më katolik se Papa”, duke e shtuar të keqen? Katër vite më parë, një libër i filozofes dhe historianes gjermane Bettina Stangneth, duke replikuar me Arendt, rrëfente se Eichmann kishte gënjyer në 120 seancat gjyqësore për zbatimin e thjeshtë të urdhrave, pasi, sipas dëshmive që ajo kishte mbledhur nga jeta e tij në Argjentinë, rezultonte se ai kishte funksionuar si i tillë, duke besuar se me zbatimin e urdhrave të Hitlerit, ai bënte më të mirën dhe plotësonte vetveten.

E njëjta gjë mund të thuhet pa frikë edhe për të gjithë ata që janë justifikuar apo vijojnë të justifikohen për të keqen që kanë bërë në diktaturë me teorinë se “ashtu ishte sistemi” se “aq mund të bëja”. Në fakt, këmbëngulja për ta mbrojtur atë të keqe tregon se qëndrimi i disa prej hartuesve të teksteve me kulmin e ideologjisë komuniste, ku u fabrikuan armiq, heronj dhe beteja, e që prodhuan lavazhin më të tmerrshëm të trurit, ka qenë mendimi i tyre e jo një bindje urdhrash.

Tashmë, fabrikues të ligësisë, kur ndiejnë se po vjen një brez tjetër që do ta shohë historinë përmes dokumenteve dhe interpretimeve shkencore, shumica e tyre po bën përpjekjen e dytë kriminale, duke u përpjekur të relativizojnë të keqen. Dikush që vijon të shkruajë dhe botojë si historian, mohon kampe përqendrimi, edhe pse janë zbuluar më së paku 300 fëmijë të vdekur nga uria apo nga moskujdesi shëndetësor. Një tjetër zë, që vjen përmes analizave, shprehej dje se “Enveri ishte antimysliman po jo antieuropian”.

Këto qëndrime nuk janë mosdije, por shmangie e qëllimshme e fakteve, pasi thuajse të parët që janë pushkatuar apo burgosur pa gjyqe apo me palo gjyqe ishin disa prej priftërinjve që kishin lidhje me Vatikanin, pasi prej andej kishin varësinë. Për këtë mjafton të lexojmë At Zef Pllumin apo Sami Repishtin. Por autorët e deklaratave qesharake, me sa duket, nuk synojnë vetëm relativizim të së keqes, por edhe futjen e një përçarjeje të madhe fetare mes shqiptarëve, duke ftuar katolikët të mos e shohin me armiqësi kohën e Hoxhës, pasi ai nuk i ka urryer ata, por vetëm myslimanët.

Më e keqja është se shumë prej të bindurve të atij sistemi nuk ndryshojnë as më të voglin qëndrim edhe kur dëgjojnë dëshmi si ato të dy netëve më parë në emisionin “Opinion” dhe në dokumentarin “Fëmijët e diktaturës”, prodhuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë. Madje, ata vijojnë përpjekjet për të mbajtur në heshtje dëshmitë e Pllumit, Pervizit, Repishtit, Liçit, Alizotit, Saraçit e shumë të tjerëve, ku është rrë- fyer ferri në kampet e internimit, si një jetë përtej imagjinatës të së keqes.

Disa komentues, madje, në disa portale kanë guxuar t’u kundërvihen dëshmive të dhëna nga dëshmitarët e kampeve makabre, duke shfaqur mosbesimin e tyre mbi atë ligësi që rrëfehej. Ky qëndrim i atyre që duan ta relativizojnë atë të keqe, apo edhe i atyre që heshtin ndaj asaj të keqeje, nuk është as më pak e as më shumë veçse një vijim i krimit, një vijim i së keqes, që kërkon të ndërhyjë që e vërteta të mos thuhet, të mos shkruhet. Pasojat e mosleximit të krimeve të komunizmit, ne i kemi prekur gjithë këto vite, teksa kemi ndërtuar një shoqëri që nuk guxon të thotë të vërtetën, që shet lehtësisht votën, që mbyll sytë përpara së keqes.

E në fakt, ata që kanë mbyllur sytë ndaj së keqes që vijon t’u bëhet të tjerëve, thjesht kanë ngritur kurthin për vetveten, pasi historia ka treguar se nëse nuk ngremë digë për ligësinë apo të keqen, herët a vonë do të bëhemi pjesë e saj të gjithë. Këto vite kanë treguar se ata që mbrojnë të shkuarën, që duan t’i ritregojnë krimet me tone të buta, që duan të justifikojnë ata që kanë marrë vendime kundër jetës së tjetrit, kanë qenë të shumtë. Përballë kësaj ligësie që ngulmon fort, është e rëndësishme të këmbëngulim që e vërteta të thuhet, që dëshmitë të vijojnë.

Është më e pakta që mund të bëjmë në nderim të gjyshërve dhe prindërve tanë dhe më e domosdoshmja nevojë që kanë brezat, me qëllim që nesër të përpiqemi të ndërtojmë një shoqëri që ka kurajën të thotë të vërtetat. Përndryshe, nuk kemi pse ankohemi se na ka mbuluar e keqja dhe që të kërkojmë një jetë më të mirë për fëmijët tanë.