Pashallarë të Kuq dhe Blu: Mbi islamizimin me dhunë të armikut në diskursin publik shqiptar – RETRO

0
40

Ervin Hatibi

Një nga gjetjet më të bujshme me të cilën na qerasin shpesh kohët e fundit fotoreporterët shqiptarë, është loja me aureolat. Sahera, faqe të para gazetash hapen me ndonjë portret kryesisht politik, i ujdisur ky në fokus në një mënyrë të këtillë, që personazhit të fotografuar t’ia kopsisin kokën pas ndonjë objekti a shenje të rrumbullt, çfarëdo qoftë: rrethi me yjet evropianë të flamurit, stema ovale e kryeministrisë, ndonjë O apo Q kapitale nëpër banderola ceremoniale, ndonjë tollumbac festiv… Çdo objekt rrethanor rrumbullak ngarkohet me misionin e qerthullimit të kokës së personazhit me një lloj sfondi qarkor, tip kurore mbretërore apo brerore shenjtërore. Gjuha e dhunës në shtyp, më e ashpër dhe piktoreske gjatë viteve ’90, tashmë që është shtruar ca, duket se ia lënë misionin e demonizimit përmes karikaturizimit artit objektiv të fotografisë. Kështu, gazetat shpesh e pikturojnë kundërshtarin politik me poza të sforcuara tipizuese, të tilla që shfrytëzojnë rastin p.sh. përgjatë ndonjë teshtime apo ndonjë kruajte vetvrasëse hunde, gjatë shqiptimit të mundimshëm të ndonjë bashkëtingëllorje, gjatë ndonjë gromësime parlamentare a pultitje rutinore të pafaj syçkash apo çdo mrrolje e tendosje tjetër të lëkurës së mimikës. Poza që në fakt duheshin hedhur në kosh nga profesionisti i ndershëm. Rrethorja që përmendëm, në të tilla raste negative nuk e rrethon më kokën politike si aureolë a kurorë: ajo bëhet thjeshtë rrethi koncentrik në dylbinë e snajperit: bëhet shënjestër ekzekutimi.

Herë pas here shënjestra e dëshiruar ovale, nuk gjendet edhe aq kollaj në mjedisin rreth politikës: ndonjëherë flamuri evropian është tepër i dallgëzuar për t’u fokusuar adhe tollumbacet nuk janë domosdo më të vogla se kokat e ca politikanëve për t’I mirëpritur këto si kornizat. Dhe fotografët heqin keq… Por përherë ka një zgjidhje: montazhi dhe kolazhi, në traditën më të mirë të agjit-propit stalinist! Me një ndërhyrje cezariane, personit të urryer, ashtu si në magjinë e zezë voodoo i masakrohet mishërimi fotografik. Truku grafik më i përdorur botërisht për më se 60 vjet me rradhë për të përdhunuar imazhin e kundërshtarit është shkarravitja kozmetike e një palë mustaqkave të vogla Hitleri mbi buzën e portretit. Në Shqipëri, për vite me rradhë, rolin e aksesorit ndëshkues, me sukses e ka zëvendësuar një anti-aureolë: çallma e bardhë e hoxhës! Mos na thotë kush tani se nuk i ka parë e stërparë gjatë viteve të fundit foto-fletërrufetë me çallmën montuar apo shartuar drejt e mbi Sali Berishë në shtypin e majtë apo të njëjtën përmbi Fatos Klosin në shtypin e djathtë! (Shënim: Kurse çallma mbi kokën e të ndjerit hafiz Sabri Koçi kudo nëpër foto është autentike. Jo vetëm ai, por edhe të tjerë dinjitarë të bashkësisë islame, imamë e dervishlerë, hoxhallarë e baballarë, nuk e kanë me të keq këtë punën e çallmave: është thjeshtë një traditë e tyre shumë e vjetër.) Sigurisht, i madh e i vogël e di se kjo nuk bëhet për inat të hoxhallarëve, dhe as në shenjë përngjasimi me ta, po kryesisht për mbivendosje me Osamën, logon momentale të së keqes pereniale orientale.

Anti-aureola ekziston edhe në variantin femëror. Ajo është shamia e besimtareve praktikante muslimane, e njohur më shpesh në zhargonin mediatik e politik shqiptar si “ferexheja”, një anakronizëm i sforcuar me të cilin asnjë femër e mbuluar shqiptare nuk e emërton kryembulesën e vet, një orientalizëm i cili është një anti-aureolë më vete, e llojit gjuhësor kësaj here. Në këtë funksion e përdori edhe kryeministri i vendit gjatë një fushatë zgjedhjesh të paradokohshme në qytetin e Elbasanit, kur ftoi njerëzinë që të votonin “kundër ferexhesë politike”, (si edhe gjithashtu “kundër Haxhi Qamilit” dhe pro “Kostandin Kristoforidhit.”) (Po si nuk gjeti gjetiu nja dy shembullorë të tjerë që të ndajnë të njëjtë fe e të mos na ndajnë edhe më tej ne të tjerëve kur të votojmë pastaj për ta, po u gjet një i keq musliman dhe një i mirë i krishterë, me Shkumbinin përmes… ) Jemi në nivelin e garderobës pluraliste dhe sfilatës identitare: në një pikëpamje aspak cinike, si çallma ashtu edhe “ferexheja”, në fakt, janë kryesisht veshje. Dhe në këto kohëra supersonike e virtuale, globaliste e multikulturaliste, robit të shkretë i qëllon të vishet lloj-lloj, për qejf a për hall, për sport a për eksport. Gazetare të pashme, me shaminë hedhur muslimançe mbi sy, nusërojnë para kamerave të lajmeve nëpër rrugët e Kabulit, presidenti amerikan gjatë vizitës në Kinë vishet si mandarin perandorak, po askush ama nuk ua nxjerr këto foto jashtë kontekstit, për t’ua përdorur si ndonjëfarë mini-shantazhi qesharak. Kurse në një faqe të parë të një gazete të madhe tiranase (“Korrieri”), gjejmë të vendosur një foto-poster të gruas së kryeministrit, të mbuluar me një foulard të bardhë në kokë gjatë vizitës së një xhamije në Liban. Diçitura na diktonte se Zonja e Parë kishte veshur « rrobat e grave islamike », dhe sigurisht diçitura nuk mund të jetë kaq enciklopedike sa të qartësojë edhe për lexuesin e thjeshtë e të çuditur se gjithë turistet apo vizitoret femra të xhamive dhe të shumë kishave, në shenjë respekti ndaj traditës u sugjerohet të mbulojnë flokët me një shami që shpesh ua ofron guida turistike në derë të tempullit. Ama gjithë operacioni foto-diçiturë, në një mënyrë qëllimshëm arbitrare kërkon të të lërë shijen e (larg qoftë) ndonjë inklinacioni të gabuar shpirtëror, qoftë edhe momental, të gruas së kryeministrit, e kush e di, mbase edhe të të shoqit…

Toni që përshkonte shkrimet e numrit të gazetës merret me mend se ishte tejet kritik ndaj çiftit, sigurisht për arsye të politikës, por truku i “ferexhesë” i kishte vënë pikën mbi i imazhit të mëtuar problematik. Po kështu u veprua kur kundërshtia për shpalljen zyrtarisht të z.Xhoana Nano si First Lady protokollare, mobilizoi në protestën e rradhës teatrin politik nëpër rrugët e Tiranës. Djemtë e vajzat e lëvizjes “Majft”, organizatorë të mitingut kritik ndaj kësaj shpallje, e panë të arsyeshme që Xhoana Nanon ta riemërtojnë “Xhemile” për ta tallur në karikaturat e posterat e protestës.
Tentativa për “islamizim të armikut” nuk prek vetëm fatkeqët që kanë lindur nën kubetë e rënda, jeshile e të vjetëruara të emrave dekonspirues muslimanë. Mirë ata që mund t’I akuzosh po të të dojë qejfi për konspiracione reaksionare për integrizëm oriental kundër integrimit oksidental: tentativa për islamizim të dhunshëm po prek edhe banorët e pafajshëm të emërmbiemrave të tjerë. Epshi konvertues në fakt thjesht mëton për ta mbyllur në një “Abu Graib” poshtërues e degjenerues, qoftë edhe vetëm gjuhësisht e përkohësisht, kundërshtarin politik. Kështu në një editorial të një tjetër gazetë të rëndësishme (“Koha Jonë”), mu pas një vizite të përfolur në Dubai (përtej “Perdes së Hekurt Identitare”) Fatos Nanos i këndohet kjo lloj formule çpagëzimi: “Nano kryeministër mund të ketë një ditë dëshirën surrealiste por të sinqertë, të shkojë për pelegrinazh në Mekë…”. Pjesa tjetër e editorialit është minuar me sulme e shpoti të tjera, dhe ndonëse krejt pa takt e pa vend, dëshira për t’I shkuar deri në ekstrem operacionit të tëhuajzimit final, shpie në internimin e imazhit mu në qendrën e Orientit reaksionar, aty “përtej urës së Qabesë” ku shkon e nuk kthehesh veçse Haxhi, si Qamili simbolik… (Martohu sa të duash në kishë ti! Tjetri lutet e mezi pret të të rrëshkasë këmba e të vesh në esfel!)

(Gjatë muajit të Ramazanit, më e forta ishte të shihje në një tjetër gazetë të madhe tonën (“Albania”) një listë të gjatë me emrat e gati gjithë deputetëve të Kuvendit, që jo me ndonjë paramendim kanë lindur nga prindër me emra muslimanë. Pra kanë më shumë mundësira për haxhillëk se Nano. Me një procedim që të kujtonte atë të militantëve të partisë kur testonin me cigare e shishe uji të dyshuarit si agjërues në vitet e diktaturës, gazetari u qe afruar të gjithëve këtyre me pyetjen aspak etike : a po agjëron? Lista e pafundme e emrave në shumicë dërrmuese përgjigjej me mohore. Që pas 1997, duke kaluar edhe përmes 11 shtatorit, numri i burrave të politikës tonë që pozojnë rrotull xhamive, ka rënë drastikisht. Ndërkaq më kujtohet mirë sesi në fillimet e demokratizimit të Shqipërisë, në kohët ende të arta të inercisë antisovjetike të aleancës afganoamerikane, shumë nga këta burrat ofronin edhe pa ua kërkuar kush sinjale të panevojshme identifikuese me Islamin. Sot u duhet të kalojnë prova të tilla fyese e trishtuese për të provuar të kundërtën. Kështu dora vetë Sali Berisha, kaq i sulmuar për hapjen e vendit me botën islame, sot deklaron literalisht se flamuri i Shqipërisë është flamur i Krishterimit, frazë që nuk besoj se do guxonte ta thoshte ndonjë ish-president amerikan, të themi, apo gjerman, italian, francez… (lista vazhdon.)

Ky shkrim magazinon përciptas vetëm disa shfaqje nga më interesantet e kohëve të fundit. Nuk është hera e parë që shkruaj për orientalizimin e armikut në kulturën tonë, për racizmin e islamofobinë që nuk çudit më asnjeri, për Berishën që deputeti-kryeredaktori i gazetës së partisë në pushtet (“Zëri i Popullit”), e shpotit me « muslimani Berisha », për Berishën që e godiste Ilir Metën kur ky qe kryeministër me llagapin « Sheiku Metullah », për editorialin famëkeq të njërës prej gazetave më të mëdha në vend (“Korrieri”) ku difekti i qeverisë Nano ishte mbiemri Islami i ministrit të jashtëm, për fyerjet publike standart me termat “anadollak”, “çeçen” apo më rrallë “jeniçer”, që kanë kolonizuar imagjinarin politik me hordhi barbarësh orientalë. Zhurma e kohëve të fundit përmbi zhdukjen e poemës “Pashallarët e Kuq” të Kadaresë, na rikujtoi ndër të tjera, se pas sagës politike noliane, publicistikës françeskane apo asaj para-bolshevike të dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit, tendenca për ta bërë synet të ligun, zelli për të montuar një “kokë turku” mbi armikun, tashmë është futur akoma më e komplikuar dhe agresive në diskursin shqiptar. Ashtu si gjashtë shekuj më parë, kur feudalët ndërluftues arbër, thirrën në ndihmë mercenarët turq të vriteshin për ta, edhe sot konfliktualiteti në shoqërinë tonë po i thërret rishtas nën armë. Po ta vazhdojmë këtë krahasim mekanikisht deri në fundin e vet, zbulojmë se çmimi që paguan feudalët për këtë qiramarrje, rezultoi tepër i lartë.

*Shkrimi i mësipërm nuk është i shkruar së fundmi, është publikuar online në vitin 2007.